1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qeveri e unitetit kombëtar në Greqi - Papandreu jashtë saj

Në bazë të anketimeve më të fundit, shumica e grekëve dëshirojnë ta mbajnë euron e të mos kthehen në monedhën e tyre të vjetër. Politikanët ranë më në fund dakord që të krijohet një qeveri e unitetit kombëtar.

Rënie dakord për qeverinë e unitetit: Jorgos Papandreu, Karolos Papulias, Antonis Samaras

Rënie dakord për qeverinë e unitetit: Jorgos Papandreu, Karolos Papulias, Antonis Samaras

Kryeministri grek Jorgos Papandreu dhe udhëheqësi i opozitës, Antonis Samaras ranë të dielën (06.11.) në darkë dakord që të krijojnë një qeveri të unitetit kombëtar. Këtë e bëri të ditur zyra e presidentit të Greqisë, Karolos Papulias. Më parë Papuliasi i pati ftuar për bisedime të dy krerët e partive më të mëdha politike të vendit, Papandreu nga PASOK-u dhe Samarasin e Nea Dimokratia. Samarasi e pranoi ftesën. Në orët e vona të darkës të dielën një dorëheqje e Papandreut nuk përjashtohej më, diskutime vazhdonin vetëm për momentin se kur duhej bërë kjo.

Pas bisedave zyra e presidentit të Greqisë njoftoi se Papandreu nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të unitetit. Ndërsa negociatat për qeverinë e re do të vazhdojnë të hënën.

Me propozimin për të vendosur në një referendum popullor për pranimin e kushteve për ndihmat evropiane, Papandreu synoi të jepte një goditje çliruese për klimën e rëndë politike në vend. Por lëvizja shkoi huq. Papandreu u përpoq pas kësaj të arrijë një qeveri koalicioni. Por partneri i tij i dëshiruar, partia konservatore Nea Dimokratia dhe shefi i saj, Antonis Samaras nuk deshën t'ia dinë për këtë:

"Ne duam vetëm një gjë: të kthehemi në gjendje normale dhe zgjedhje të reja, në mënyrë që ta stabilizojmë vendin, të riparojmë imazhin e tij, që ta lëmë këtë ëndër të keqe pas vetes, sa më shpejt që të jetë e mundur."

Samarasi dëshironte qetësi në furtunë. Por zgjedhjet e reja nuk do të bënin që të zhdukej barra e borxheve prej 360 miliardë eurosh. Dhe këtë mund të pohosh edhe për kushtet e rrepta, të cilat i kanë lidhur ndihmuesit nga Evropa me programin e ndihmave. Me këto duhet të mësohet në njëfarë mënyre çdo qeveri në Greqi. Me skepticizëm i pa për një kohë të gjatë udhëheqësi i opozitës, Samaras ofertat e Papandreut për t'u bashkuar në një qeveri. Kjo nga droja e një kurthi për konservatorët.

Antonios Samaras- skeptik për të ardhmen me Pasok-un

Antonios Samaras- skeptik për të ardhmen me Pasok-un

"Kurdo që ne kërkojmë një rrugëdalje, qeveria Papandreu/Venizellos bllokon me pengesa të reja. Tani, me dekretin për borxhet, ne duhet të shprehemi se jemi dakord për masa, të cilat nuk i njohim fare. Ata (socialistët) vetë nuk dinë asgjë. Ata duan një çek të bardhë, por askush nuk mund t'ua ofrojë atyre këtë."

"Ata luajnë poker në Titanik", është titulli i gazetës Kathimerini. "Midis Euros dhe dhrahmisë", është titulli i gazetës "To Vima". Gjendja shpirtërore lëkundet midis panikut, fatalizmit dhe mungesës së të kuptuarit. Kundër politikanëve shpërthen zemërim, si tek kjo athinase:

"Unë besoj se duhet të eleminohet i gjithë sistemi politik. Të gjithë! Nuk duhet të ikin vetëm 300 apo 3000 politikanë. Të gjithë janë të prishur."

Populli në Greqi është skeptik, nëse një qeveri koalicioni do ta shpëtojë vendin. Ja si shprehen qytetarët e Athinës:

"Një qeveri koalicioni duhet të ndajë të njëjtat vlera. Ata nuk janë dakord për asgjë, kështu që asgjë nuk do të jenë në gjendje të arrijnë. Tani ata kanë nevojë për zgjedhje, për një mandat të qartë, në mënyrë që qeveria të mund të ecë përpara me një mandat të ri dhe mbështetjen e popullit."

Autor: Auron Dodi (dpa /Reinhard Baumgarten)

Redaktoi: Mimoza Kelmendi