1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përleshje të dhunshme në Egjipt

28 Janar 2011

Në shumë qytete egjiptiane kanë demonstruar mijëra njerëz kundër presidentit autoritar që qeveris prej 30 vjetësh Hosni Mubarak.

https://p.dw.com/p/106S0
Protesta në EgjiptFotografi: picture alliance / dpa

Sipas njoftimeve të korrespondentëve në Kajro, Aleksandri dhe në Suez u zhvilluan demonstrata të mëdha. Televizioni arab njoftoi se policia ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës kundër njerëzve të grumbulluar në afërsi të xhamisë së njohur Al-Azhar. Aty kishte folur para demonstruesve politikani reformator dhe mbajtësi i çmimit Nobel për paqe, Mohamed el Baradei.

Televizioni Al Xhazira njoftoi se Baradei u bllokua nga policia. Sipas njoftimeve të tjera, pas pjesëmarrjes në një marshim paqësor proteste, El Baradein e kanë vendosur nën arrest shtëpie. Gjithashtu policia ka arrestuar shumë opozitarë. Edhe të krishterët pritet të dalin në rrugë pas vizitës në kishë.

Agjencitë e lajmeve njoftuan vendosjen e ndalim qarkullimit prej orës 6 pasdite deri në 7 të mëngjesit, për Kajron, Aleksandrinë dhe Suezin.

Sipas të dhënave amerikane, në Egjipt ndërkohë pengohen në mënyrë masive ose janë bllokuar plotësisht shumë shërbime interneti. Njësitë e policisë janë vendosur në sheshe strategjike në Kajro dhe qytete të tjera të vendit. Që prej fillimit të protestave kanë humbur jetën të paktën shtatë vetë.

Mohamed El Baradei mbërrin në Kairo
Mohamed El Baradei mbërrin në KairoFotografi: AP

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle i bëri sërish thirrje qeverisë egjiptiane të heqë dorë nga dhuna ndaj demonstruesve. Liria e demonstrimit duhet respektuar, tha Westerwelle në kanalin e dytë televiziv gjerman, ZDF.

Mubarak - aleat i rëndësishëm i SHBA

Presidenti i SHBA-së Barack Obama ka theksuar rëndësinë politike dhe ekonomike të reformave në Egjipt. Ai i ka kërkuar vazhdimisht këto reforma nga presidenti Hosni Mubarak, tha Obama. "Dhuna nuk është përgjigja për zgjidhjen e problemeve në Egjipt. Qeveria egjiptiane duhet të tregohet e kujdesshme të mos përdorë dhunë dhe kjo vlen edhe për njerëzit në rrugë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit zë kenë mekanizma në mënyrë që të shprehin shqetësimet e tyre legjitime." - tha Obama.

Njëkohësisht ai vuri në dukje se Mubaraku është një aleat i ngushtë dhe i rëndësishëm i SHBA-së dhe një partner në procesin arabo-izraelit të paqes.

Autor: DW/ Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama