1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin synon normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-në

16 Qershor 2017

Presidenti rus Vladimir Putin synon normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-në, por nga Senati amerikan vjen një përgjigje tjetër.

https://p.dw.com/p/2emGy
Russland TV Der direkte Draht zu Putin
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik/M. Klimentyev

"Ne nuk e shohim SHBA-në si armike," tha Presidenti rus Vladimir Putin  në Moskë, në një nga takimet e tij tradicionale televizive me qytetarët në emisionin "Linja direkte". Pa bashkëpunim konstruktiv me Uashingtonin nuk është e mundur asnjë zgjidhje në konfliktin në Siri, tha p.sh. Putini. Rusia dhe SHBA-ja mund të bashkëpunojnë në fushën e kontrollit të armëve, tha Putini më tej. Në të njëjtën kohë, shefi i Kremlinit kritikoi gjatë këtij emisioni televiziv disaorësh qëndrimin antirus të mediave amerikane, të cilat raportojnë për Rusinë në mënyrë gjithnjë e më armiqësore .

Azil për Comey-n në Rusi

Ish-drejtorit të FBI-së James Comey Putini i ofroi azil në Rusi. Sjellja e Comey-t në aferën me Rusinë nuk ndryshon nga ajo e Edward Snowden-it, tha ai. "Në këtë rast ai nuk është kreu i FBI-së, por një mbrojtës i të drejtave të njeriut." Comey dëshmoi javën e kaluar para Komisionit për Shërbimet Sekrete në Senatin amerikan. Shërbimet sekrete amerikane janë të bindura se Moska është përpjekur në mënyrë aktive që të ndikonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në favor të Donald Trumpit. Kremlini dhe Trumpi e mohojnë këtë. Comey u shkarkua nga detyra prej Trumpit pasi ai kishte nisur të shqyrtonte kontaktet e mundshme me autoritetet ruse.

Russland TV Der direkte Draht zu Putin
Vladimir Putini gjatë emisionit televiziv "Linja direkte"Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Sputnik/Alexei Druzhinin

Putini foli edhe për sanksionet ekonomike të vendosura nga ana e SHBA-së dhe e Bashkimit Evropian për shkak të konfliktit me Ukrainën. Rusia reagoi ndaj tyre me ndalimin e importeve të produkteve të qumështit, të frutave dhe të perimeve nga BE-ja. Putini tha do t'i shfuqizonte menjëherë këto kundërmasa nëse Uashingtoni dhe Brukseli heqin sanksionet.

Senati i SHBA-së dëshiron ta ndëshkojë Rusinë

Por për një gjë të tillë tani për tani s'mund të bëher fjalë. Përkundrazi, me një shumicë dërrmuese Senati amerikan votoi në favor të sanksioneve të reja kundër Rusisë. Me 97 vota pro dhe dy kundër Senati votoi një paketë ligjesh, që e ndalojnë presidentin Donald Trump që të shfuqizojë ose lehtësojë pa pëlqimin e Kongresit sanksionet ndaj Moskës. Kjo paketë duhet të kalojë edhe Dhomën e Përfaqësuesve dhe të nënshkruhet edhe nga Trumpi.

Sipas senatorëve Rusia duhet të vazhdojë të ndëshkohet për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane, aneksimin e gadishullit të Krimesë dhe mbështetjen e qeverisë në Damask në luftën civile siriane. Senati votoi për t'u dhënë forcën e plotë të ligjit sanksioneve kundër Rusisë, që kishte miratuar paraardhësi i Trumpit Barack Obama. Sanksionet ishin një nga aktet e fundit të Obamës si president amerikan, i cili urdhëroi në fund të dhjetorit ndër të tjera, edhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë.

Vendimi i Senatit të SHBA-së shkaktoi pasiguri të mëdha në bursën e Moskës.

 

 

pp/la(afp, dpa, ap)