1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria e Papandreut përballë sfidës së reformave strukturore

A ka qeveria konsensusin social dhe politik për këto reforma dhe sa e mundshme është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme?

default


Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, PASOK, ditën e hënë kryeministri grek Jorgos Papandreu u kujtoi deputetëve “detyrën patriotike” të mbështetjes së kursit qeveritar si të vetmen alternativë për shpëtimin e vendit dhe dështimin e planeve të  spekulatorëve të tregjeve financiare. "Është obligimi ynë t'i japim gjithë atyre një pëgjigje  kombëtare dërrmuese: të përgënjështrojmë skenarët e hapura dhe të fshehta” të falimentimit të vendit, tha Papandreu. Të njëjtin apel, por edhe vendosmërinë e tij “për t'i ndryshuar të gjitha dhe për të mbajtur vendin në eurozonë” kishte drejtuar më parë Papandreu në Selanik, ku u gjend për inagurimin e Ekspozitës Ndërkombëtare dhe iu rezervua një “pritje e ngrohtë” me cunamin e protestave antiqeveritare. “Jemi të vendosur njëzëri të ecim përpara, të mbrojmë marrëveshjen e korrikut, që i jep siguri vendit”, tha kryeministri grek, i cili kishte thirrur më parë urgjentisht këshillin e ministrave, ku u muar vendimi për tatim të jashtëzakonshëm të çdo metri të ndërtuar të pasurisë së patundshme, që do të reduktojë defiçitin buxhetor me rreth 2 miliardë euro.

Masa të ndërmarra nën presionin e troikës dhe pa konsensus social

Qeveria Papandreu humbet përditë e më tepër nga kapitali i mbështetjes së duhur sociale

Qeveria Papandreu humbet përditë e më tepër nga kapitali i mbështetjes së duhur sociale

Masa e karakterit tatimor si dëshmi vendosmerie është e vërtetë se frenoi përkohësisht skenarët e falimentimit të Greqisë, daljen e saj nga eurozona dhe kthimin te dhrahmia, që këtë fundjave njohën një hov të paparë. Ajo mund të ketë bindur disi edhe troikën se “me presion grekët i kryejnë detyrat e shtëpisë, qoftë dhe në momentin e fundit”, e cila dërgoi sinjal se bëhet gati të disbursojë transhin e 6-të prej 8 miliardë eurosh të paketës së ndihmës, muajin e ardhshëm. Por qeveria humbet përditë e më tepër nga kapitali i mbështetjes së duhur sociale aq të nevojshme për ndërmarrjen e masave të tjera shtrenguese, që Papandreu vetë nuk i përjashtoi “në qoftë se nuk përmbushen angazhimet”. “Qeveria ka humbur çdo loj kredibiliteti, vetë Papandreu nuk mund të bind as veten e vet se pas një jave nuk do të detyrohet të shpallë masa akoma më të rrepta”, deklaroi kreu i partisë së majtë SIRIZA, Aleksis Cipras. Nëntë në çdo dhjetë grekë, sipas një anketimi të fundit, nuk i besojnë më qeverisë.

Qeveria rishpall reformimin e sektorit publik, që mbetet i “sëmuri kryesor”

Më shumë se masat tatimore, apo shkurtimet e pagave dhe pensioneve,  që kanë përgjysmuar të ardhurat e qytetarëve dhe kanë hedhur ekonominë në recesion, është ngurrimi i qeverisë në ndërmarjen e reformave strukturore, pa të cilat nuk do të ketë “kyçje” të marrëveshjes historike të 21 korrikut, që garanton paketën e ndihmës prej 209 miliardë eurosh. Qeveria akuzohet se humbi kohë të vyer, pasi u desh të përshkojë gjymën e mandatit të saj dhe të gjendet me lakun në fyt për vazhdimin e financimit, që të shpallë të martën e kaluar paketën e reformave me riorganizim organizmash publikë, sistem unik pagash dhe punonjësish në “dispozicion”, që do t'i  kursejnë 1.2 miliardë euro. Gjithashtu shkurtime investimesh publike prej 950 milionë euro, por edhe privatizime brenda vitit organizmash të mëdha, si aeroportet dhe korporata elektrike prej 5 miliardë eurosh. Në shënjestër është vënë sektori publik, që konsiderohet i “sëmuri kryesor” i ekonomisë. “Kemi një sektor publik të stërmadh, që e paguan shumica e popullit grek, se nga taksat e tij dhe kreditë paguhet”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Andreas Lloverdhos, që nuk dëgjoi nga kundërshtarët e tij politikë, por edhe sindikalistët për deklaratën e tij se “1 milion nëpunësish shtetërorë telendisin 10 milionë qytetarë të tjerë”. 

