1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria e Kosovës inicion ndryshime kushtetuese për Gjykatën Speciale

Ndryshimi i amandamenteve kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, duhet të votohen në kuvend nga dy të tretat e deputetëve. Nevojiten 80 vota nga 120 deputetët sa i ka Parlamenti i Kosovës.

Qeveria e Kosovës vendosi që të paraqesë në kuvend dy amandamente, miratimi i të cilave do të mundësojë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Kjo Gjykatë do të punojë në bazë të ligjeve të Kosovës, por selia e saj do të jetë jashtë Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se "Gjykata Speciale nuk ka të bëjë me luftën e UÇK-së, por ka të bëjë me individët". Sipas kryeministrit, vendimi për Gjykatën Speciale ishte i vështirë, por sipas tij, ajo duhet themeluar për të përmbushur edhe një detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë përsipër tash e një vit më parë.

Isa Mustafa

Isa Mustafa

"Ky është një vendim, i cili është peshuar gjatë me të gjitha pasojat. Është një vendim, i cili është vlerësuar se i shërben Kosovës, u shërben integrimeve tona euroatlantike, i shërben edhe luftës së UÇK-së, sepse ka qenë një luftë e pastër, një luftë, në të cilën është mbrojtur pragu i shtëpisë, janë mbrojtur familjet. Dyshimet mbi individët në asnjë mënyrë nuk guxojnë të trajtohen në këtë proces si dyshime mbi UÇK-në dhe si gjykatë, e cila është e orientuar kah UÇK-ja", deklaroi Isa Mustafa.

Në të njetën linjë shprehet edhe zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaci. Ai thotë se me vendimin për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, Kosova e ruan partneritetin e saj ndërkombëtar dhe Kosovës i siguron të ardhme më të mirë.

"Është vendim që i siguron një të ardhme më të mirë Kosovës, qytetarëve të saj. Vendim për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, që ruan dhe forcon partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë zëvëndëskryeministri, Thaci.

E janë pikërisht SHBA-së që e përshëndetën vendimin e qeverisë që miratoi dhe inicoi për në kuvend dy amandamentet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale.

Në një njoftim nga ambasada e SHBA-së në Kosovë, thuhet se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së zotimeve që Kosova i ka bërë në prill të vitit 2014, ku tregohet gatishmëria e Kosovës për të adresuar akuzat kundër individëve nga raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës”.

“Përpjekjet e qeverisë do t'i mundësojnë Kosovës që të ecë përpara dhe përkrahja për gjykatën do të tregoj përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj sundimit të ligjit”, thuhet ne deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Vendimin e Qeverisë për inicimin e ndryshimeve Kushtetuese për Gjykatën Speciale, e ka mbështetur pa rezervë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale reflekton angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm.

"Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe liri", thotë në deklaratën e saj prësidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja një ditë më parë, për t'i njoftuar rreth themelimit të Gjykatës Speciale, takoi disa nga udhëheqësit e partive politike opozitare të cilat tashmë hapur janë deklaruar se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuse që e mundësojnë themelimin e kësaj gjykate.

Qeveria e Kosovës krahas inicimit për ndryshimin e dy amandamenteve kushtetuese, inicoi edhe miratimin e një ligji përmes së cilit Republika e Kosovës do të merr përsipër mbështetjen financiare për personat që do të akuzohen nga Gjykata Speciale për krimet e luftës. Këtë njoftim qeveria e bëri të ditur përmes një deklarate të shkruar ku thuhet se "është miratuar projektligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialë të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara”.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, të cilët rastet e dyshuara si krime lufte pritet t'i gjykojnë jashtë Kosovës.

Dy amandamentet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjyaktës Speciale duhet të votohen në kuvend dhe për këtë nevojiten dy të tretat, 80 vota nga 120 deputetët sa i ka Parlamenti i Kosovës. Në këtë kuadër nevojiten edhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjestarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.