1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria e Kosovës synon të krijojë grupe gjithëpërfshirëse për dialog me Serbinë

Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, thonë se pas çdo takimi Thaçi-Daçiq, gjërat po konkretizohen gjithnjë e më shumë në raportet Kosovë-Serbi.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Qeveria e Kosovës është e bindur se në grupet e punës në kuadër të dialogut me Serbinë, do të jenë të përfshirë edhe përfaqësues të opozitës, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në secilën çështje që do të diskutohet me Serbinë do të ketë edhe ekspertë. Këtë e pohon zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pa dashur të konfirmojë nëse qeveria e ka pajtimin e partive politike opozitare.

“Qeveria e Kosovës, është e interesuar që ta ketë një spektër më të gjerë të përfaqësimit politik apo të ekspertizës. Sipas temave që do të diskutohen, ne do t'i përfshijmë njerëzit adekuatë. Edhe të partive politike opozitare po edhe të ekspertëve dhe të shoqërisë civile”, thotë Hajredin Kuçi.

LDK kundër, AAK pro

Dy partitë më të mëdha politike opozitare në kuvend, LDK dhe AAK, kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfshirjes së tyre në delegacionin e Kosovës për biseda me Serbinë. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se Kosova ka institucionet e saja dhe është qeveria ajo që duhet të udhëheqë me negociata. Ndërsa përfaqësuesit e AAK-së, thonë se ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë me qeverinë në dialogun me Serbinë, qoftë edhe me përfshirjen e tyre në grupet punuese. Lëvizja Vetëvendosje, është kundër dialogut me Serbinë. Ajo ka kritikuar ashpër edhe partitë e tjera opozitare që mbështetën qeverinë për të nisur dialogun me Serbinë.

Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi

Disa nga analistët politik kosovarë thonë se meqë Kosova tashmë ka filluar dialogun politik me Serbinë, është e nevojshme që të ketë përfshirje nga i gjithë spektri politik. Afrim Hoti, profesor në Universitetin e Prishtinës, mendon se çështjet madhore nuk janë vetëm çështje të qeverisë. Ndaj informimin që po e bën vazhdimisht kryeministri në kuvend për dialogun me Serbinë, ai e cilëson të domosdoshëm.

Në bisedimet me Serbinë duhet të përfshihet i gjithë spektri politik

“Çështjet parësore që kanë rëndësi për Kosovën, nuk janë çështje të një partie politike apo të ekzekutivit. Në vendimet për çështje të dorës së parë duhet të përfshihen të gjitha institucionet”, thotë Afrim Hoti.

Edhe serbët e Kosovës do të jenë pjesë e bisedave Kosovë-Serbi. Këtë e ka thënë për mediat lokale Nenad Rashiq, ministër serb në kabinetin qeveritar.

Edhe serbët pjesë e grupeve të punës

Nenad Rashiq

Nenad Rashiq

“Serbia do t'i emërojë disa grupe, të cilat do të përfaqësojnë interesat e Beogradit apo të serbëve lokal nga veriu i Kosovës. Por duhet të kuptojmë se realiteti i serbëve të jugut është më ndryshe nga realiteti i serbëve të veriut”, ka thënë Nenad Rashiq.

Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, do të mbahet në fillim të dhjetorit. Mirëpo grupet e punës nga Kosova dhe Serbia - ato për menaxhimin e integruar të kufirit tashmë kanë filluar punën në teren. Një takim i përbashkët u bë të mërkurën në pikëkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Merdare, por larg syve të mediave.

Dialogu Kosovë-Serbi po mbështetet pa rezervë nga vendet e Bashkimit Evropian. Samuell Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë, së bashku me shumë ambasadorë të vendeve të BE-së, të mërkurën takuan kryeministrin Hashim Thaçi për ta inkurajuar për dialogun e nisur me Serbinë.

Çdo takim Thaçi-Daçiq konkretizon gjërat

"Pas çdo takimi të ri, gjërat po konkretizohen gjithnjë e më shumë dhe kjo është një gjë shumë e mirë jo vetëm për procesin politik afatgjatë të integrimit të Kosovës në BE, por edhe për zgjidhjen e problemeve teknike të përditshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës - pa marrë parasyshë se ku jetojnë ata, në jug apo në veri”, tha Samuel Zhbogar.