1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Qendër e re e shërbimit sekret amerikan në Wiesbaden?

Shumë objekte dhe impiante nëntokësore, apo sekrete të NSA-së gjenden në Griesheim pranë Darmstadtit.

Ushtria amerikane ka që nga Lufta e Dytë Botërore në Wiesbaden, një nga qendrat e saj kryesore në Evropë. Në Wiesbaden gjendet sot selia evropiane e ushtrisë së SHBA-së. Tani ushtria amerikane është duke ndërtuar aty një qendër të re për kundërzbulimin ushtarak. Sipas njoftimeve kjo ndërtesë e re do të përdoret edhe nga shërbimi sekret amerikan NSA. Ky informacion thuhet se i është konfirmuar Komitetit të Punëve të Brendshme të Bundestagut nga shefi i Shërbimit Informativ Federal Gjerman (BND), Gerhard Schindler. Por kur një gazetë njoftoi për këtë gjë, BND-ja tha menjëherë se informacioni ishte i pasaktë dhe nuk pranon të japë prononcim tjetër.

E ashtuquajtura "Consolidated Intelligence Center" (CIC), që po ngrihet në Wiesbaden, pritet të jetë gati në vitin 2015. Shpenzimet për ndërtimin e saj shkojnë në rreth 124 milionë euro. Pas lajmeve për mbledhjen e të dhënave në Gjermani nga ana e shërbimit sekret amerikan NSA, kryetari i bashkisë së Wiesbadenit Sven Gerich (SPD) i kërkoi një takim komandantit të bazës amerikane në këtë qytet, kolonelit David Carstens.

Sqarime në një atmosferë miqësore

Takimi zgjati katër orë. Kryebashkiaku i Wiesbadenit tha në një intervistë me Deutsche Welle se ushtarakët amerikanë nuk kishin reaguar me zemërim ndaj pyetjes për një prani të mundshme të NSA dhe kishin treguar mirëkuptim për këtë çështje sensible. Por sipas kryebashkiakut të Wiesbadenit, Sven Gerich: "Koloneli Carstens më tha fjalë për fjalë se kjo qendër ka vetëm lidhje me ushtrinë amerikane dhe nuk është institucion i NSA-së".

Por sa shumë mund t'u besohet informacioneve të tilla? "Unë nuk mendoj se Carstens, koloneli më tha një të pavërtetë", përgjigjet kryetari i bashkisë së Wiesbadenit, Sven Gerich. Nuk planifikohet vendosja e antenave të mëdha, sqaron Gerich. Por nga ana tjetër ai shton se bashkia e Wiesbadenit nuk ka asnjë shans, për t'ju kundërvënë, apo për të kundërshtuar ndërtimin e objekteve të tilla.

Transparencë e re

Zona, ku po ngrihet qendra "Consolidated Intelligence Center", deri tani ka qenë e izoluar plotësisht prej jo-amerikanëve. Madje edhe materialet e ndërtimit vijnë nga SHBA. Por koloneli David Carstens ka ofruar tani mundësinë, që kur të kenë përfunduar pjesët kryesore të qendrës, të ftojë për vizitë gazetarë për të bërë të qartë se aty nuk ka impiante të nëntokësore.

Shumë objekte dhe impiante nëntokësore, apo sekrete të NSA-së gjenden në Griesheim pranë Darmstadtit. Në të ashtuquajturin "Dagger-Komplex" punojnë njësitë e shërbimit sekret amerikan, që punonin dikur për shumë vite në qytetin bavarez Bad Aibling.

Ky u mbyll në vitin 2004 nën presionin politik të ish-kryeministrit bavarez Edmund Stoiber, sepse në atë kohë pati dyshime se amerikanët i përdornin sistemet Echelon në Bad Aibling për spiunazh industrial në Gjermani.

Ndoshta NSA-ja nuk do të veprojë në Wiesbaden

Eksperti gjerman për shërbimet sekrete, Erich Schmidt-Eenboom mendon se ato që i tha koloneli amerikan Carstens, kryebashkiakut të Wiesbadenit duhet të jenë korrekte. Por në rast se rezulton se të dhënat që ka bërë ushtria amerikane nuk kanë qenë të sakta, RFGJ ka të drejtë të kërkojë mbylljen e kësaj qendre. Gjithsesi shërbimet sekrete amerikane dhje gjermane sipas Edward Snowden bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin. Për këtë shkak megjithë deklaratat e kundërta zyrtare, ekspertët mendojnë se në bazat amerikane në Gjermani duhet të ketë edhe punonjës të NSA-së.

Gjithsesi banorët e zonës, ku po ndërtohet qendra e re e zbulimit ushtarak amerikan, nuk i shqetësojnë aq lajmet për spiunazh se sa zhurma e helikopterëve amerikanë, që qarkullojnë atje.