1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qëllohet për vdekje në Tiranë menaxheri i bankës Credins

I qëlluar nga persona të maskuar ndërron jetë Artan Santo, menaxheri i Bankës Credins, njëra prej bankave më të mëdha në Shqipëri.

Burime zyrtare nga policia pohojnë për DW se bankieri 58 vjeçar, Artan Santo, u qëllua sot në mëngjes, me armë zjarri, kur po hynte në zyrën e tij, në qendër të Tiranës, në zonën e njohur si ish-Blloku, ku ndodhet selia qendrore e Bankës Credins. Të njëjtat burime u referohen dëshmitarëve kur pohojnë se dy njerëz të maskuar me motoçikletë qëlluan rreth pesë herë mbi Artan Santon.

Policia e shtetit ka ngritur menjëhertë një grup hetimor për të bërë gjithë veprimet proceduriale, për ta zbardhur ngjarjen e rëndë dhe kapur autorët e saj. Ende nuk ka njoftime, se cilët mund të jenë vrasësit dhe motivet e vrasjes. Policia e shtetit ka vënë një shpërblim 10 mijë Euro për këdo që do të japë informacion lidhur me vrasësit e bankierit. Po kështu është vënë në dispozicion një numër telefoni, ku telefonuesi mbetet anonym, si dhe ka publikuar fotografitë e të dyshuarve , personat personat e maskuar mbi motoçikletë.

Artan Santo, një nga bankierët më të suksesshëm në Shqipëri, ka qënë ish-Drejtor i Bankës së Kursimeve që u ble nga banka austriake Raiffeisen. Banka Credins u themelua nga një grup biznesmenësh shqiptarë dhe nën drejtimin e Santos, që ishte edhe aksioner, arriti të bëhet Banka e katërt më e madhe në Shqipëri. Dy forcat politike më të mëdha në vend, PS në pushtet dhe PD në opozitë e quajtën vrasjen e Santos “ mafioze” dhe apeluan për gjetjen sa më parë të autorëve të saj.