1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës e cilëson të suksesshëm operacionin e doganave

16 Shtator 2011

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme e cilësoi të suksesshëm operacionin e sotëm ku doganierët dhe policët u vendosën në dy pikat kufitare me Serbinë në Jarinje dhe Bërnjak.

https://p.dw.com/p/12adQ
Bllokadat rrugore vazhdojnë në veri të Kosovës
Bllokadat rrugore vazhdojnë në veri të KosovësFotografi: dapd

Doganierët dhe policët, ata të misionit EULEX dhe të Kosovës, u vendosën në mëngjes në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak, sipas një plani të  paraparë nga qeveria e Kosovës. Operacioni u zhvillua pa ndonjë incident, ndërsa doganierët dhe policët u bartën deri në këto pika me helikopter të KFOR-it, pasi rrugët tokësore ishin të barrikaduara që mbrëmë nga serbët lokalë. Këto zhvillime në veri i konfirmoi me DW zëvëndëskryeministri Hajredin Kuci.

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashzakonshme që mbajti në mesditën e së premtes, tha se operacioni për vendosjen nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë u zhvillua me sukses. Kryeministri, Hashim Thaci, i bëri thirrje Serbisë, që mos të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës dhe të ndalë siç thotë kryeministri, përpjekjet për  ndarjen e Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit.

“Ne jemi të përkushtuar për bashkëpunim rajonal, si parakusht për procesin e integrimeve evropiane dhe presim që edhe Serbia të fillojë të reflektojë në mënyrë evropiane në raport me shtetin e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi u bëri thirrje qytetarëve serbë të Veriut të Kosovës që të bashkëpunojnë me institucionet kosovare dhe të heqin dorë nga barrikadat në rrugë.  

“Ne do të jemi në krye të përgjegjësive për rend dhe ligj, për krijimin e jetës demokratike, për participim në jetën demokratike dhe organizim të zgjedhjeve të lira në veri të Kosovës, që të ketë lidership legjitim edhe në këtë pjesë, në mënyrë që të kemi investime socio-ekonomike”, tha kryeministri Thaçi.

Rrugët edhe më tej të bllokuara

Zevendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci
Zevendëskryeministri i Kosovës, Hajredin KuciFotografi: DW

Të gjitha rrugët që çojnë në veri të Kosovës, megjithatë vazhdojnë të jenë të bllokuara për qarkullim nga barrikadat e vëna nga serbët, përfshirë edhe urën qëndrore mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, njofton zëdhënësi i policisë në këtë qytet Besim Hoti. Sipas tij incidente nuk ka. Mediat lokale serbe njoftojnë se gjatë natës dhe paraditën e sotme, në veri të Kosovës ka qëndruar ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviç. Ai ka thënë se serbët e veriut në mënyrë paqësore do të mbrojnë interesat e tyre.

Zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi i tha DW  se qeveria për momentin është e koncentruar për vendosjen e rendit dhe ligjit në pikat kufitare një dhe 31, por sipas tij, edhe rrugët do të zhbllokohen dhe do të ketë qarkullim të lirë të mallrave  dhe njerëzve. Megjithatë ai nuk ishte në gjendje të thotë se kur do të ndodhë kjo.

Një pikë tjetër kufitare me Serbinë në Merdare, e cila tash për tash është caktuar si porta kryesore nëpërmes së cilës do të bëhet shkëmbimi tregtar  Kosovë-Serbi, tashmë ka marrë urdhër nga drejtoria qëndrore e doganave të Kosovës që të lejojë mallrat serbe që të hyjnë në Kosovë. Këtë e konfirmon për mediat lokale në Kosovë, shefi i doganierëve në këtë pikë, Shkëlzen Osmanaj. Sipas tij tash për tash në këtë pikë ka pak maune me mallra serbe që presin të hyjnë në Kosovë, ndërsa, nuk ka maunë nga Kosova që presin për të kaluar në Serbi. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, i tha DW-së dy ditë më parë se qeveria e Kosovës është e vendosur që qarkullimi i mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bëhet në kushte të njejta. Qeveria e Kosovës përshëndeti edhe vendimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila një ditë më parë mori vendim që të pranojë vulat doganore të Kosovës.  

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi