1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria e re dhe presidenti i ri i Kosovës në fokus të shtypit gjermanofon

Kosova, e cila ka probleme të mëdha për të përballuar, këtej e tutje do të drejtohet nga dy politikanë të diskutueshëm dhe pa ndonjë mbështetje të fortë. Ky është emëruesi i përbashkët në komentet e shtypit gjermanofon.

default

„Qeveri e dobët, Kosovë e dobët“, nën këtë titull komenton „Süddeutsche Zeitung“ kirjimin e qeverisë së re në Kosovë:

„Ka pak njerëz në Kosovë, që gjejnë një fjalë të mirë për kreun e ri të shtetit. …As Pacolli, as Thaçi nuk mund ta përmirësojnë imazhin gjithësesi të keq të shtetit të ri. Ndërkohë që pikërisht përmirësimin e i imazhit Kosova e ka mëse të domosdoshëm. Vendi më i varfër i Evropës ka nevojë urgjente për një perspektivë ekonomike – në rast të kundërt ëndrra e pavarësisë shumë shpejt mund të shndërrohet në një zhgjëndër. Qeveria ka një mazhorancë të zbehtë në parlament dhe ndodhet përballë sfidash të mëdha...“, shkruan „Süddeutsche Zeitung“ .

Lidhur me qeverinë e re dhe presidentin e ri të Kosovës, gazeta „Berliner Zeitung“ komenton:

„…Edhe tani pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit, Pacolli ia shpëtoi shumicën mikut të tij Thaçi. Partia e tij AKR ishte e vetmja, e cila dontë të hynte në koalicion me PDK-në e Thaçit. Si shpërblim për këtë të martën Pacolli mori postin e presidentit.

Për opozitën ky është një sinjal alarmi në adresë të bashkësisë ndërkombëtare. Sipas opozitës në krye të shetit qëndrojnë tani dy politikanë të diskutueshëm: Thaçi, ish-komandant i UÇK-së, i cili akuzohet për kontakte me mafian dhe pjesëmarrje në kontrabandën me organe të robërve serbë të luftës: e këtej e tutje edhe Pacolli, i cili di t'i kombinojë perfekt në favor të tij pushtetin dhe biznesin.”, shkruan “Berliner Zeitung”

Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” e titullon komentin e saj „Lidhja e diskutueshme e Kosovës“

„…Presidenti është i diskutueshëm, pozicioni i Thaçit është i dobësuar, qeveria ka një shumicë të zbehtë, në bankën e opozitës ndodhen për herë të parë nacionalistët, që refuzojnë protektoratin dhe kërkojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Këto nuk janë premisa të mira për një fillim të ri. Ndërkohë që një fillim i ri është i nevojshëm, sepse problemet ekonomike janë të jashtëzakonshme. Kuota e papunësisë është 50%. Kësaj i shtohen edhe sfidat politike. Kosova nuk është njohur prej të gjitha vendeve të BE-së. Vetëm një qeveri me mbështetje të gjerë do të ishte në gjendje, që në bisedimet e ardhshme me Beogradin të vendoste për ato lëshime, që janë të nevojshme për të aavancuar në rrugën drejt Evropës”, nënvizon “Neue Zürcher Zeitung”.

„Një zgjedhje jo e mirë“ komenton „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ :

„Ballkani, dikur prodhuesi i krizave ndërkombëtare, që mbante në tension politikën ndërkombëtare, nuk është më në fokus. E kjo me të drejtë, sepse koha e luftrave atje ka marrë fund. Edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt para tre vjetësh kontribuoi dukshëm në stabilizimin e Evropës Juglijndore. Perëndimi mund të krenohet me këtë sukses, sepse pa mbështetjen në Uashington, Londër, Paris dhe Berlin provinca serbe asnjëherë nuk do të mund të bëhej shtet. Por ajo që ndodh tani atje, mund t'i zhgënjejë edhe ithtarët e bindur të pavarësisë kosovare. Presidentin Bexhet Pacolli, një sipërmarrës ndërtimi i specializuar në tregje si Kazakistani, Uzbekistani, apo Libia, me pasaportë zvicerane, dikush që ia do të mirën mund ta quajë „një figurë të turbullt„. Faktin që ai u zgjodh, ia dedikon ish-drejtuesit të luftëtarëve Thaçi, të cilit i duhej një partner për të qëndruar kryeministër. Me një personel udhëheqjeje të një kalibri të tillë afrimi i Kosovës në BE ende do të zgjasë shumë“, vëren „Frankfurter Allgemeine Zeitung“.

Shkëputur nga FAZ, SZ; Berliner Zeitung, NZZ

Përzgjedhur dhe përshtatur nga V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: A.Verbica

  • Data 24.02.2011
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Omv
  • Data 24.02.2011
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Omv