1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110209 interview pöttering eu reformvertrag 2

Christian Schütte/DLF11 Shkurt 2009

Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pöttering nuk pret që Gjykata Kushtetuese në Gjermani të marrë vendim kundër Paktit reformues të BE-së.

https://p.dw.com/p/GrcP
Hans-Gert PötteringFotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pöttering është i sigurt se direktivat që përmban pakti janë në harmonizim të plotë me kushtetutën gjermane. Ai nuk ka mirëkuptim për ngritësit e padisë. Reforma e BE-së nuk do ta dobësojë demokracinë, përkundrazi do e forcojë, theksoi politikani i CDU-së për radion gjermane Deutschlandfunk.

DLF: Nëse skepticizmi ndaj Paktit të Lisbonës është me të drejtë apo jo, këtë do e vendosin Gjykatësit në Karlsruhe. Por, Zoti Pötering, a mendoni se parlamentarët gjermanë i zë frika, kur Brukseli merr kaq shumë pushtet?

Pöttering: Ne jetojmë në sistem juridik, dhe në një sistem juridik, kushdo mund të kërkojë të drejtën e vetë, pavarësisht sa e çuditshme mund të jetë kjo në disa raste. Unë nuk kam mirëkuptim për paditësit që kanë hapur proces në Karlsruhe, të cilët janë një përzierje e çuditshme nga njerëz të Partisë së Majtë dhe dy personalitete nga spektri komplet i kundërt politik. Unë mendoj se padija nuk qëndron. Ne kemi nevojë për një demokraci të fortë, për një Evropë dhe këtë e siguron Pakti i Lisbonës.

DLF: Mbetemi në këtë çështjet konkrete. Të drejtat e Parlamentit Evropian do të forcohen me Paktin e Lisbonës. Kjo do të thotë se kompetencat e organizmave të tjerë do të dobësohen. A nuk do të shkojë kjo në kurriz të parlamentit gjerman (Bundestagut), siç thonë paditësit?

Pöttering: Jo, nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë. Deri tani Bundestagu nuk ka dhënë kontributin e vet në përpilimin e ligjeve evropiane. Këtë e ka bërë qeveria federale gjermane dhe qeveritë e landeve gjermane. Kjo do të thotë se parlamentet e veçanta nacionale kanë hequr dorë nga e drejta e vendimmarrjes. Kështu me Paktin e Lisbonës do të forcohet më tepër Parlamenti i Evropës, i cili sot është bërë më i fuqishëm dhe me më shumë influencë. Që tani, pa Paktin e Lisbonës, Parlamenti Evropian ka të drejta të barabarta në nxjerrjen e 75 përqind të ligjeve evropiane me qeveritë e vendeve të veçanta dhe me Paktin e Lisbonës këto të drejta do të rriten deri në 100 për qind.

DLF: Për çfarë ndihmon kjo rritje demokracie, për të cilën flisni ju, kur qytetarët nuk mendojnë se Evropa dhe BE është e rëndësishme?

Pöttering: Natyrisht që kjo përbën një problem për të cilin ne po punojmë, edhe kjo intervistë kërkon të mbërrijë tek njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët dhe qytetaret. Ne jetojmë sot në një botë të komplikuar. Ne ndodhemi para sfidave të ndryshimit të klimës, të krizës bankare, të terrorizmit. Ne kemi probleme të mëdha në politikën e jashtme, nëse keni parasysh Lindjen e Afërme. Të gjitha këto sfida ne mund t`i përballojmë vetëm së bashku. Evropa është mjeti për të gjetur zgjidhjet, dhe unë mendoj se ne evropianët mund t`i prezantojmë vetëm duke qenë se bashku interesat dhe vlerat tona të përbashkëta. Ndarja në shtete te vogla të shekullit të 19-të nuk sjell zgjidhje të problemeve.