1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria dhe opozita siriane negociojnë të premten

aud (epd/afp)23 Janar 2014

Që prej gati tri vjetësh, në Siri sundojnë kaosi dhe dhuna, më se 100.000 vetë e kanë humbur jetën. Në Konferencën për Sirinë, i ngarkuari i posaçëm Brahimi do të përpunojë një plan për bisedimet. Shpresat janë të vogla.

https://p.dw.com/p/1Avp8
Lakhdar Brahimi & Ban Ki-Moon 22.01.2014
Fotografi: Philippe Desmazes/AFP/Getty Images

Megjithë akuzat në ditën e parë të konferencës për Sirinë në Montreaux, regjimi i Assadit dhe opozita duan të fillojnë të premten bisedimet e drejtpërdrejta për fundin e luftës civile. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon bëri të ditur të mërkurën në mbrëmje në takimin që u zhvillua në Montreux të Zvicrës se i ngarkuari i posaçëm Lakhdar Brahimi do të flasë me palët e konfliktit për një plan për bisedimet.

Që të enjten do të flasë Brahimi veçmas me qeverinë dhe me opozitën. Brahimi deklaroi se kohëzgjatja e bisedimeve është e pacaktuar. Në çelje të konferencës së Sirisë në Kombet e Bashkuara, të pranishëm qenë përfaqësues të 40 shteteve si dhe të organizatave ndërkombëtare. Negociatat që fillojnë të premten do të zhvillohen në Gjenevë.

Ministri i jashtëm i Sirisë, Wallid Muallem dhe presidenti i Koalicionit Nacional Sirian, Ahmad al-Dscharba e akuzuan njëri-tjetrin se mban përgjegjësi për gjakderdhjen. Në fjalën e tij, Muallemi i akuzoi forcat opozitare se përbëhen nga terroristë, të cilët duan ta shkatërrojnë Sirinë.

Presidenti i Koalicionit Nacional Sirian, Dscharba, nga ana e tij e akuzoi presidentin Bashar al-Assad se i ndjek "idetë e çmendura" të tij me dhunë të pamëshirshme. Ai kujtoi se njësitë e regjimit të Assadit i patën shtypur me dhunë brutale armësh protestat fillimisht paqësore në vitin 2011.

Ahmad al-Dscharba, Presidenti i Koalicionit Nacional Sirian akuzon regjimin e Assadit
Ahmad al-Dscharba, Presidenti i Koalicionit Nacional Sirian akuzon regjimin e AssaditFotografi: picture-alliance/UN pfotos

Shans për sukses

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon bëri thirrje në çelje të konferencës që të gjendet një zgjidhje politike. Ai foli për një ditë të shpresës. Ndërsa ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry kërkoi largimin e pushtetmbajtësit Assad. Ai nuk mund të marrë pjesë në një qeveri të re tranzitore, theksoi Kerry. Për shkak të akteve mizore kundër popullit të tij, Assadi ka humbur çdo legjitimim, tha ai. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha se ekziston një "shans real", por jo "shans 100 përqind" për sukses.

Ministri i Jashtëm Gjerman, Frank Walter Steinmeier e ngarkoi regjimin e Assadit me përgjegjësinë kryesore për konfliktin. Synimi i parë i Konferencës së Paqes duhet të jetë krijimi i një qeverie tranzitore, tha ai. Njëkohësisht, Steinmeieri kujtoi që të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe kërkoi armëpushime lokale, për t'u mundësuar organizatave të ndihmës qasjen tek miliona vetë që vuajnë.