1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria e Kosovës dërgon për ratifikim në kuvend marrëveshjen Kosovë-Serbi

Prishtina zyrtare thotë se shumë shpejt do të fillojë zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi. Takim i radhës së grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë mbahet me 30 dhe 31 maj. Do të iskutohet telekomunikacioni dhe energjia.

Me datën 30 dhe 31 maj grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit do të takohen në Bruksel për të diskutuar çështjen e telekomunikacionit dhe tö energjisë. Kështu ka bërë të ditur zëvëndëskryeministrja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, e cila kryeson delegacionet e Kosovës në kuadër të dialogut teknik me Serbinë. Bisedimet me Serbinë për çështjen e telekomunikacionit dhe energjisë duhet të përfundojnë më së largu deri në fund të muajit qeshor. Kështu është specifikuar në marrëveshjen politike Kosovë-Serbi, që u nënshkrua me 19 prill ndërmjet kryeministrit serb Ivica Daciq dhe atij kosovar Hashim Thaci.

Qeveria e Kosovës e dërgon për ratifikim në kuvend marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Qeveria e Kosovës pas miratimit të planit të zbatimit të kësaj marrëveshje edhe nga ana e qeverisë së Serbisë, planin e zbatimit e procedoi të marten me 28.05 për ratifikim në parlamentin e Kosovës. Në këtë mënyrë kjo marrëveshje bëhet e plotfuqishme. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se ata presin që shumë shpejt marrëveshja Kosovë-Serbi të fillojë të zbatohet. Bekim Qolaku, këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaci, i tha DW se qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë të obliguara t'i ndyshojnë disa ligje të caktuara, që janë paraparë në planin e zbatimit.

Qeveritë në Prishtinë dhe Beograd duhet të ndryshojnë disa ligje

“Është plotësisht logjike, që për ta implementuar marrëveshjen, që është arritur me 19 prill ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ketë ndryshime në ligje të caktuara si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Republikën e Serbisë”, thotë Bekim Qollaku, i cili ka marrë pjesë në secilin takim ndërmjet kryeministrave Hashim Thaci dhe Ivica Daciq.

Bekim Qollaku thotë se pavarësisht që qeveria e Kosovës është e detyruar të bëjë ndryshime në disa ligje të caktuara, në asnjë rrethanë nuk cenohet kushtetutshmëria e Kosovës.

“Ne e kemi bërë të qartë që nga fillimi, edhe kur është nënshkruar marrëveshja, se e tërë marrëveshja është në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndërsa ndryshimet që do të bëhen në ligjet ekzistuese të Kosovës janë ndryshime, që i lejon Kushtetuta e Kosovës”, thotë Bekim Qollaku.

Në deklaratën e qeverisë së Serbisë pas miratimit të planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit thuhet, se “Serbia kërkon garanci nga Bashkimi Evropian, që plani i zbatimit të mos paragjykojë statusin e Kosovës”. Në këtë pikë ka reaguar këshilltari i kryeministrit kosovar, Bekim Qollaku, i cili thotë se “kjo frazë i shërben qeverisë së Serbisë vetëm për konsum të brendshëm”.

“Kjo është një retorikë politike e qeverisë së Serbisë, sepse statusi politik i Kosovës është zgjidhur dhe Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe biseda për këtë çështje më nuk do të ketë dhe ajo, që e thotë qeveria e Serbisë në përgjigjen drejtuar baroneshës Ashton, është vetëm për të kënaqur nevojat për konsum të brendshëm në Serbi”, thotë Bekim Qollaku.

Serbët e veriut të Kosovës kurrsesi nuk pajtohen me këtë marrëveshje.

Megjithë deklarimet e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që së shpejti pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes së paqes Kosovë-Serbi, serbët e veriut të Kosovës kurrsesi nuk po pajtohen me këtë marrëveshje.

Kryetari i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, Marko Jakshiq, ka thënë për mediat lokale serbe se deri në fund të kësaj jave do të formohet “Kuvendi i Krahinës autonome të Kosovës” si kundërpergjigje ndaj marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Deri në fund të kësaj jave do të formojmë Kuvendin e Krahinës autonome të Kosovës dhe në të do t'i bartim përgjegjësitë e shtetit te Serbisë. Kjo është e drejta jonë kushtetuese”, ka thënë Marko Jakshiq. Sipas tij, ky veprim bëhet, pasi serbët e veriut janë kundër marrëveshjes së 19 prillit të arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave Hashim Thaci dhe Ivica Daciq.