1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Putini shpall tërheqjen e trupave nga kufiri me Ukrainën

Një sinjal shtensionimi? Shefi i Kremlinit, Putin, sipas të dhënave të tij do t'i kthejë trupat ruse nga kufiri me Ukrainën në kazerma. NATO deri tani nuk sheh shenja tërheqjeje.

Një javë para zgjedhjeve të planifikuara në Ukrainë, Rusia bën përpjekje që të mos e tensionojë edhe më tej konfliktin. Pas kritikave ndërkombëtare për përqendrimin e trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, shefi i Kremlinit, Vladimir Putin shpalli sërish se do t'i tërheqë trupat ruse. Manovrat e pranverës në sheshet e manovrave të rajoneve kufitare Brjansk, Rostov buzë Donit dhe Belgorod kanë përfunduar, bëri të ditur ai. Njëkohësisht ai bëri thirrje për dialog: dhuna duhet të marrë fund, në mënyrë që kriza të mund të zgjidhet në mënyrë paqësore. NATO-ja, sipas sekretarit të përgjithshëm të saj, Anders Fogh Rasmussen nuk ka "kurrfarë dëshmish" për një tërheqje të trupave ruse.

Kievi pranon probleme të rënda

Qeveria tranzitore ukrainase ka pranuar ndërkohë që zgjedhjet e planifikuara presidenciale më 25 maj, për shkak të gjendjes së paqetë nuk mund të zhvillohen në të gjithë vendin. Në shumë pjesë të rajoneve të Ukrainës Lindore Donetsk dhe Luhansk nuk është i mundur votimi, tha ministri i Brendshëm, Arsen Avakov. Ai i akuzoi trupat proruse se sulmojnë komisionet zgjedhore dhe i rrëmbejnë anëtarët e komisioneve. Njëkohësisht, ministri ritheksoi se zgjedhjet do të zhvillohen "me çdo kusht", edhe në disa rajone të Donetskut dhe Luhanskut.

Separatistët duan të themelojnë "Rusinë e re"

Megjithë zgjedhjet e planifikuara dhe pavarësisht nga të gjitha përpjekjet për ndërmjetësim, forcat proruse në Ukrainën Lindore vazhdojnë ta avancojnë shkëputjen nga Kievi. Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale nuk do të njihen nga "Republikat popullore" të Donetskut dhe Luhanskut, tha "guvernatori" i vetëemëruar, Pavel Gubarev në televizionin shtetëror rus. Me qeverinë ukrainase, e cila vazhdon "operacionin e saj antiterror" nuk ka bazë për negociata. Objektivi është themelimi i një shteti me emrin "Novorosija" (Rusia e re), tha Gubarevi. Që të nisë dialogu duhet të japë dorëheqjen qeveria e mbështetur nga SHBA dhe BE.

Baltikum NATO Militärübung

Manovra ushtarake të NATO-s

Rusia kërkon lirimin e gazetarëve

Rusia i kërkoi ndërkohë udhëheqjes ukrainase që të lirojë menjëherë dy gazetarë moskovitë të arrestuar. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov i bëri thirrje Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që t'i bëjë presion udhëheqjes së Kievit, në mënyrë që reporterët të lirohen, bëri të ditur ministria në Moskë.

Trupat qeveritare ukrainase e konfirmuan arrestimin dhe i akuzuan të dy gazetarët e stacionit televiziv besnik ndaj Kremlinit, Lifenews, se kanë shoqëruar separatistë prorusë militantë. Gazetarët kishin dashur t'i filmonin luftëtarët në sulmin ndaj një aerodromi pranë qytetit Kramatorsk. Edhe trupat militante proruse mbajnë të arrestuar shumë gazetarë ukrainas.