1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qëndrime të qarta të Gjermanisë ndaj Serbisë

"Para se Serbia të anëtarësohet në BE duhet të plotësojë kushtet. Në veçanti i rëndësishëm është normalizimi i raporteve me Kosovën", tha ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle pas takimit me homologun serb Mrkiq.

Ivan Mrkiq dhe Guido Westerwelle

Ivan Mrkiq dhe Guido Westerwelle

Mesazhi i takimit të ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle me homologun e tij serb Ivan Mrkiq, ishte shumë i qartë: Berlini dhe Beogradi duan të kenë raporte të afërta dhe intensive mes tyre. Këtë dëshmon edhe bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik, investimet e mëdha gjermane në Serbi dhe një numër i madh i serbëve që jetojnë në Gjermani.

Përveç marrëdhënieve bilaterale, ndër temat kryesore të takimit Westerwellle - Mrkiq ishin edhe procesi i integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. „Ne biseduam për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe për dialogun me përfaqësuesit e Prishtinës. Kam pasur rastin të tregoj për atë që ka ndodhur deri tani në dialog dhe të shpjegojë qëllimet dhe pritjet tona nga ky dialog", deklaroi Mrkiq.

Parlamenti në Beograd

Parlamenti në Beograd

Westerwelle: Me rëndësi normalizimi i raporteve me Kosovën

Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman theksoi se "vazhdimi i procesit të integrimeve evropiane është i lidhur ngushtë me normalizimin e raporteve të Serbisë me vendet fqinje, në veçanti me Kosovën". Westerwelle theksoi se Berlini pret që të zbatohen në tërësi marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit. "Qëndrimi i Gjermanisë është shumë i qartë: kushtet e domosdoshme për anëtarësimin e Serbisë në BE duhet të plotësohen. Angazhimi konstruktiv i partnerëve në procesin e negociatave është i domosdoshëm", theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Ai shtoi se Serbia ka bërë shumë në rrugën e saj drejt afrimit me Bashkimin Evropian. „Para dy vitesh kam vizituar për herë të parë zyrtarisht Beogradin dhe në atë kohë është folur për kushtet që Serbia duhet të plotësojë nëse do të anëtarësohet në BE. Zbatimi i këtyre kushteve nuk është i lehtë, por Serbia e ka fituar sot statusin e kandidatit për anëtarësim në BE“, theksoi Westerwelle

Vendimet e Hagës dhe dialogu me Prishtinën

Ministri i Jashtëm i Serbisë the se homologun e tij gjerman e ka informuar edhe me reagimet në Serbi pas lirimit të dy gjeneralëve kroatë (Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç) nga Tribunali i Hagës për krime lufte në hapsirnën e ish-Jugosllavisë. Mrkiq nuk deshi të flasë më hollësisht për pritjet lidhur me procesin kundër Ramush Haradinajt, i cili do të përfundojë me 29 nëntor. Megjithatë ai shprehu mendimin se "lirimi i Haradinajt do të mund të influenconte edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit."

Duhet të presim vendimin e pastaj mund të komentojmë. Nëse ndodhë që Haradinaj të lirohet, është e vetkuptueshme që reagimet tona do të jenë shumë të fuqishme", theksoi Mrkiq.