Publicisti grek Tasos Papas

Publicisti grek Tasos Papas

"Kreditorët me të drejtë kanë ndjesinë se po i mashtrojmë"

Vetë shoqëria greke ngjan kontradiktore. E di se me këtë shtet të stërmadh nuk ecët dhe se “omeletë nuk bëhet pa thyer vezë”, por i kundërshton si antikushtetuese lirimet nga puna, p.sh. të nëpunësve shtetërorë. “Të gjithë i duam ndryshimet, por kur ato kanë të bëjnë me mikrobotën tonë, janë të dhimbshme dhe na heqin rehatin, i kundërshtojmë. Duam ndryshime për të tjerët”, i thotë DW publicisti grek, Tasos Papas, i cili shprehet skeptik për suksesin e masave të shpallura nga ministri i Financave dhe nënkryetari i qeverisë, Evangjallos Venizellos. Sipas tij “janë masa, që janë shpallur dhe më parë” dhe me të drejtë “kreditorët tanë kanë ndjesinë se po i mashtrojmë”. Por në ç'kushte dhe premisa mund të gjejnë zbatim? “Në qoftë se kishte një ndarje të drejtë të barrës, në qoftë se qytetarët, që ngrenë peshën e taksave vërenin se paguajnë edhe ata që s'paguajnë deri më sot, në qoftë se qeveria dhe sistemi politik krijonin ndjesinë e shpresës dhe përspektivës së daljes së shpejtë nga kriza”, thotë publicisti grek.

"Zgjedhjet e parakohshme mund të ishin një zgjidhje"

Gjërat sipas analistëve politikë si Dhimitris Ciodras janë shumë më të komplikuara, pasi konstatohet “defiçit besimi” tek vetë pushtetarët për rrugën e ndjekur. “Besoj se as do as mund të realizojë këto reforma të thella qeveria. Është më i sinqertë vëllai i kryeministrit Nikos Papandreu, kur del dhe thotë atë ,që beson një pjesë e madhe e këshillit të ministrave dhe grupit parlamentar të PASOK-ut: se atë politikë nuk e besojmë, thjesht  na imponohet ndaj e zbatojmë”. Sipas tij “nuk mund të na ndryshojnë ata, që janë mësuar të bëjnë gjëra të tjera, që na sollën në këtë fazë dhe vazhdojnë të njëjtin avaz”.

Flash-Galerie Symbolbild Euro Rettungsschirm EU Flagge Griechenland Münzen

Papandreu bashkë me falimentimin përgënjështroi edhe zgjedhjet e parakohshme, duke u shprehur edhe një herë kategorik se “do të mbahen në vitin 2013”, në fund të mandatit. “Por nuk mund të minimizohet rreziku i një ‘aksidenti' politik, ose i një akti spontan deputetësh të caktuar, që do të diferencohen në një moment”, thotë Tasos Papas, që nuk pajtohet me retorikën qeveritare se “zgjedhjet janë katastrofë”. “Do të ishin një zgjidhje zgjedhjet e parakohshme”, thotë Tasos duke shënuar se “tani së fundi për to nuk është aq negative edhe troika”. Tek e fundit do t'i jepet edhe një përgjigje pyetjes munduese, nëse është më mirë të mbetemi me një qeveri inkoseguente, që nuk mund të kontrollojë situatën dhe çon në dekadencën e ekonomisë dhe shoqërisë, apo të kemi një qeveri të re. Që mund të mos jetë njëpartiake, por ikumenike, e një koalicioni të madh PASOK-Demokraci e Re, që ngjan edhe skenari më i mundshëm.” 

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica