1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qëndrimet e komisarit Hahn revoltojnë opozitën maqedonase

Komisari i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn në Këshillin Alantik në Uashington ka deklaruar:Nëse kriza politike në Maqedoni nuk zgjidhet, ky vend mund të humbasë rekomandimin për hapjen e bisedimeve me BE.

Sipas Komisarit të BE, Johannes Jahn, në Maqedoni ka një skandal të madh, që askush nuk mund ta injorojë. “Ka mbi 22 mijë inçizime dhe të mos flasim për përmbajtjen e tyre që është diçka tjetër. Ne mendojmë se duhet të ketë një reagim të dyfishtë në gjithë këtë. Njëra është politike dhe për këtë kemi kërkuar që opozita të kthehet në parlament. Ndaj gjithë kësaj situate duhet që të ketë një qasje sipas standardeve evropiane”, ka thënë Hahn.

Sipas tij, Evropa ka përgjegjësi morale që të sigurojë perspektivën evropiane të Maqedonisë në interes të stabilitetit të rajonit. “Jam i vetëdijshëm për krizën në Maqedoni dhe ka pasur bisedime mes opozitës dhe qeverisë për kohën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse është e domosdoshme përgatitja”, ka deklaruar Hahn.

Opozita maqedonase bojkoton takimin e Brukselit

Komisioneri i BE Johannes Hahn gjatë një fjalimi në Uashington ka theksuar se edhe pse zgjedhjet e kaluara adresonin defekte të shumta, ato u vlerësuan përgjithësisht pozitive nga OSBE-ja. Ky vlerësim për zgjedhjet në Maqedoni ka hasur në reagim të ashpër tek opozita maqedonase. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev nuk do të marë pjesë në bisedimet e filluara mes 4 liderëve të partive politike dhe me ndërmjetësimin e euro-komisarit Johannes Hahn, që ishin planifikuar të vazhdonin më 10 qershor në Bruksel. Vendimi radikal i opozitës vjen pas deklaratës së komisarit Hahn të bërë gjatë vizitës në Uashington, ku theksoi se proceset zgjedhore në Maqedoni janë vlerësuar pozitivisht nga misioni mbikëqyrës i OSBE-së. Zaev vlerëson se qëndrimi i tillë i euro-komisarit është i njëanshëm dhe tendencioz, për shkak se edhe OSBE-ja, por edhe bisedat e përgjuara konfirmojnë, se proceset e fundit zgjedhore kanë qenë të manipuluara: “Bëj me dije se nuk do të marr pjesë në mbledhjen e caktuar me eurokomisarin Hahn, më 10 qershor në Bruksel. Deklarata në Uashington e Johannes Hahnit, komisarit për zgjerim të BE-së, përmban elemente tendencioze dhe është e papërshtatshme për periudhën përgatitore, para mbledhjes vendimtare në Bruksel”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Mazedonien Zoran Zaev

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev

Zaev tha gjithashtu se arsye shtesë për të mos marë pjesë në takimin e Brukselit janë edhe veprimet e fundit të Prokurorisë, por edhe dhuna që ishte evidentuar periudhën e fundit, ndaj disa kritikuesve të pushtetit. “Pas bisedimeve më 2 qershor në Shkup, është ngritur një tjetër aktpadi kundër meje për marrje ryshfet, edhe pse padia penale nga policia kundër meje ishte për tentim për marrje ryshfeti. Është bërë diversion i veturës së djalit të Zoran Verushevskit-i akuzuar për përgjimet, janë bërë bastisje të reja në shtëpitë e të paraburgosurve, janë djegur vetura, janë sulmuar kritikët e pushtetit”, ka thënë Zoran Zaev.

Komisioni i BE hedh poshtë mediat pro-qeveritare

Disa media pro-qeveritare në Shkup kanë shtrembëruar deklaratën e komisarit Hahn në Uashington, duke pretenduar në raportimine tyre, sikur komisasri Hahn ka deklaruar që qeveria aktuale do t'i organizojë zgjedhjet e reja, prillin e ardhshëm. Komisioni Evropian reagon duke i kundërshtuar spekulimet. “Komisari nuk ka thënë se qeveria aktuale duhet t'i organizojë zgjedhjet e parakohshme. Komisari Hahn vetëm ka përsëritur atë çfarë u ra dakord në takimin në Shkup. Kjo është se do të ketë zgjedhje të reja në prill 2016, do të ketë një përforcim të rregullave zgjedhore dhe që duhet të identifikohen parregullsitë e zgjedhjeve të mëparshme. Komisioni Evropian do të lehtësojë reformat ligjore dhe se palët kanë treguar gatishmëri që javën e ardhshme të vendosin se kush do ta bëjë organizimin e qeverisë, e cila duhet të përgatisë zgjedhjet”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.