1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria dhe ICO të vendosura për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës

Prishtina zyrtare nuk do të bashkëpunojë me komunën paralele të veriut të Mitrovicës dalë nga zgjedhjet e 30 majit të organizuara nga Serbia.

Qyteti i Mitrovicës.

Zyrtarë të instituconeve të Kosovës dhe zyrës civile ndërkombëtare, thonë se ata do të vazhdojnë përpjekjet për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, në bazë të planit të Marti Ahtisarit. Kjo megjithë mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e komunës paralele serbe të veriut të Mitrovicës nga ana e Serbisë.

Zëdhënësi i zyrës civile ndërkombëtare, Andy Mc Gaffy, i tha Deutsche Welles në një prononcim me shkrim, se zgjedhjet legjitime në veri të Mitrovicës, që pritet të organizohen nga institucionet e Kosovës, do të mbahen pasi të kryhen të gjitha përgatitjet e nevojshme, në mënyrë që komuna e re të mund të funksionojë. Ai nuk ishte një gjendje të thotë datën se kur do të mbahen këto zgjedhje. Megjithatë Mc Gaffy thotë se në këtë fazë janë të përqendruar në mbështetjen e një procesi të tërë, i cili krijon kushtet e nevojshme për të vazhduar me decentralizimin në bazë të planit të Marti Ahtisarit.

“Ekipi përgatitor komunal për komunën e re të Mitrovicës së Veriut është emëruar dhe po punon në kryerjen e detyrave të veta, me angazhim të përditshëm të ICO-së dhe Ministrisë së Pushtetit lokal. Është shpallur tenderi për zyrën lokale të komuniteteve. Grupet punuese në kuadër të Grupit Ndërministror të Decentralizimit përfshijnë edhe një fokus grup për veriun”, thotë Andy Mc Gaffy.

Vonesa të mundshme në krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës

Zyrtarë të ministrisë së pushtetit lokal pranojnë, se ka vonesa në krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës. Kjo për shkak se në veri të Kosovës është një situatë politike pak më ndryshe në raport me pjesët tjera ku serbët janë shumicë.

Lumnije Demi, zëdhënëse e ministrisë së Pushtetit Lokal në Kosovë.

Lumnije Demi, zëdhënëse e ministrisë së Pushtetit Lokal në Kosovë.

“Duhet pranuar se situata në veri të vendit qëndron ndryshe, pra nuk është siguruar terreni që atje të fillohet me veprime konkrete sa i takon procesit të decentralizimit. Megjithatë, këtu kërkohet mobilizim ndër-institucional për të filluar procesi i decentralizmit sipas planit të paraparë”, thotë Lumnije Demi zëdhënëse e ministrisë së pushtetit lokal.

“Ndër përgjegjësitë e Ministrisë së Pushtetit Lokal në realizimin e procesit të decentralizimit është sigurisht themelimi i tri komunave me shumicë serbe Gracanicë, Ranillug dhe Kllokot. Të gjitha veprimet e ndërmarra për themelimin e këtyre tri komunave, që kanë në qenë përgjegjësi e MAPL janë vlerësuar të suksesshme si nga instancat vendore edhe nga ato ndërkombëtare”, thotë Lumnije Demi.

Serbët e veriut kundërshtojnë krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës nga Prishtina

Për serbët e veriut të Kosovës, krijimi i komunës së veriut të Mitrovicës nga Prishtina zyrtare, e mbështetur nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është i papranueshëm. Kështu thotë Marko Jakshiq, një nga udhëheqësit e serbëve të veriut.

“Nuk është kjo e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Këto janë vetëm shtete perëndimore. Komuniteti ndërkombëtar është shumë më i gjerë, përfshirë Rusinë, Kinën e Indinë. Ekipi serb në Vjenë e ka refuzuar atë ide, që sot Piter Feith dhe Qeveria në Prishtinë duan ta zbatojnë, pra t'i shpallin zgjedhjet në komunat në veri”, thotë Marko Jakshiq.

Brukseli duhet t'i bëjë të qartë Beogradit se nuk ka ndarje të Kosovës

Ndërkohë, njohës të çështjeve të pushtetit lokal, thonë se shkaku kryesor për vonesat e shkaktuara në krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, janë ndikimi i Serbisë në këtë pjesë dhe së fundi mbajtja e zgjedhjeve paralele në veri të Mitrovicës nga Serbia.

Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale.

Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale.

Besnik Tahiri, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, thotë për Deutsche Wellen, se për të tejkaluar këtë pengesë duhet angazhim edhe më i madh nga autoritetet ndërkombëtare.

“Kjo duhet të ndodhë nga Brukseli nëpërmes zyrës civile ndërkombëtare dhe porosia për Beogradin të jetë e qartë se ne e kemi njohur Kosovën si shtet dhe nuk ka ndarje”, thotë Tahiri.

Më tej Tahiri shton se krahas kësaj porosie, Prishtina zyrtare për të arritur synimin e saj final në veri të Mitrovicës, duhet ndërmarrë disa hapa gradualë duke filluar me krijimin e një zyre për komunitete, e cila do të ofrojë shërbime që ndërlidhen me të gjithë sektorët që mund t'i ofrojë një komunë.

“Duke filluar nga regjistrimi i automjeteve, regjistrimi i bizneseve, dhënia e dokumentacionit civil, çertifikatave, pra ndërlidhja e jetës që bëhet në atë pjesë të Kosovës me Prishtinën”, thotë Besnik Tahiri.

Zyrtarë të ministrisë së pushtetit lokal, thonë se në angazhimet e deritashme për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, janë ndërmarrë disa veprime në kuadër të ekipit përgatitor komunal për veriun. Janë realizuar takime të ndryshme me grupe të interesit, që vijnë nga shoqëria civile dhe komuniteti medial. E gjithë kjo për të vendosur mundësi bashkëpunimi mes komuniteteve atje dhe për t'i njoftuar të gjithë aktorët e shoqërisë, se procesi i decentralizmit është një nga komponentët e rëndësishëm të institucioneve të Kosovës, që siguron jetë të barabartë për të gjithë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 02.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nfad
  • Data 02.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nfad