1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e re bullgare fiton votëbesimin në Parlament

27 Korrik 2009

Në Bullgari, dy javë e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare bën betimin qeveria e re e pakicës, e krijuar nga kryeministri i zgjedhur Boiko Borisov. Partia e qendrës së djathtë, GERB e Borisovit, fitoi bindshëm zgjedhjet

https://p.dw.com/p/Iy7j
Boiko Borisov kryeson qeverinë e re bullgare
Boiko Borisov kryeson qeverinë e re bullgareFotografi: AP

Borisovi e paraqet veten si politikan të ligjit dhe të rendit

„Shumë i nderuar z. President, znj. Kryetare e Parlamentit dhe kolegë në bazë të kushtetutës dhe në përputhje me dekretin e presidentit po ju paraqes sot listën e qeverisë sime të ardhshme. “

Kështu u shpreh në mënyrë ceremoniale kryeministri i zgjedhur, Boiko Borisov. Kryeministri i ardhshëm bullgar, 50-vjeçari Borisov ka një karrierë të larmishme. Ish-zjarrfikës, ish-bodyguard dhe ish-shef i policisë, për të cilin thuhet se ka lidhje me botën e krimit, ai brenda një kohe fare të shkurtër krijoi partinë e tij të qendrës së djathtë, GERB, dhe njëkohësisht fitoi dy herë radhazi zgjedhjet për kryetar bashkie të kryeqytetit, Sofje.

Borisovi e paraqet veten si politikan të ligjit dhe të rendit, i cili popullaritetin e vet me mjeshtëri e pasuron me deklarata pro-evropiane dhe pro vlerave konservatore, por pa e humbur nga kjo imazhin e tij në përgjithësi të preferuar si një macho. Në parlamentin e ri të zgjedhur në Bullgari atij i mungojnë pesë mandate për të pasur shumicën absolute, por tri parti të vogla i kanë garantuar mbështetjen e qëndrueshme. Kësisoj kabineti i ri zgjidhet këtë të hënë (27.07)pa probleme. Kjo është edhe dëshira e presidentit Georgi Parvanov:

Borisovi cakton qeveri të vogël

„Unë e pranoj propozimin për strukturën dhe përbërjen e qeverisë së re. Unë i propozoj parlamentit që të zgjedhë z. Borisov dhe kabinetin e tij.“

Borisovi ka vendosur për një qeveri të vogël:

„Pesëmbëdhjetë plus një ministër pa portofol. Zëvendëskryeministra janë Tzvetan Tzvetanov dhe Simeon Diankov.“

Mosha mesatare e anëtarëve të kabinetit qeveritar është 45 vjeç

Diankovi është ylli i fshehtë i kabinetit. 39-vjeçari i diplomuar në Harvard punon qysh nga viti 1995 për Bankën Botërore (së fundi në një pozicion të nivelit të lartë. Prej tij pritet që të luftojë shpejt dhe me efektivitet krizën, që në Bullari po ndihet gjithnjë e më shumë. Ministre e re e Punëve të Jashtme është Rumiana Sheleva, deri më sot deputete e BE-së, e doktoruar në sociologji në Magedburg dhe që ka qenë mjaft aktive në Gjermani si lektore dhe referente. Dy emërime kanë shkaktuar reagime kontradiktore në Bullgari. Ministri i ardhshëm i Kulturës, skulptori Veshdi Rashidov, që vjen nga minoriteti turk, para pak kohësh është implikuar në një rrahje me policët. Ndërsa Ministri pa Portofol, Boshidar Dimitrov është zbuluar si ish-bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete komuniste.

Mosha mesatare e anëtarëve të kabinetit qeveritar është 45 vjeç, një e katërta e anëtarëve janë gra. Profili i ekipit në përgjithësi vlerësohet si mjaft profesionist. Shumica janë ekspertë me pak përvojë politike, por me kompetenca të mira profesionale. P.sh. Ministrja e ardhshme e Arsimit, Jordanka Fandakova, gëzon prestigj mjaft të mirë:

„Detyra ime e parë është që viti i ri shkollor të nisë në qetësi dhe normalitet. Në sektorin e arsimit të lartë dhe të shkencave këtë vit na duhet të realizojmë disa reforma të domosdoshme.“

Qeveria e re bullgare u miratua dhe fitoi votëbesimin sot në Parlament.

Autor: Alexander Andreev/ Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi