1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qeveri kalimtare në Greqi - Me mandat dhe vepër të kufizuar dhe konkrete

Kryeministri Papadhimos mori mandatin për formimin e kabinetit betimi i të cilit do të bëhet nesër në mesditë. Në deklaratën e tij të parë ai u shpreh optimist duke drejtuar apel për unitet kombëtar.

Kryeministri i ri i Greqisë, Llukas Papadhimos.

Kryeministri i ri i Greqisë, Llukas Papadhimos.

Zaret u hodhën më në fund për kreun e kabinetit të bashkëpunimit, që do të qeverisë Greqinë për 100 ditët e ardhshme, do të miratojë dhe garantojë marrëveshjen e 26-tetorit, do të marrë paratë e ndihmës së troikës prej 8 miliardë eurosh për arkat bosh të vendit dhe do ta çojë në zgjedhjet e parakohshme. Kryeministri i saj është Llukas Papadhimos pas marrëveshjes së arritur sot midis krerëve partiakë të pozitës socialiste Papandreu dhe asaj konservatore Samaras, por edhe të kreut nacionalist Jorgos Karaxhaferis, që i dha fund edhe krizës politike disaditore.

“Greqia ndodhet në një udhëkryq kritik, vendimet që do të merren përsa i përket rrugëtimit të saj dhe politikat që do të zbatohen do të jenë të një rëndësie vendimtare për mirëqenien e popullit grek”, - tha në deklaratën e tij të parë kryeministri grek Llukas Papadhimos, i cili u shfaq i vendosur por edhe optimist për zgjidhjen e problemeve të vështira “brenda zonës së euros” si garanci e “stabilitetit monetar” dhe “zhvillimit të ekonomisë”. Ai përcaktoi si prioritet bazë të kabinetit të tij zbatimin e vendimeve të samitit të Eurozonës të 26 tetorit.

Papadhimos, figura që i duhej Greqisë?

Konsensus i arritur pas shumë 72 orë negociata - Papandreu në takim me presidentin Papulias

Konsensus i arritur pas shumë 72 orë negociata - Papandreu në takim me presidentin Papulias

U deshën 72 orë dhe të vihet në sprovë vetë sistemi politik, që krerët partiakë të kolaudojnë qëndrimet e tyre dhe të vihet në krye të qeverisë, në fazën më kritike të vendit, jo një figurë politike por një teknokrat me karrierë të suksesshme brenda dhe jashtë Greqisë. “Ajo çka duhej ishte një figurë që do të  mund të fliste me Bashkimin Evropian, të zotërojë çështjet ekonomike dhe të ketë autoritetin e duhur për të përfaqësuear vendin”, - i thotë Deutsche Welle-s analisti Dhimitris Ciodras, duke theksuar se zoti Papadhimos i ka “të gjitha  këto karakteristika dhe premisa”.

Figurë konsensuale, por jo plotësisht

Por kryeministri i ri, siç vëren analisti grek, deri tani është provuar në poste të ndryshme por jo në poste qeveritare, që “është një bast tjetër”. “Le të mos gënjehemi, përtej klimës së euforisë dhe aspiratave që shoqërojnë çdo ndryshim, situata është tejet e vështirë, çështjet që do të menaxhojë janë shumë delikate dhe vendi ndodhet në një pikë kritike”, - thekson analisti grek për të cilin mbetet të shihet nëse “Papadhimos mishëron edhe premisat jo vetëm formale por edhe esenciale”.  “Është figurë konsensuale nga një pjesë e sistemit politik se ka reagime të mëdha edhe në mesin e sosialistëve edhe të konservatorëve dhe sigurisht reagime shumë më të mëdha nga e majta, që vlerëson se një bankier nuk është njeriu i përshtatshëm për të menaxhuar interesat e vendit, gjë që do ta bëjë në interes të bankave dhe jo të popullit”, - shton analisti grek

Qeverisë i duhet konsensus politik dhe social

“Ne nuk do të qëndrojmë nga jashtë duke sabotuar situatën dhe do të presim të rizgjidhemi deputetë”, - tha deputeti socialist Jorgos Harallambopullos, duke theksuar se për suksesin e qeverisë “do të duhet konsensus politik dhe social”. “Vendi është i detyruar të ecë përpara me qeveri koalicioni” thekson nga ana  e tij analisti tjetër Janis Politis, duke iu referuar anketimeve të fundit dhe përqindjeve të ulëta që marrin dy partitë e mëdha të sistemit politik bipartiak grek. Analistë të tjerë si Stavros Ligeros shprehen jo vetëm skeptikë por edhe pesimistë për shkak të mungesës së kulturës konsensuale. Megjithatë ata e shohin “mandatin qeveritar të Papadhimos” si pikënisje të ndryshimit të sistemit politik grek, që këtej e tutje nuk do të jetë më si më parë.

Betimi i kabinetit qeveritar do të bëhet të premten në mesditë. Përbërja e tij, do  të tregojë nëse do të jetë një bashkëqeverisje me figura politike të dy partive të mëdha apo edhe të partive më të vogla të djathta, pasi ato të majta refuzuan. Kryeministri sqaroi se “nuk ka vënë asnjë kusht ndaj asnjë lideri politik”. Problemet që duhet të zgjidhë me Troikën, ekuilibrat që duhet të mbajë, mandati i kufizuar 100 ditor dhe mungesa e legjitimimit popullor janë faktorë që nuk e bëjnë aspak të lehtë veprën e qeverisë së bashkëpunimit të Llukas Papadhimos.

Autor: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: E. Xhani