1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190710 D Afghanistan-Politik

19 Korrik 2010

Të martën zhvillohet në Kabul konferenca ndërkombëtare për Afganistanin, ku do të diskutohen përparimet dhe disfatat në arritjen e paqes dhe rindërtimin e Afganistanit. Konferenca e fundit u zhvillua në Londër në janar.

https://p.dw.com/p/OOhb
Ushtarë gjermanë në AfganistanFotografi: AP

Në gjysmën e parë të vitit politika e Afganistanit ishte tema më problematike e politikës së jashtme të qeverisë gjermane. Gjendja e sigurisë u përkeqësua më tej, shtatë ushtarë gjermanë humbën jetën, tashmë edhe zyrtarisht flitet për "luftë". Kancelarja gjermane siguroi në deklaratën e saj para Bundestagut se ajo "nuk zbukuron asgjë" për Afganistanin.

Merkel Afghanistan Berlin Afghanistan Soldaten
Kancelarja gjermane Merkel (CDU) duke folur për angazhimin gjerman në Afganistan (26. 01.2010) në Berlin.Fotografi: picture alliance/dpa

"Që ushtaret dhe ushtarët tanë atë, qö përjetojnë përditë në Afganistan, e quajnë luftë civile, apo thjesht luftë, këtë unë e kuptoj shumë mirë. Kush ka përditë frikën se po bie në ndonjë grackë, apo po bëhet pre e sulmeve me armë, ai nuk mendon për nocione juridike."

Për vite me radhë qeveria gjermane ka paraqitur në opinionin publik imazhin e një misioni stabilizimi të suksesshëm. Pas konferencës së Londrës në janar 2010, ku u bënë të dukshme deficitet në këtë drejtim, vlerësimi i Merkelit u bë më realist se më parë:

"Rreth tetë vjet pas fillimit të misionit duhet të konstatojmë - këtë e them edhe me sens vetëkritik dhe pa kalim faji askund - ka pasur disa suksese, por ka pasur shumë dështime dhe qëllimet tona ka qenë pjesërisht shumë jorealiste, madje edhe të gabuara."

Dossierbild 3 Afghanistan Konferenz
Presidenti afgan, Hamid Karzai, në konferncën për Afghanistanin, 28 01.2010Fotografi: picture alliance / dpa

I gabuar ka qenë përfytyrimi që talebanët mund të mundeshin me fuqinë ushtarake. Megjithëse në Afganistan ndodhen më shumë se kurrë më parë ushtarë të NATO-s, rajone të tëra të këtij vendi zotërohen nga talebanët.

Politikani i SPD-s në opozitë, përgjegjës për politikën e jashtme, Gernot Erler, kujton se qershori me 102 të vdekur ka qenë për NATO-n muaji me më shumë humbje që nga fillimi i misionit:

"Luftimi i kryengritjes sipas një metode të re filloi me operacionin "Mushtarak" në shkurt dhe çoi në vënien nën kontroll nga forcat e NATO-s të një rajoni të quajtur Marjah. Pas kësaj duhej të zhvillohej një ofensivë për rimarrjen e Kandaharit. Kjo është shtyrë për një kohë të pacaktuar."

Tashmë duhen provuar rrugë të tjera. Presidenti Hamid Karzai po kërkon pajtimin me talebanët dhe po kërkon heqjen e 50 emrave nga lista e terrorit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bashkësia ndërkombëtare është skeptike. Përveç kësaj përmes programit të kthimit synohet që të fitohen bashkëpunëtorët e talebanëve që të dorëzojnë armët.

Afghanistan Deutschland Vier deutsche Soldaten in Afghanistan getötet
Ushtarë gjermanë në Afganistan në KundusFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, mendon se riintegrimi i talebanëve është "i drejtë" dhe i arsyeshëm".

"Në thelb në konferencën e Londrës kemi vendosur për një program, me të cilin synohet të rikthehen në shoqëri normale luftëtarët talebanë. Këtë program do ta analizojmë në Kabul dhe do të vendosim për dhënien e fondeve, që Gjermania ka parashikuar."

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle pret nga konferenca e Kabulit propozime konkrete, se si duhet të luftojë korrupsionin qeveria afgane dhe si do të përmirësohet aftësia qeverisëse. Kur do të marrë qeveria afgane përgjegjësinë për vendin e saj, kjo nuk dihet ende. Ndryshe nga vendet e tjera, qeveria gjermane nuk ka përmendur ndonjë datë për tërheqjen e 4.500 ushtarëve të Bundesverit, por përmend vetëm fillimin e tërheqjes nga Afganistani në vitin e ardhshëm.

Autor: Nina Werkhäsuer/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica