1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Qeveria afgane e indinjuar për sulmin ajror të NATO-s - ISAF-i paralajmëron hetim dhe flet për gabim

Në një sulm ajror të NATO-s në jug të Afganistanit u vranë pardje 27 civilë. Qeveria afgane është e indinjuar për sulmin ajror. Trupa mbrojtëse për Afganistanin ISAF paralajmëroi se do ta hetojë sulmin dhe flet për gabim

default

Hap pas në luftën për zemrat e njerëzve

Është pikërisht ai lloj incidenti, që do të shmangë me çdo kusht komandanti i NATO-s Stanley McChrystal: trupa ndërkombëtare mbrojtëse kryen një sulm ajror ndaj luftëtarëve të supozuar talibanë, dhe vret me këtë rast të pafajshëm. Qeveria afgane e dënoi menjëherë në formën më të ashpër sulmin. Dhe drejtori për medie në parlamentin afgan, Hakim Asher, deklaroi:

"Kjo është një temë që na shkakton shqetësime të mëdha. Është e papranueshme dhe papërligjshme."

Në thelb NATO-ja po zhvillon dy luftëra në Afganistan: njërën kundër talibanëve dhe tjetrën për mendjet dhe zemrat e njerëzve. Lufta për mendjet dhe zemrat me gjasa nuk mund të fitohet në rast se trupat ndërkombëtare vrasin vazhdimisht të pafajshëm. Edhe zëvendëskomandanti i NATO-s Nick Parker e di që prej incidenteve vuan besueshmëria e trupës mbrojtëse për Afganistanin:

"Do të doja të thosha se ka rëndësi të madhe për ne kur ndodhin gabime të tilla. Ne po bëjmë gjithçka mundemi për t'i ulur në minimum ato. Në emër të ISAF-it dhe të komandantit të tij unë kërkoj falje për tragjedinë që u kemi shkaktuar familjeve të caktuara."

ISAF-i ka urdhëruar hetimin e incidentit, i cili sipas guvernatorit përgjegjës të provincës ngjau kështu: Tre autobusë të vegjël me civilë po udhëtonin të dielën drejt Kandaharit në jug të Afganistanit kur NATO-ja urdhëroi të bombardoheshin. Sipas të dhënave të veta, trupa mbrojtëse u nis nga premisa se bëhej fjalë për kryengritës, që donin të sulmonin trupa afgane dhe të NATO-s. Guvernatori i provincës Dai Kundi, Sultan Ali Uruzgani, tha:

"Incidenti i tmerrshëm ndodhi në kufirin midis dy provincave Dai Kundi dhe Urusgan. Kanë humbur jetën 27 vetë. Ndër të vrarët janë katër gra dhe dy fëmijë, të vrarët e tjerë janë burra. Të plagosur janë dhjetë."

Synimi është shmangia e sulmeve të të pafajshmëve

Sulmi nuk ka të bëjë me ofensivën e madhe të NATO-s më në jug në Helmand, por edhe atje janë vrarë herë pas here civilë gjatë sulmeve të ditëve të fundit. Komandanti i ISAF-it Stanley McChrytsal i ka vënë vetes synimin që të shmangë vrasjen e të pafajshmve. Prandaj edhe reagoi aq me humor të prishur ndaj sulmit ajror në Kundus në shtator, të urdhëruar prej gjermanëve. Njëlloj si parlamentarja afgane Shukria Barakzai, ai e di që duhet doemos të shmangë viktimat civile.

"Për ne, për njerëzit në Afganistan është e rëndësishme që të gjejmë një përgjigje se përse janë duke vdekur civilë."

Por për shumicën e të vrarëve të pafajshëm në Afganistan vitin e kaluar ishin përgjegjës talibanët. Që ata nuk i marrin parasysh civilët, këtë kryengritësit e dëshmuan tani sërish. Në lindje të Afganistanit një atentator vetëvrasës hodhi veten në erë. Viktimat ishin shumica civilë.

Autor: Kai Küstner/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 23.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M95B
  • Data 23.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M95B