1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qeveria e re greke ka detyra që duan forcën e Herkulit

Kundërshtarët e euros nuk arritën të fitojnë në zgjedhjet parlamentare në Greqi. Megjithatë donatorët ndërkombëtarë nuk duhet të nënvlerësojnë këtë faktor të ri politik.

Antonis Samaras, lideri i Demokracisë së Re

Antonis Samaras, lideri i Demokracisë së Re

Ishte një ditë lehtësimi pas një kohe të gjatë si për Greqinë, ashtu edhe për Evropën. Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të Dielën tani në parlamentin e Athinës janë në shumicë ato parti, që favorizojnë qëndrimin e Greqisë në zonën e euros dhe vazhdimin e përpjekjeve për kursim dhe reforma strukturore.

Fituese e padiskutueshme është partia konservatore Nea Dimokratia (ND) e Andonis Samaras, e cila sipas të gjitha gjasave do të hyjë në koalicion me socialistët e PASOK-ut të Evangelos Venizellos, të cilët pësuan humbje. Të dy partitë tradicionalisht të mëdha, që e kanë çuar vendin në greminë me politikën e tyre të papërgjegjshme, duhet ta ngrenë përsëri Greqinë në këmbë.

Duhen çuar përpara reformat strukturore

Pikërisht kjo detyrë nuk do të jetë e lehtë. Greqia jeton momentalisht nga ndihmat financiare të kreditorëve të saj ndërkombëtarë, FMN-së, BE-së dhe BQE. Si ND dhe PASOK u kanë premtuar zgjedhësve rinegocimin e masave të vendosura prej tyre. Por hapësirat për negociata të reja janë shumë të kufizuara. Jo për shkak se huadhënësit janë të papajtueshëm, një supozim i përhapur shumë në opinionin grek, por për shkak se partnerët e Greqisë kanë dyshime ndaj politikës së Athinës.

Qeveritë greke gjatë tre viteve të fundit, për shembull, kanë shkurtuar pa mëshirë tek nëpunësit dhe pensionistet, por kanë bërë pak për reformat e nevojshme strukturore, apo uljen e evazionit fiskal. Tani ND dhe PASOK duan t'i bëjnë të gjitha më mirë.

Spiros Moskovou

Spiros Moskovou

Në mes të donatorëve dhe popullit të vet

Qeveria e re greke ka një kohë të vështirë para vetes. Pas të gjitha vonesave dhe kthesave të viteve të fundit ajo duhet t'u dëshmojë partnerëve të Greqisë vendosmërinë për të ringjallur vendin. Në të njëjtën kohë ajo përballet me një publik të panjohur, që është krejtësisht i papërgatitur për ndryshime drastike dhe nuk do të përballojë masa të reja, në qoftë se në një perspektivë të afërt nuk do të ketë përmirësim të situatës. Prandaj është pozitive që jo vetëm në Paris, por edhe në Berlin kohët e fundit po mbizotëron ideja, se politika e kursimeve në eurozonë nuk ka shans, në qoftë se nuk shoqërohet nga një program, që stimulon zhvillimin e ekonomisë.

Një rol të rëndësishëm në artikulimin e pakënaqësisë sociale i takon forcës së dytë politike SYRIZA, koalicionit të krahut të majtë radikal të udhëhequr nga stari i ri i politikës greke, Alexis Tsipras. Nga politikani karizmatik nuk pritet një opozitë konstruktive. Ai ka siguruar 27% të votave për partinë e tij, që deri para tre vjetësh ishte e vogël. Tsipras donte të anulonte marrëveshjet për shpëtimin e Greqisë së bashku me politikën e kursimeve.

Tani Evropa mund të marrë frymë, që SYRIZA nuk doli partia më e fortë. Por si faktor të ri pushteti ajo nuk do të lërë pa treguar forcën e saj të re kundër qeverisë, si në parlament, ashtu edhe në rrugë. Si rezultat qeveria e re greke nuk mund të thotë se është në pozitë të mirë. Para saj ndodhen detyra, për të cilat nevojitet forca e Herkulit.

Autor: Spiros Moskovou/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi