1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qarkullim jo normal i elitave në Shqipëri

Gjetja e rrugëve të lehta për tek pushteti si dhe përfitimet nëpërmjet korrupsionit çojnë në mungesën e demokracisë së brendshme në partitë kryesore politike.

Historia e zhvillimeve politike në Shqipëri po përsëritet. 8 vite më parë protagonisti kryesor i socialistëve, Fatos Nano, njoftoi largimin nga drejtimi i partisë. Shkak ishte humbja e zgjedhjeve parlamentare të atij viti. Vendin e tij e zuri Edi Rama. Dhe ja pak kohë më parë protagonisti kryesor i demokratëve, Sali Berisha, dha dorëheqjen nga çdo funksion partiak. Shkak ishte humbja e zgjedhjeve parlamentare pas një qeverisje 8 vjeçare. Tani në garë për ta zëvendësuar atë janë Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha.

Në foto, Agron Tufa

Në foto, Agron Tufa

Në këto momente kur PD është e kapluar nga ethet e përzgjedhjes së pasuesit të atij që e udhëhoqi prej rreth 23 viteve partinë, në qarqet politike dhe në debatet e gjera publike është rigjallëruar çështja e qarkullimit të elitave në Shqipëri. E lidhur ngushtë me këtë, hapësirë diskutimi ka marrë dhe perceptimi se në çfarë niveli është demokracia e brendshme e subjekteve kryesore politike. Prof. Ass. Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit e shikon ndryshimin jo normal të elitave politike në Shqipëri si një handikap që lidhet me ndikimet e kohës së regjimit komunist. Kur nisi ndryshimi i sistemit afër 23 vite më parë, vendi ishte si në një batak intelektual, thotë ai për DW. "Ishte një kastë e limituar nga pikëpamjet dhe idetë, shumë e politizuar, pa ndonjë bagazh, përvojë a përgatitje konkrete për sfidat ku po hynte Shqipëria. Nuk kishin një platformë kritike për periudhën afër gjysmë shekullore që e kishte rrënuar dhe izoluar vendin Pra, mendoj se elitat u gjendën në një zbrazëti ideologjike, kulturore dhe intelektuale".

Ka qarkullim formal të elitave

Edhe Prof. Ass. Mark Marku, lektor në Shkollën Doktorale të Shkencave të Komunikimit e Informacionit në Universitetin e Tiranës mbështet arsyetimin e ndikimit që ka trashëgimia komuniste në mospasjen e një qarkullimi normal të elitave politike. Ai thotë për DW-në se tranzicioni shumë i gjatë në Shqipëri është tregues për këtë fenomen. "Nuk mund të ketë qarkullim normal të elitave në një vend ku nuk ka funksionim normal të demokracisë dhe ku institucionet nuk janë të konsoliduara. Përderisa partitë nuk bëjnë zgjedhje demokratike brenda rradhëve të tyre, atëherë mos prisni qarkullim normal elitash. Ka qarkullim formal të elitave. Ka ndonjë rast të largimit të politikanëve të vjetër dhe sistemi elektoral po ndikon në këtë drejtim. Kishim më parë largimin e Fatos Nanos, tani kemi rastin e largimit të Sali Berishës nga kreu i PD-së dhe jemi në procesin e zëvendësimit të tij. Na mbetet të shikojmë se sa reale do të jetë kjo".

