1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pyetje dhe përgjigje për situatën në Irak

Luftëtarë të ISIS pushtuan në Irak qytete me rëndësi qendrore. Kjo zgjon frikën se i gjithë vendi mund të copëtohet nga një luftë e përgjakshme civile. Një vështrim për aktorët dhe perspektivat.

default

Luftëtarë të ISIS në Mosul

1. Çfarë është ISIS?

Grupi sunit terrorist "Shteti Islamik në Irak dhe Siri" (ISIS) është krijuar prej grupeve të ndryshme ekstremiste. Të gjitha ato patën luftuar kundër pushtimit prej SHBA të Irakut dhe kundër qeverisë në Bagdad. ISIS është shkëpur nga rrjeti terrorist i Al-Kaidas, duke iu kundërvënë më 2013 udhëzimeve të Al Kaidas. Luftëtarë të ISIS kontrollojnë në Siri dhe në Perëndim dhe Veri të Irakut sipërfaqe të gjera.Synimi i tyre është ngritja e një shteti midis Mesdheut dhe Tigris, ku të sundojë një kuptim shumë rigoroz i fesë islame.

2. Pse duket kaq e pafuqishme qeveria e Irakut ndaj ISIS?

Qeveria irakiane nën kryeministrin Nuri al Maliki fillimisht nuk ishte në gjendje ta ndalonte përparimin e shpejtë të ISIS. Për këtë, sipas vlerësimit të Falko Walde, ekspert për Irakun në Fondacionin Friedrich Naumann ka një sërë shkaqesh: nga njëra anë ISIS përfiton nga kufiri i hapur mjaft me Sirinë. Organizata aktive në të dyja vendet transporton kështu armë e luftëtarë. Kryeministri i Irakut, Al -Maliki, që prej rizgjedhjes në prill ende kërkon partnerë për koalicion qeveritar. Por më të rëndësishmet janë tensionet midis minoritetit sunit dhe shumicës shiite. Shumë sunitë në Irak ndihen të anashkaluar.

3. Çfarë rëndësie ka marrja e Mosulit?

Me marrjen e Mosulit, xhihadistët kontrollojnë për herë të parë një qytet irakian prej miliona banorësh. Ky është një sukses i madh psikologjik, mendon Walde. Por Mosuli ka edhe rëndësi ekonomike dhe gjeografike. Ai është një rrugë e rëndësishme e eksportit për naftën dhe një pikë kyçe në rrugën drejt Sirisë, thotë eksperti i Fondacionit Nauman

4. A do të shpërbëhet Iraku?

Zyrtarisht qeveria qendrore e Bagdadit sundon mbi të gjitha pjesët e vendit. Por shpërbërja faktike e Irakut nën arabët sunitë dhe shiitë dhe me kurdët ka avancuar mjaft. "Ekziston një rrezik real që Iraku të shpërbëhet", thotë specialistja e Irakut, Myriam Benraad, nga Këshilli Evropian për marrëdhëniet me jashtë. Konflikti do të zgjasë mjaft dhe do të jetë shumë i përgjakshëm, thotë ajo.