1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qeveria britanike bën presion ndaj mediave

Gazeta "Guardian" ka bërë publike të dhënat e Snowden, gjë që në Britani të Madhe shikohet si armiqësi. Qeveria britanike ka kërcënuar hapur gazetën. Në Gjermani kjo nuk mund të paramendohet.

Për qeverinë britanike dallimi mes të mirës dhe të keqes është shumë i qartë: shërbimet sekrete po bëjnë një punë shumë të mirë në luftën kundër terrorizmit, ndërsa ata që bëjnë publike detajet për aktivitetet e tyre janë armiq. Me tone të ngjashme u shpreh kryeministri britanik David Cameron edhe gjatë samitit të fundit të BE-së. "Armiq" ai i quan personat si Edward Snowden. Por Cameron i sheh si kundërshtarë edhe mediat si "Guardian", të paktën kështu mund të supozohet nga deklaratat e tij të fundit.

"Nëse nuk tregohet përgjegjësi për shoqërinë, atëherë qeveria do ta ketë shumë vështirë të përmbahet dhe të mos veprojë", tha Cameron në Parlament lidhur me shtypin britanik. Cameroni e ka kritikuar në veçanti gazetën "Guardian" për bërjen publike të të dhënave të shërbimeve sekrete në vend se t'i asgjësojë ato. Gazetari i "Guardianit" Glenn Greenwald i ka marrë në qershor të vitit 2013 të dhënat e para nga Edward Snowden për praktikën e veprimeve të shërbimeve sekrete amerikane, të cilat më pas i ka bërë publike në gazetën e tij.

"Në Gjermani nuk mund të paramendohen gjëra të tilla"

Hans Leyendecker

Hans Leyendecker

Në Gjermani nuk mund të paramendohet që një kryeministër të kërcënojë gazetat në këtë formë, thotë gazetari investigativ Hans Leyendecker, i cili punon për gazetën "Süddeutsche Zeitung". Kjo gazetë është ndër të parat në Gjermani që ka bërë publike të dhënat e Edward Snowden, për veprimet e shërbimeve sekrete amerikane. Edhe politikanët në Gjermani përpiqen që të ushtrojnë presion ndaj mediave, por në të shumtën e rasteve janë këto kërcënime se në të ardhmen nuk do t'u japin informacione për raportimet e tyre ose një gazetar të caktuar do ta përjashtojnë nga takimet off the record, shpjegon Leyendecker.

Shumë më të rënda janë përpjekjet për influencën e sipërmarrjeve private, kur bëhet fjalë për zbulimin e aferave të tyre ekonomike. "Këtu shpesh ka raste kur kërcënohet me avokatë apo me ngritjen e aktakuzave".

Përpjekjet për influencë dëmtojnë vetë politikanët

Michael Rediske

Michael Rediske

Në veçanti të ndjeshme ndaj influencës politike janë mediat publike (ku bën pjesë edhe Deutsche Welle), mendon Michael Rediske, drejtues i organizatës "Reporterët pa Kufij" në Gjermani. Mediat e këtilla kanë borde drejtuese ku janë përfaqësues të grupeve të ndryshme të shoqërisë, ndër të cilët edhe deputetë dhe ministra.

Por në përgjithësi gazetat dhe mediet elektronike në Gjermani "janë në gjendje shumë më të mirë që të mbrohen nga influenca e politikanëve", thotë Rediske, i cili në veçanti përmend edhe rastin e ish-presidentit të Gjermanisë Christian Wulff. Ish - presidenti ka dashur që me një thirrje kërcënuese tek redaktori i gazetës Bild t'i evitojë shkrimet kritike për kreditë e tij të diskutueshme. Kështu edhe filloi afera Wulff, e cila përfundoi me dorëheqjen e tij nga posti i presidentit. Influenca ndaj gazetarëve në Gjermani shikohet si skandal dhe i kthehet si bumerang politikës, mendon Michael Rediske.

Në Britani të Madhe siguria nacionale ka përparësi

Cameron në samitin e BE-së, 24.10.2013.

Cameron në samitin e BE-së, 24.10.2013.

Kryeministri britanik David Cameron nuk është i vetmi i cili ka sulmuar gazetën "Guardian". Kjo gazetë britanike është në shënjestër të kritikave të ashpra prej javësh, për shkak të bërjes publike të të dhënave sekrete. "Guardian" është një gazetë e cila ndihmon armiqët tanë", ka shkruar së fundi gazeta "Daily Mail". Ndërsa "Sun" sjell deklaratat e një deputeti konsvervator i cili thotë: "Duhet hetuar kundër 'Guardian' për shkak të mbështetjes së terroristëve". Argumenti kryesor i tyre është siguria kombëtare.

Rediske sheh këtu një dallim të madh mes Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera në Evropë. "Britania e Madhe ndjek rrugën e SHBA-së dhe ndjehet në veçanti e cënuar, pas sulmeve terroriste në Londër. Ndaj edhe poullata e atjeshme ka një perceptim më të ndryshëm ndaj "sigurisë" dhe "lirisë". Në Gjermani për shkaqe historike ka një qëndrim skeptik ndaj nocioneve si "interesat e shtetit" apo "sekreti i shtetit", të cilat janë keqpërdorur në masë në kohën e nacionalsocializmit shpjegon Rediske.