1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Qeveria gjermane bie dakord për uljen e taksave

Pas muajve diskutimesh, koalicioni midis konservatorëve dhe liberalëve në pushtet në Gjermani ra dakord që të bëjë një ulje taksash në Gjermani. Kjo e njoftua të dielën në mbrëmje.

Shpallen rezultatet e bisedimeve te koalicionit: Rössler, Merkel, Seehofer

Shpallen rezultatet e bisedimeve te koalicionit

Koalicioni është për drejtësi më të madhe përsa u përket taksave dhe dëshiron t'i falenderojë qytetarët për pranimin e shumë privacioneve, tha kancelarja Angela Merkel (CDU) të dielën në mbrëmje në Berlin. Vëllimi i lehtësimeve, sipas të dhënave të saj do të kapë shumën e gjashtë miliardë eurove.

"Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të forcuar edhe forcat e rritjes në Evropë. Për këtë ne duam të japim kontributin tonë- megjithatë: parakushti është konsolidimi konsekuent i buxhetit, respektimi i frenës së borxheve. Dhe natyrisht ne duam të falenderojmë edhe qytetaret dhe qytetarët, që pranuan shumë privacione në krizën ndërkombëtare të financave dhe atë ekonomike. Edhe kjo na ka drejtuar në masat që kemi marrë."

Në dy hapa, në vitet 2013 dhe 2014 do të rritet shuma e patatueshme për punonjësit me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për t'u krijuar atyre më shumë hapësirë financiare. Prej vitit 2013, shuma e patatueshme bazë (minimumi i ekzistencës) do të rritet, duke u kushtuar federatës dhe landeve secilit rreth dy miliardë euro.

Për të zbutur "progresionin e ftohtë" - rritjet e pagave eleminohen në rastin e një shkalle të lartë inflacioni në pjesën më të madhe nga taksat - federata do të kontribuojë e vetme me 2,2 miliardë euro.

Ulet pengesa në të ardhura për specialistët e huaj

Partia Kristjansociale (CSU), anëtare e koalicionit qeveritar arriti që të ketë sukses në negociata me kërkesën e saj të debatueshme, që prindërit, të cilët nuk i shfrytëzojnë çerdhet për fëmijët e tyre, të marrin para nga shteti. Prej vitit 2013 ata do të marrin çdo muaj 100 euro, prej vitit 2014 kjo shumë, që do të paguhet për fëmijët dy dhe trevjeçarë do të jetë 150 euro.

Ministri Federal i Transportit, Peter Ramsauer (CSU) do të marrë që vitin e ardhshëm një miliardë euro më shumë për infrastrukturën e transportit.

Një hap tjetër synon ta lehtësojë ardhjen e specialistëve të huaj, që kanë dëshirë të punojnë në Gjermani. Kështu, nga 66.000 euro të ardhura në vit, të cilat duhet t'i siguronin ata me një vend pune në Gjermani, për t'u lejuar që të punojnë këtu, në të ardhmen ata duhet të fitojnë vetëm 48.000 euro në vit.

Njëkohësisht, shtetasve në Gjermani do t'u duhet të paguajnë më shumë para për të financuar reformën e sistemit të përkujdesjes. Shuma e sigurimit për përkujdesje, në vitin 2013 do të rritet me 0,1 përqind. Kjo do t'i sjellë shtetit të ardhura prej 1,1 miliardë euro. Deri tani, norma e kontributit është te 1,95 përqind për familjet me fëmijë, ndërsa për ato pa fëmijë kjo normë është 2,2 përqind. Kancelarja Merkel tha se paratë do të përdoren në radhë të parë për kujdesjen ndaj të sëmurëve me demencë.

Autor: Auron Dodi (dpa, afp, dw)

Redaktoi: Mimoza Kelmendi