1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi

Në projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi, nëse është e nevojshme parashihet edhe arbitrazh ndërkombëtar. Opozita në Kosovë bënë thirrje për protesta kundër ratifikimit të demarkacionit në parlament.

Qeveria e Kosovës miratoi të enjten me (04.08) projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, me gjithë kundërshtimet e opozitës. Projektligji tashmë është dërguar në parlamentin e Kosovës, i cili pritet të caktojë seancën për miratimin e tij. Miratimi i projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi ndodhi pas një debati të gjatë të përfaqësuesve të institucioneve e partive politike, ekspertëve, shoqërisë civile dhe diplomatëve perëndimorë. Debati zgjati gjatë gjithë ditës së mërkurë dhe u transmetua live nga të gjitha mediat vendore. Edhe në këtë debat, të dy kampet nuk u lëkundën nga qëndrimet e tyre. Partitë në pushtet mbrojtën punën e komisionit qeveritar që ka shënuar vijën kufitare me Malin e Zi, ndërkaq, opozita dhe një grup ekspertësh e kundërshtonin atë, duke aluduar se Kosova po humb mbi tetë mijë hektar tokë të Kosovës.

"Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë me tokë"

Në deklaratën e tij para qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se puna e komisionit shtetëror është vërtetuar se ka qenë në rregull. “Është vërtetuar se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë me këtë, dhe po ashtu me ligj ne e kemi lënë mundësinë që herë do kurdo në qoftë se vërtetohet ndonjë paqartësi ose ndonjë fakt juridik mbi të cilin ne mund të themi se ndonjë pëllëmbë e territorit ose një pjesë ka kaluar andej ekziston mundësia që me mirëkuptim me Malin e Zi ta rishqyrtojmë dhe ta rregullojmë edhe atë çështje”, tha kryeministri Mustafa. Sipas tij, tash është shumë me rëndësi që parlamenti ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri Mustafa, hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke thënë se “opozita nuk ka argumente të qëndrueshme që e argumentojnë se Kosova po humb territor”.

Isa Mustafa

Isa Mustafa

Mundësi edhe për arbitrazh ndërkombëtar

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke e arsyetuar projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi tha se projektligji që dërgohet në Kuvend përmban edhe pjesë ku thuhet se “Nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. Me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar”, tha ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.

Paralajmërimet për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nxitën opozitën që të thërrasë protesta në rrugë për të kundërshtuar ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Partia politike opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, thotë se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi, është gabim dhe në këtë linjë u bëhet thirrje deputetëve të kuvendit të Kosovës që të votojnë kundër marrëveshjes.

Çështje jetike për Kosovën

"Vota kundër që nënkupton mos ratifikimin e versionit aktual të kufirit me Malin e zi, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje që e ka mbajtur peng vendin për afro një vit. Demarkacioni me Malin e zi, është një çështje jetike për Kosovën, dhe ky proces duhet të zhvillohet me profesionalizëm të plotë dhe në përputhje me standardet dhe me interesat e të dyja shteteve. Ky proces është mbipartiak. Konkluzionet e një grupi deputetësh në fund të konferencës së djeshme, mund të jenë një hap fillestar i zgjidhjes së kësaj çështjeje. Çdo përpjekje e presionit mbi deputetë, ose edhe përpjekje për ta kontrabanduar ose blerë votën pro kësaj marrëveshjeje, është papërgjegjësi totale, e cila druajmë se do të mund të eskalojë në zhvillime të dhunshme", thuhet në një komunikatë për media të AAK-së. Aty u bëhet thirrje institucioneve dhe deputetëve që të vihen në mbrojtje të territorit të Kosovës.

Marrëveshja e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, u nënshkrua në gusht të vitit të shkuar. Parlamenti i Malit të Zi tashmë e ka ratifikuar këtë marrëveshje, mirëpo që të jetë e plotfuqishme ajo duhet të ratifikohet edhe në parlamentin e Kosovës. Ratifikimi i saj kërkon dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka parlamenti i Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Kosovës i është vënë kusht edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Ndonëse Kosova tashmë e ka marrë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, pa ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës nuk mund të jetësohet.