Të rinjtë në politikë si klonime të lidershipit

Në foto, Valbona Kurti

Në foto, Valbona Kurti

Valbona Kurti, zëvendësdrejtore e Departamentit të Informacionit në televizionin "Vizion Plus", i referohet kuptimit të fjalës elitë, që ajo e zbërthen si një grup individësh me diferencë psikologjike, intelektuale e morale, me një përgatitje profesionale të epërme, krahasur me nivelin e përgjithshëm. Për Kurtin në politikën shqiptare ka mungesë konkurence të ndershme. "Edhe kur shohim të rinj në politikë, për fat të keq ata janë kryesisht klonime të lidershipit. Askush nuk di të thotë për një emër të ri, apo një tjetër, mënyrën sesi u gjend papritur në aksh pozicion, përpos, pëlqyeshmërisë apo interesave që arrin të ngjallë tek kryetari. Kryetarët i trajtojnë forcat politike që drejtojnë si prona të hipotekuara duke penguar hyrjen e njerëzve të rinj. Një mjedis i tillë nuk është terheqes për intelektualë me arritje profesionale. Por është një terren për karaktere të përkulshme, që nuk rrezikojnë liderët, njerëz të gatshëm t'u binden në çdo rrethanë."- thotë ajo për DW-në.

Për Prof. Ass. Agron Tufën nga Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit mungesa e demokracisë së brendshme të partive kryesore vjen në rradhë të parë nga shmangia që lidershipi ju bën problemeve reale më të cilat përballet shoqëria.

Rruga e lehtë për tek pushteti pengon demokratizimin e partive

"Të marrim elitat politike në rradhët e PD-së. Mendoj se i kanë ikur misionit historik që duhej të merrnin mbi vete, si përfaqësues të së djathtës, për t'u marrë seriozisht me plagët e shtresës së të persekutuarve të regjimit kominist. Kanë zvarritur dhe trajtuar shkel e shko problemet e pronarëve të vërtetë, në një kohë që nuk ju falet mosmiratimi ende i një ligji efikas për lustracionin, duke e lënë Shqipërinë si vendin e vetëm ish komunist pa një ligj të tillë".

Elitat politike të së djathtës, vazhdon Tufa, nuk kanë bërë atë që duhet për dekomunistikimin e shoqërisë dhe të simboleve. "Sa i takon elitave të krahut të majtë, ato për shumë kohë kanë qenë afër trashëgimisë komuniste të ish Partisë së Punës. Ata janë treguar alergjikë për të folur për të shkuarën diktatoriale të Shqipërisë dhe kanë bërë rolin refraktar në demokratizimin e vendit. Vetëm në këto dy vitet e fundit, diçka kanë nisur të marrin seriozisht.në rivlerësimin e së shkuarës. Dëshira e të dy krahëve të politikës mendoj se është rruga e lehtë për tek pushteti, mbajtja për një kohë të gjatë e tij dhe përfitime sa më shumë nëpërmjet korrupsionit. Këto janë pengesa thelbësore për demokratizimin e brendshëm të partive kryesore, për qarkullimin e elitave".

Mungon sistemi i vlerësimit të meritave e përgjegjësive

Në foto, Mark Marku

Në foto, Mark Marku

Prof. Ass. Mark Marku, lektor në Shkollën Doktorale të Shkencave të Komunikimit e Informacionit në Universitetin e Tiranës e shikon mungesën e demokracisë së brendshme të partive kryesore tek mungesa e sistemit të vlerësimit të meritave dhe përgjegjësive. "Nëse ka normalitet në karrierë brenda një partie ku në themel është sistemi e vlerësimit të meritave, atëherë kjo ushqen qarkullimin e elitave, nxjerr në pah përgjegjësine e gjithkujt që merr përsipër një detyrë, promovon ata që janë me rezultate konkrete. Kur në testimin e publikut nuk merr mbështetjen e duhur atëherë zëvendësimi është i pashmangshëm, e kjo i hap rrugë qarkullimit normal të elitave. Konkurrenca brenda partive politike duhet të ketë në themel sistemin e vlerësimit të meritave dhe përgjegjësive".

Ndërkohë që Valbona Kurti nga Televizioni "Vizion Plus" mendon se partitë duhet të lejojnë hapjen dhe konkurencën e lirë për karrierën politike. "Kjo nuk mund të bëhet me mentalitete bajraktarizmi, por me presion nga vetë politikanët, media, intelektualët dhe shoqëria. është një proces i gjatë, jo i lehtë, por që prodhon produktin më cilesor".