1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës dënon vrasjen e Ivanoviqit

Bekim Shehu''
16 Janar 2018

Qeveria e Kosovës e dënon aktin e vrasjes së Ivanoviqit, duke vlerësuar se kjo vrasje e sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në të gjithë territorin e Kosovës.

https://p.dw.com/p/2qukb
Serbien - Bürgermeisterkandidat Oliver Ivanovic
Fotografi: DW/B. Slavkovic

Oliver Ivanoviq, lideri i iniciativës qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" (SDP), është vrarë të martën (16.01) me armë zjarri në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen dhe ka bërë të ditur se Oliver Ivanoviq është vrarë para dyerve të zyrës së tij në veri të Mitrovicës, nga një veturë në lëvizje. Pas vrasjes jo tepër larg vendit të ngjarjes është gjetur një veturë e djegur, për të cilën dyshohet se u ka shërbyer vrasësve në sulmin ndaj Ivanoviqit.

Deri tani nuk ka informacione se kush janë autorët e sulmit dhe kush mund të qëndrojë pas kësaj vrasjeje. Nuk dihet asgjë as për motivet e vrasjes. Pak minuta pas atentatit, policia konfirmoi gjetjen e një veture të djegur, nga e cila dyshohet të jetë qëlluar Oliver Ovanoviqi.

Oliver-Ivanovic.jpg
Fotografi: DW

Departamenti amerikan paralajmëroi rrezikun

Një ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), paralajmëroi se në pjesën veriore të Kosovës mund të ketë sulme, duke paralajmëruar qytetarët amerikan që të shmangin vizitat në këtë pjesë. Departamenti amerikan ka paralajmëruar për keqësimin e gjendes së sigurisë në Kosovë. Vrasja e Oliver Ivanoviqit në veri të Kosovës, ndodhi në kohën kur Prishtina dhe Beogradi, në Bruksel rinisën dialogun teknik të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini. Ndërkohë Beogradi ka vendosur që ta ndërpresë këtë takim dhe të tërheqë nga Brukseli delegacionin serb, të udhëhequr nga Marko Gjuriq. Ai është urdhëruar të kthehet urgjentisht në Beograd, ku do të mbahet një seancë e Këshillit të Sigurisë, me inciativën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërprerjen e bisedimeve në Bruksel e ka konfirmuar edhe delegacioni i Kosovës.

Reagon qeveria e Kosovës

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, menjëherë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, e cila e "dënon ashpër" aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.  "Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin sa më parë autorët e krimit dhe t'i nxjerrin ata përpara drejtësisë.

Presidenti dënon vrasjen

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka siguruar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, se institucionet përgjegjëse të Kosovës do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndriçuar sa më shpejtë vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare "Liri, Demokraci, Drejtësi" në veri e vendit, Oliver Ivanoviq. Ai ka denuar vrasjen e Ivanoviqit dhe ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes. Vrasjen e ka denuar edhe kryeminstri dhe krerët e institucioneve tjera të Kosovës. 

Ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se "nuk është serb ai që e ka vrarë Ivanoviqit, edhe në qoftë se e ka emrin dhe mbiemrin serb". Presidenti serb kërkoi po ashtu zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes. Vuçiq ka mbajtur konferencë për media pas vrasjes së Ivanoviqit dhe ka kërkuar që edhe Serbia të përfshihet në hetimin e vrasjes.   

Kryetari i Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO), Vuk Drashkoviq ka vlerësuar se vrasja e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë, paraqet “terrorizëm politik, të kryer sipas modelit të shërbimeve të sigurimit nga koha e Sllobodan Millosheviqit në vitet e 90-ta”.

Oliver Ivanoviq është akuzuar nga misioni EULEX për krime lufte ndaj civilëve për periudhën 1999-2000. Në vitin 2016, Gjykata Themelore e qytetit të Mitrovicës, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me nëntë vjet heqje lirie. Mirëpo në fillim të vitit 2017, pas rishqyrtimit të rastit, Gjykata Themelore në Mitrovicë vendosi që Oliver Ivanoviq, të mbrohet në liri. Ai vazhdonte të gjykohej për një krim, siç pretendohej, të kryer në shkurt të vitit 2000. Oliver Ivanoviq ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë.