1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Qeveria e Obama nuk do të heqë dorë prej gjykatave ushtarake aq të diskutueshme

Kjo deklaratë e administratës amerikane ka shkatuar reagime me kritika të ashpra edhe në radhët e shumë simpatizantëve të Obamës.

Në Gunatanamo këmbehen portretet e presidentëve

Obama dhe këshilltarët e tij e shohin tani nën një dritë tjetër komisionin ushtarak të Guantanamos dhe proceset ushtarake kundër të dyshuarve si terroristë të Al Kaidës.

Pasi qeveria e SHBA-së i kërkoi zyrtarisht Gjermanisë që të pranojë të burgosurit e liruar prej kampit të diskutueshëm të Guantanamos, politikanët gjermanë diskutuan me zjarr, nëse ish-të burgosurit duhen pranuar. Por turbulli shkakton tani një deklaratë tjetër e administratës së SHBA-së: qeveria Obama nuk do të heqë dorë prej gjykatave ushtarake, aq të diskutueshme.

"Guantanamo do të mbyllet brenda një viti." - kështu tha presidenti i SHBA-së Obama menjëherë pas marrjes së postit. Asokohe ai deklaroi shtyrjen e proceseve në tribunalin ushtarak të Guantanamos deri më 20 maj.

"Le ta nisim punën!" - tha presidenti, por Obama dhe këshilltarët e tij me sa duket e shohin tani nën një dritë tjetër komisionin ushtarak të Guantanamos dhe proceset e tij kundër të dyshuarve si terroristë të Al Kaidës.

"Ne ndodhemi tani në një proces, që ka të bëjë me krijimin e opinionit dhe në këtë drejtim po bëjmë përparime." Kështu u shpreh këshiltari më i ngushtë i Obamës, David Axelrodt, për radion NPR. Sa më shumë që juristët e qeverisë po merren qysh prej ardhjes së Obama-s në post, me çështjen e tribunalit të Guantanamos, aq më pak negativ është gjykimi i tyre ndaj tribunalit, citon "New-York Times" në fundjavë një bashkëpunëtor të qeverisë, që nuk përmendet me emër. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Robert Gates, theksoi të enjten e kaluar përpara një komisioni të Kongresit të SHBA-së, se tribunalet ushtarake të Guantanamos vazhdojnë të jenë një opcion. Por kjo nuk ishte e vetmja deklaratë befasuese e ministrit amerikan të Mbrojtjes, njofton radioja prestigjoze "Democracy Now". Sipas gazetarëve Gates ka deklaruar, se pas mbylljes së Guantanamos pikërisht në territorin e SHBA-së mund të mbahen pa proces për një afat të pacaktuar deri në 100 të burgosur.

Në rast nevoje ai duhet të aplikojë për 50 milionë dollarë shtesë për ndërtimin e një burgu të ri në SHBA, njoftohet të ketë thënë Gates, sipas informacioneve të Democracy Now. Shumë të burgosur të Guantanamos janë mjaft të rrezikshëm, për t' i lënë të lirë. Por ata nuk mund të dënohen për mungesë dëshmish.

Por edhe në rast të kinse dëshmive të qarta këshilltarët e Obamës shohin vështirësi të mëdha që t' i nxjerrin të burgosurit e Guntanamos përpara gjyqeve të rregullta në SHBA. Kjo sepse shumë të ashtuquajtura dëshmi bazohen në kushtet e marrjes në pyetje nën torturë të CIA-s dhe për këtë arësye nuk pranohen prej gjyqeve amerikane. Përveç kësaj punonjësit e shërbimit sekret refuzojnë të paraqiten para gjyqeve të rregullta në SHBA, për shkak se mund të zbulohen. "Së shpejti do të pozicionohemi lidhur me këto probleme," - deklaroi këshilltari i Obamës, Axelrodt.

Këtë javë qeveria e Obamës do t' i verë sërish në funksionim tribunalet sipas rrethanave. Organizatat e të drejtave të njeriut, si Human Rights Watch, kanë reaguar me kritika të ashpra e po kështu edhe shumë simpatizantë të Obamës.

Autor: Ralph Sina / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 04.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HjT6
  • Data 04.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HjT6