1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e kryeministrit Berisha do të bëjë kallzim penal në Prokurori për 100 zyrtarë të administratës publike për korrupsion.

Ani Ruci30 Nëntor 2008

Lajmi publikohet nga zyra e shtypit pranë Këshillit të Ministrave.

https://p.dw.com/p/G6MT
Kryeministria TiranëFotografi: DW / Aida Cama

Numri nuk është i pakët por kuptimplotë për përmasat e korrupsionit në rradhët ë administratës publike. Por njëherazi edhe për vendosmërtinë e qeverisë për ta luftuar atë.

Kallëzimi penal për të 100- ët pritet të bëhet kur nga përfundimi i mandatit të qeverisë së djathtë të kryeministrit Berisha kanë mbetur 6 muaj dhe fushata e ardhshme elektorale pritet të ketë në zemër të saj pikërisht mbajtjen e premtimit për luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit gjatë këtij mandati qeverisës, premtim qe publiku e mori pesë vjet më parë nga Sali Berisha, lideri demokrat, që fitoi zgjedhjet e viti 2003 dhe erdhi ne postin e kryemnistrit duke patur kalin e betejës elektorale pikërisht çuarjen para drejtësisë së zyrtarëve të korruptuar.

Por krahas këtij premtimi qeveria e Tiranës me kallëzimin për ndjekje penale për 100 zyrtarë të korruptuar është njëherazi edhe përmbushje e angazhimit në raport më SHBA, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe, "Sfida e mijëvjeçarit" nga e cila Shqipëria përfiton rreth 16 milion dollarë .

Synimi strategjik i kësaj marrëveshjeje është përdorimi i kësaj shume për uljen e korrupsionit, fuqizimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Për realizimin e këtyre objektivave, qeveria ka parashikuar edhe kallëzimin në Prokurori për ndjekje penale të 100 zyrtarëve që dyshohen si të korruptuar.

Angazhimi i qeverisë së Tiranës në marrëveshjen me SHBA-në, është që prej përdorimit të shumës 16 milion dollarë, në kuadër të programit "Sfida e mijëvjeçarit" perceptimi i publikut për sistemin gjyqësor të përmirësohet nga 40 % në vitin 2008, në 55 për qind në 2010-ën. Për të ardhurat tatimore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ose GDP, angazhimi është që ato të rriten nga 23.6 % në 28 %, ndërsa renditja e Shqipërisë në listën e vendeve për pagimin e tatim-taksave të përmirësohet nga vendi i 118-të në atë të 75.

Qeveria e Tiranës angazhohet gjithashtu të reduktojë kohëzgjatjen mesatare të miratimit të licencës nga 331 ditë në më pak se 120 ditë, ndërsa numrin mesatar të fazave të miratimit të licencës ta ulë nga 24 në më pak se 10 ditë.

Lidhur me kohëzgjatjen e miratimit të lejeve të ndërtimit, qeveria e Tiranës merr përsipër që ajo reduktohet nga 331 në 30 ditë, ndërsa numri i procedurave për miratimin e lejes së ndërtimit të reduktohet nga 24 në 4 ditë.