1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndrimi i Merkelit lidhur me Sirinë dhe lufta elektorale

Jeanette Sieffert10 Shtator 2013

Kancelarja e nënshkroi me një ditë vonesë deklaratën e fuqive perëndimore për Sirinë e si rjedhojë atë po e kritikojnë si brenda edhe jashtë vendit. A po kthehet konflikti i Sirisë tani në temë të fushatës elektorale?

https://p.dw.com/p/19eQS
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deri më tani kancelarja dukej se gjithçka po e bënte mirë gjatë fushatës elektorale. Pothujse nuk pati asnjë temë, për të cilën mund ta sulmoje atë me kritika. Por së fundi Angela Merkel për herë të parë i shfaqi kundërshtarit politik një pikë dobët lidhur me krizën e Sirisë. Kryetari i partisë socialdemokrate Sigmar Gabriel e shfrytëzoi këtë shans duke e cilësuar atë si "një dështim të plotë të politikës së jashtme gjermane".

Një nënshkrim i munguar me pasoja

Kancelarja Angela Merkel udhëtoi pas samitit të grupit të vendeve më të industrializuara G-20 pa e nënshkruar deklaratën e SHBA-së për Sirinë, në të cilën ndër të tjera bëhet përgjegjës sundimtari i Sirisë Bashar al-Assad për përdorimin e armëve kimike në vendin e tij. Në këtë moment as Italia e Spanja nuk kishin nënshkruar.

Merkel u ngjit në avion drejt Berlinit - por kur ajo zbriti nga avioni disa orë më vonë, Gjermania papritur mbeti e izoluar, duke qenë kësisoj vendi i vetëm perëndimor, që nuk e kish nënshkruar deklaratën. Vetëm Rusia dhe Kina kanë refuzuar ta nënshkruajnë këtë deklaratë. Tek aleatët perëndimorë fillimisht mbizotëroi një farë çoroditjeje, pastaj habia dhe më në fund edhe indinjata për këtë veprim të mëvetësishëm të Gjrmanisë.

Merkel u përpoq të shpëtojë ç'mund të shpëtohej. Ajo nënshkroi pak orë më vonë dhe e argumentoi vonesën, se donte që të përfshinte edhe shtetet më të vogla të BE-së dhe të kujdesej, që evropianët të ndjekin një linjë të përbashkët. Por shumë e konsideruan këtë deklaratë si të vonuar, që tashmë ka shkaktuar dëm në politikën e jashtme.

Një shans për opozitën?

Rolf Mützenich, zëdhënës i politikës së jashtme i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate
Rolf Mützenich, zëdhënës i politikës së jashtme i grupit parlamentar të partisë socialdemokrateFotografi: DW

Për Rolf Mützenich, zëdhënës i politikës së jashtme i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate, ky është rast për ta sulmuar në përgjithësi politikën e jashtme të kancelares dhe ministrit të saj të jashtëm Westerëelle. Me sa duket shtetet e tjera evropiane në kuadër të samitit të G-20 kanë zhvilluar bisedime me aleatët e përbashkët si SHBA-ja e Kanadaja - pa Gjermaninë. "Kjo tregon, se sa pa influencë është qeveria gjermane ndërkohë në politikën ndërkombëtare. Ai ngre edhe një tjetër akuzë, sepse sipas tij kjo tregoi, që Merkel në të vërtetë e ka garantuar shumë më përpara presidentin e SHBA-së për mbështetjen e saj: "Ndryshe nuk mund ta shpjegoj deklaratën e Obamas, që qeveri të veçanta në biseda private i kanë dhënë atij miratimin - e tani ai pret që ata ta bëjnë këtë edhe publikisht."

Pra Merkel duhet ta ketë siguruar Obaman, se do ta mbështesë një sulm të mundshëm ushtarak dhe më pas duhet të ketë ndryshuar pozicionin? Këtë socialdemokratët nuk mund ta vërtetojnë. Me sa duket qëllimisht opozita ndjek synimin që pak para zgjedhjeve parlamentare të nxisë dyshimet në opionion, se një "jo" e qeverisë ndaj sulmit ushtarak ishte menduar seriozisht.

Mësime nga lufta e Irakut

E shkuara ka treguar, se çështje të politikës së jashtme mund ta influencojnë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Në vitin 2002 bëhej fjalë për pjesëmarjen në luftën e Irakut. Ish-kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder e kundërshtoi këtë prerazi. Angela Merkel, kryetare e partisë kristiandemokrate mbante qëndrimin, se është e gabuar që të përjashtohet opcioni ushtarak. Me këtë ajo mbështetej tek rregullat e diplomacisë klasike në kohë krizash, ndër kancelari Schröder mbështetej tek një shumicë e qartë e popullsisë. Ai i fitoi zgjedhjet.

Josef Janning, politolog
Josef Janning, politologFotografi: DGAP

Po problemi i madh i opozitës është, se kristiandemokratët në rastin e Sirisë nuk kanë një qëndrim aq kontradiktor sa në luftën e Irakut. "Kjo nuk është e përshtatshme për t'u përdorur si një municion në luftën elektorale", konstaton Josef Janning nga Shoqata gjermane për Politikën e Jashtme në intervistë për Deutsche Welle-n. "Qeveria dhe partitë e mëdha në opozitë janë mjaft unike sa i përket qëndrimit gjerman." Ai nuk beson, se socialdemokratët dhe ekologjistët do t'ia dalin të mbledhin pikë kundër Merkelit lidhur me çështjen e Sirisë.

Gjermania prej kohësh jashtë loje?

Politologu Janning madje as nuk ka frikë, se kancelarja me lajthitjen e saj i ka indinjuar seriozisht aleatët perëndimorë. Në raste krizash ndërkombëtare Gjermania gjithësesi ka një rol dytësor, sepse prej kohësh dihet, që shumica e gjermanëve janë kundër aksioneve ushtrake. Ndaj dëmi në politikën e jashtme është i kufizuar: "Shumë do të thonë, Gjermania ndodhet në fushatë elektorale, ndaj s'mund të presësh gjë tjetër", beson Janning. "Lidhur me të tilla çështje nuk pritet ndonjë qëndrim robust nga qeveria gjermane."