1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qendra e Athinës në "mëshirën" e SIDA-s

Sëmundja e SIDA-s po merr përmasa alarmante në qendër të Athinës, e kthyer me kohë në “geto” nga klandestinët afrikano-aziatikë dhe narkomanët.

default

Edhe në mes të ditës përgjatë rrugës 3 Shtatori, një nga arteriet kryesore të qendrës së Athinës, kalimtarët hasin femra që me veshjen dhe vështrimin e tyre tundues peshkojnë për “klientë”. Vajza të reja, shumica me ngjyrë, kryesisht nga Nigeria dhe nga vende të tjera të Afrikës nga zona e Subsaharasë, por edhe të bardha nga vendet fqinj përrreth që shesin trupin e tyre për 30 euro.  "25 bashkë me hotelin" u pëshpërit kalimtarëve një nigeriane në rrugën Hallkokondili, Anisa, që largohet sapo  kupton qëllimin e bisedës sonë duke  kërkuar me sy tutorin e saj, para kioskës përballë, dhe nuk pranon të thotë asnjë fjalë më tepër për reportazhin tonë.

Afrikano-aziatiket pa kulturë kontraceptive

Në pjesën e tyre dërrmuese viktima të trafikimit dhe secila me dramën e saj në duart e tutorëve, këto vajza tërheqin tani vëmendjen e shoqërisë greke për një arsye tjetër: seksi i tregtuar dhe pa masa kontraceptive, siç ndodh në me shumicën e tyre, evidentohet si shkaku kryesor i rritjes galopante prej 580%  të rasteve të SIDA-s dhe të sëmundjeve të tjera infektive si sifilizi dhe hepatiti B dhe C gjatë vitit të fundit. Kjo shifër mësohet nga një studim i Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve.

"Faktori më kryesor ndër këto vajza që vijnë nga vendet afrikano-aziatike mendoj se është mungesa e kulturës seksuale, nuk merret asnjë masë preventive si tabletat konraceptive apo prezervativi në marrëdhëniet seksuale",  i thotë DW-së mjeku gjinekolog Jorgo Mano, i cili sheh arsye më të thella  ekonomiko-sociale të këtij fenomeni të favorizuar dhe nga apatia politike. "Shteti jo vetëm që ka përgjegjësi për prostitucionin e pakontrolluar por edhe për masat që nuk merren, pasi këto refugjate nuk kontrollohen kur hyjnë në kufi. Madje duhet të futen në karantinë para se të qarkullojnë në shoqërinë greke dhe në shoqërinë evropiane."

Apel nga ministri i Shëndetësisë drejtuar burrave grekë edhe imigrantë

"Bombë në themelet e shoqërisë” e konsideron fenomenin e përhapjes së sëmundjeve infektive edhe ministri i Shëndetësisë Andreas Lloverdhos, që sheh nënvleftësim të  tij jo vetëm nga strukturat shtetërore, por edhe nga mediet dhe shoqëria vetë. “ I drejtohem qytetarit grek, të mos bëhet klient i këtyre grave. Duhet që qytetari grek të evitojë kontaktin me këto gra, por edhe imigranti që është këtu duhet t'u qëndrojë larg, që të mos përcjellim problemin në familjet tona", është apeli dramatik i ministrit aktiv që  njëkohësisht thekson në të gjitha tonet se problemi nuk është vetëm grek, por është edhe evropian. Ai kërkon madje zbatimin e një "FRONTEX-i higjenosanitar" si një barrierë për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive nëpërmjet prostitutave afrikano-aziatike që synojnë të kalojnë tranzit nga Greqia nëpër vendet evropianoperëndimore. 

Sheshi Sintagma në Athinë

Sheshi Sintagma në Athinë

"Versioni shqiptar" i prostitucionit

Pjesë e pandarë edhe e kësaj ane të realitetit grek janë imigrantët shqiptarë si Vladimir Dhima, që frekuenton shpesh sheshin Omonia, dhe ku nuk ngurrojnë të flasin edhe për “mëkatin” e tyre në përhapjen e fenomenit. "Shkojnë jo vetëm shqiptarë të pamartuar por edhe ata që kanë krijuar familjet e tyre. Është një rrezik i madh për familjet dhe sidomos fëmijët që kështu nuk e kanë të garantuar jetën nga rreziku i SIDA-s", shprehet Vladimiri kur statistikat thonë se rreth 1 milionë vetë të popullsisë së aftë për seks  në Greqi janë klientë të prostitucionit rastësor ose periodik. Vladimiri pranon me  'dhimbje' edhe faktin se ndër prostitutat janë edhe shumë shqiptare, që kriza i shtoi edhe më tepër." Janë edhe shqiptare, por edhe romune e sidomos bullgare. Janë të trafikuara por ka edhe nga ato që e bëjnë me vullnetin e tyre, ose nxirren forcërisht në rrugë nga burrat e tyre",  thotë Vladimiri që megjithëse shprehet i rreptë për 'doraset' nuk mund të mos pranojë se 'në thelb këto gra janë viktima në radhë të parë vetë'.  Aq më tepër për rastet kur preken edhe nga virusi i SIDA-s.  "Vetë unë kam trajtuar raste të femrave nga Shqipëria që janë pekur nga SIDA",  pohon mjeku Jorgo Mano.

Rritje e shfrenuar 1.000 % e SIDA-s ndër narkomanët

Aty ku SIDA bën kërdinë janë narkomanët, që sa herë ndiqen nga policia vetëm sa ndërrojnë rrugë apo shesh ku me shiringat e drogës në dorë flirtojnë  me “parajsën iluzive” dhe vdekjen. Si në sheshin Klafthmonos, para Ministrisë së Punës, ku nuk mund të kalosh përmes lulishtes nga era e rëndë. "Jam dëshmitar okular përditë këtu i pamjeve të turpit që shpalosen para syve të mi. Mëngjes, drekë, darkë marrin drogë me shiringa, këtu flenë, këtu bëjnë nevojën e tyre, kërcënojnë, bëjnë sherr dhe vjedhin dyqane, katër herë e vodhën dyqanin përbri", i thotë DW-së banori i zonës Sofoklis Beqiraqis, që flet për 'vatra infeksioni' po aq të rrezikshme sa prostitucioni dhe shiringat në përhapjen e SIDA-s dhe të sëmundjeve të tjera infektive. Në radhët e narkomanëve rastet e SIDA-s janë shtuar 1.000% vitin e fundit paralajmëron Qendra e Konrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, e cila që nga data 9 qershor dërgon në sheshet e Athinës ekipe ambulante mjekësore. "Në Evropë i akordohen çdo narkomani 30 shiringa në vit, kurse në Greqi vetëm 3", i thotë DW-së mjeku epidemiolog i Qendrës Jorgos Nikollopullos, i cili kërkon "trajtim antiretroik nëpër spitale, informim më të mirë dhe me fletushka në gjuhë të huaja për imigrantët."

Rivendosja e normalitetit në qendër të Athinës është një imperativ për mbrojtjen në radhë të parë të shëndetit publik. "Nuk është vetëm SIDA, është hepatiti, janë dhjetëra sëmundje, akoma edhe kolerë do të bjerrë këtu",  thotë Beqiraqis, që e kupton mirë se kriza e mahisi plagën dhe aksionet e policisë vetëm sa e zhvendosin problemin. Duhen nisma si ajo e ministrit të Shëndetësisë, që nga data 12 shtator hap dyert e spitaleve për trajtimin me metadon të narkomanëve.      

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora