1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qëndrime të kundërta për skemat e financimit të shëndetësisë në Shqipëri

Mazhoranca dhe opozita janë një një mendje për shtimin e fondeve për sektorin shëndetësor, por ndahen në skemën për financimin.

Një nga sfidat më të rëndësishme të mazhorancës së majtë të kryeministrit Edi Rama është përmirësimi i cilësisë së shërbimit shëndetësor. Për rrugët e reformimit ka qasje të ndryshme, listohen prioritete të shumta, ëa bazë të të cilave është mbështetja me fonde nga buxheti i shtetit për të gjithë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor.

Ecja paralele me reformat sistemike dhe masat e shpejta afatshkurtër

Petrit Vasili: duhet të ecet në mënyrë paralele në dy pista.

Petrit Vasili: Duhet të ecet në mënyrë paralele në dy pista.

Deputeti i mazhorancës së majtë, Petrit Vasili, që drejton grupin parlamentar të LSI-së, e njeh këtë sektor, sepse ka qenë për disa vite në postin e ministrit të shëndetësisë. Ai mendon se duhet të ecet në mënyrë paralele në dy pista: së pari, në realizimin e reformave sistemike, të cilat kërkojnë kohë dhe frytet e tyre nuk duken menjëherë tek publiku dhe së dyti, të ndiqen masat e shpejta, afatshkurtra, të cilët perceptohen në një kohë të shkurtër nga njerëzit. Duhet vijuar konsolidimi i sistemit të diagnozës, përfshirë dhe qëndresën tek akreditimi dhe kualifikimi i personelit të angazhuar, thotë Petrit Vasili për DW.

“Në sektorin e shëndetit publik të ruajmë nivelet e larta të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse, sepse dihet që ato janë elementë, që shkaktojnë tronditje në tërë sistemin shëndetësor, si dhe pozicionimi me realizëm në përballimin e problematikave, që kanë të bëjnë me promocionin dhe edukimin shëndetësor. Nuk duhen neglizhuar dhe ato, që quhen masa të drejtëpërdrejta, ku njera prej tyre është ajo, që lidhet me sigurimin e barnave, që niveli i tyre të përballojë kërkesat në sasi, por dhe cilësi sipas standardeve europiane. Për këtë duhen financime më të mëdha, ashtu siç dhe duhet mbështetur me fonde dhe përmirësimi i infrastrukturës”.

Prof. dr. Tritan Shehu, njëri prej eksponentëve kryesorë të opozitës, njëkohësisht dhe ish ministër i Shëndetësisë, e përshkruan sektorin shëndetësor ende në tranzicion. Sipas tij kjo fazë do të quhet e kapërcyer, kur shëndetësia të ecë plotësisht me mendësinë e ekonomisë së tregut. Prof. dr. Shehu gjykon se gjatë këtyre dy dekadave të fundit ka aspekte, ku janë bërë hapa konkretë pozitivë. Por ka dhe aspekte, ku është ecur ngadalë dhe me oshilacione, sikundër përmend dhe aspekte, ku nuk është lëvizuar. Mosrealizmet janë nga mungesa e vullnetit politik, nga perceptimi jo i drejtë, ose nga mungesa e guximit për të bërë reforma të shpejta dhe të thella në system, thotë ai për DW.

“Duhet decentralizim i sistemit të spitaleve, që të rritet konkurrueshmëria mes tyre, që çon automatikisht në përmirësimin e ofertës për qytetarët, por dhe konsiderimi faktik i autonomisë së spitaleve. Këtu kemi ecur ngadalë. Në kujdesin parësor vërtet që janë bërë hapa, por tashmë duhet që me guxim të hyjmë në një proces privatizimi. Unë po marr për ilustrim treguesin e nivelit të sigurimit shëndetësor, që derdhin qytetarët. Në fillim të viteve ‘90 ka qenë 3.4 përqind dhe aktualisht pas 20 viteve është po aq. Sipas mendimit tim, nëse do të ishim në një trend pozitiv, atëherë tani që po flasim ky nivel duhet të ishte 7 deri në 7.5 përqind”.

Fondet për sektorin shëndetësor duhen shtuar

Për sistemin e sigurimeve shëndetësore Petrit Vasili, deputet i mazhorancës, shprehet se nevojitet një marrëveshje e madhe politike, sepse sektori shëndetësor kërkon financime të rëndësishme. Mund të përdoret çfarëdo modeli shëndetësor, por për të gjithë në fund kalkulohet nevoja se sa fonde do të vihen në funksion të sektorit shëndetësor, shpjegon për DW, ish ministri i Shëndetësisë, Vasili.

“Fondi mund të krijohet nga të ardhurat nga taksat e përgjithshme, apo nga derdhjet, që bëjnë qytetarët për sigurimet shëndetësore. Kjo në fund të fundit testohet nga masa e fondeve, që hedh në përdorim, plus dhe aspektet menaxheriale, që kanë efektin e tyre. Çështja është e thjeshtë: a do të kemi sërish rreth 350 milion dollar për sektorin shëndetësor, sa është niveli aktual, apo do të kemi 700 ose 800 milion dollar, që sërish mbetet një kuotë e limituar?”

Shëndetësi falas!? Lidhet me mënyrën e financimit

Prof. dr. Tritan Shehu nga rradhët e opozitës së djathtë mendon se me prishjen e skemës së sigurimeve shëndetësore të majtët në qeverisje po gabojnë. Sipas arsyetimit të tij një nga sfidat është rritja e kontributit për sigurimin shëndetësor.

Tritan Shehu: me prishjen e skemës së sigurimeve shëndetësore të majtët në qeverisje po gabojnë.

Tritan Shehu: Me prishjen e skemës së sigurimeve shëndetësore të majtët në qeverisje po gabojnë.

“Baza duhet të jetë 7.5 përqind dhe gradualisht kjo duhet të shkojë drejt rritjes. Maxhoranca e majtë jo që nuk po ecën drejt kësaj, por ajo kërkon që ta eleminojë skemën e derdhjes së kontributeve për shëndetin. Jam koshient që kjo skemë nuk është në stadin e duhur, por ama duhet të punojmë të përmirësojmë, që të kthehet në efektive.”

Ai thotë se kjo lidhet me spekullimin e qeverisë aktuale për ofrim të shëndetësisë falas. “Ky është një spekullim, sepse është e paevitueshme që qytetari të paguajë për shëndetësinë, qoftë me sistemin aktual, duke paguar direkt sigurimet, qoftë me taksim indirekt. Por nëpërmjet sigurimeve shëndetësore procesi është më transparent, ka natyrë stimuluese dhe përmban konceptin e solidaritetit”.

Për Petrit Vasilin nga mazhoranca termi “mjekësi falas” ka natyrë divulgative dhe që apikohet në ato vende, që preferojnë sistemin universal shëndetësor. “Thelbi është diferenca në mënyrën e financimit të shëndetësisë: ose nga derdhjet e detyrimeve të sigurimeve nga qytetarët, ose nga totali i taksave, që mblidhen, shkëputet një pjesë, që destinohet për sektorin shëndetësor. Pavarësisht kësaj në të gjitha rastet shëndetësia i kushton shoqërisë. Pra në të gjitha format, që mund të aplikosh, shoqëria duhet të paguajë, madje për vëtë gjendjen, që është në Shqipëri, duhet të paguajë shumë.”