1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qëndrime të kundërta për procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti

Ministria e Brendshme e Shqipërisë: Qeveria ka arritur objektivin maksimal për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të indentitetit. PS: Procesi totalisht i dështuar që zhvillohet në një terr informativ.

Zgjedhes para kutive te votimit

Ministria e Brendshme në Tiranë njoftoi shtyrjen e afatit final të aplikimit të qytetarëve për kartat e identitetit

Pajisja e shtetasve me karta identiteti duket si çështja që do të vazhdojë të përcillet me debate e qëndrime të kundërta mes qeverisë dhe opozitës deri në ditën e zgjedhjeve. Ministria e Brendshme në Tiranë njoftoi shtyrjen e afatit final të aplikimit të qytetarëve për këto karta deri në mesjavë. Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Pone, shtyrja e afatit u bë në marrëveshje me kompaninë koncesionare. Kjo thotë ai për DW-në do t'u japë sërish kohë atyre qytetarëve që ende nuk kanë aplikuar.

Punë me orar të zgjatur

"Ne jemi aktualisht me më shumë se 100 stacione aplikimi në të gjithë Shqipërinë. Punojmë me dy turne, nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes. Mbulojmë të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit. Edhe ato më të voglat. Në këtë moment, kjo përbën dhe një tendencë, ka një rënie drastike të numrit të aplikantëve. Sepse shtetas pa pasaportë aktualisht nuk ka më. Për ata që për një arsye, ose një tjetër nuk kanë qënë deri tani të gatshëm për të vajtur, të kemi sa më shumë nga këta. Qoftë 10 mijë, 15 mijë, qoftë dhe 20 mijë. Mirë i bëhet procesit. Këtij procesi që dua ta konsideroj si mjaft të sukseshëm".

Sipas Pones qeveria ka arritur objektivin maksimal për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të indentitetit në shërbim të procesit zgjedhor.

PS: Jashtë procesit do të mbeten rreth 15 përqind e qytetarëve

Por sekretari për çështjet zgjedhore në PS, deputeti Kastriot Islami, e konsideroi procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti si totalisht të dështuar, një proces që sipas tij, po zhvillohet në një terr të plotë informativ. Islami thotë për DW-në se nga Ministria e Brendshme nuk po arrijnë të marrin informata të qarta mbi këtë proces.

"Duhet të sqarojnë publikun shqiptar dhe të gjithë partnerët ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet. Të japin listën e plotë të votuesve dhe të tregojnë: cili nga votuesit ka pasaportë. Cili nga votuesit ka aplikuar dhe e ka marrë kartën e indentitetit. Cili ka aplikuar dhe nuk e ka marrë kartën. Dhe cili nga votuesit nuk ka as pasaportë e as kartë".

Nga vlerësimet tona paraprake, thotë deputeti i opozitës Islami, konstatojmë se rreth 230 deri ne 260 mijë votues pa pasaportë do të mbeten pa aplikuar për kartë. Duke shtuar këtu dhe ata që kanë aplikuar, por që nuk do ta marrin dot kartën atëhere jashtë procesit do të mbeten rreth 15 përqind.

Por zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, tregon evidenca që sipas tij i bëjnë të papranueshme pretendimet e opozitës.

Deri tani, sipas tij, për karta identiteti kanë aplikuar 1 milion e 362 mijë shtetas dhe nga kompania koncesionare janë prodhuar rreth 1 milion e 263 mijë karta. Tashmë janë tërhequr rreth 950 mijë karta. Pone bën dhe një krahasim me zgjedhet e kaluara paralamentare.

"Pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 kanë qënë rreth 1 milion e 360 mijë votues. Pra nisur nga kjo ne e kemi kaluar shifrën. Këta janë të pajisur me karta pa llogaritur ata që kanë dhe pasaporta të rregullta. Pra e kemi kaluar objektivin e pajisjes me këto karta të krenarisë së identifikimit evropian".

Ndërkohë Kastriot Islami, sekretar per çështjet zgjedhore në PS, thotë se opozita është duke e ndjekur nga afër procesin. "Pasi të jenë bërë vlerësimet për situatën reale të pajisjes së shtetasve me karta do të dilet edhe me qëndrimet e duhura politike", u shpreh ai për DW-në.

Autor: Arben Muka
Redaktoi: Pandeli Pani




  • Data 16.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IAd2
  • Data 16.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IAd2