1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

'Putini nuk ka asgjë për t'i ofruar Evropës Lindore'

Putini është i fiksuar tek arritja e një "barazie" me SHBA-në dhe ka si qëllim zgjerim të hapësirës natyrore perandorake dhe kuadrin e Rusisë "mijëvjeçare". Gerd Koenen për Putinin dhe ish-BS.

Shpesh thuhet se Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet "të rikrijojë Bashkimin Sovjetik". Në të njëjtën kohë në Rusi vihet re një nacionalizëm i ri rus në rritje. Por sipas mendimit të Gerd Koenen, gazetar dhe historian, Putini nuk dëshiron të "rivendosë BRSS-në", sepse a nuk ka nostalgji as për socializmin dhe as për "internacionalizmin socialist". Sipas Putinit "katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit 20", siç e quan ai kolapsin e Bashkimit Sovjetik, ishte vetëm dobësimi i Rusisë. BRSS-në ai i konsideron si një zgjerim të hapësirës natyrore perandorake dhe kuadrin e Rusisë "mijëvjeçare". Në deklarën e tij të vitit 2005 me rastin e marrjes së pushtetit ai tha se qëllimi i tij ishte të ndiqte rrugën e "mbledhjes së territoreve ruse" si quheshin në të terminologjinë e mitologjisë së vjetër perandorake ruse.

Gerd Koenen

Gerd Koenen

Gerd Koenen, fusha kryesore e studimeve të të cilit janë marrëdhëniet gjermano-ruse në shekullin XX dhe historia e komunizmit, thotë se Putini përbën një kombinim eklektik mes carit dhe Stalinit. Shumë rusë e vënë re këtë dhe kjo i lehtëson, sepse ka një nevojë të madhe për të ribashkuar në kujtesën historike, ato që në historinë e vërtetë të Rusisë sovjetike kanë qenë të ndara në mënyrë radikale dhe vdekjeprurëse, pra Stalini dhe carit, të bardhët dhe të kuqët, xhelatët dhe viktimat , ateistët dhe priftërinjtë, etj. Kjo është e kuptueshme dhe në një mënyrë edhe e nevojshme dhe e arsyeshme. Fatale është kur kjo gjë bëhet prej autoriteteve publike të ideologjisë dhe nga vetë Putin që si mësues suprem i kombit përpiqet të harmonizojë çdo gjë. Ky kitsch patriotik dhe vetëidealizimi përgatisin terrenin për përfytyrimin e Rusisë së madhe që ecën nga fitorja në fitore në mes të një bote me armiq ziliqarë, të cilëve ajo u ka rezistuar vazhdimisht heroikisht.

Fiksime pa bazë

Problemi është se Putini është i fiksuar tek një "paritet" me SHBA-në dhe ky qëndrim qe edhe një nga shkaqet se pse u rrënua edhe BRSS-ja, e cila nga pikëpamja social-ekonomike kishte një shtrirje të gjerë, thotë Gerd Koenen. Vërtet që evropianët dhe SHBA janë të bashkuar në NATO, kurse Traktati i Varshavës është shpërbërë, por ata që thonë se NATO po e rrethon Rusinë, mjafton të shikojë hartën dhe e kupton që kjo është marrëzi. Edhe deklaratat e Kremlinit se në Ukrainën lindore tani vendi gjendet përballë trupave të NATO-s është manipulim i popullsisë ruse, thotë Koenen.

Politika e tanishme e qeverisë së Rusisë është vazhdim i politikës së vetëizolimit dhe tensionimit global, prej së cilët erdhi kryesisht edhe kolapsi i ish-BRSS-së, mendon Koenen. Edhe lojërat gjeostrategjike me vendet baltike, sikur ato kanë rëndësi të madhe strategjike për Rusinë apo kundërshtarët e saj lidhen me një shpërfytyrim të persektivës. Këto vende i aneksuan në vitin 1940 nga Stalini (si sot Krimeja) dhe u bënë të pavarura në vitin 1991. Ato janë anëtare të NATO-s, por aty nuk ka baza dhe trupa të NATO-s.

Rrezik për Evropën Lindore dhe Juglindore?

Po për vendet e ish-Bllokut Lindor, a ka rreziqe? Sipas Gerd Koenen Putini dhe këshilltarët e tij nuk duket se kanë ndonjë strategji të madhe dhe koherente për vene të tilla si Rumania, Bullgaria, Polonia apo vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore. Ka vetëm përpjekje të përsëritura vazhdimisht për të gjetur ndonjë shteg dhe për të nxitur disa grupe interesi, parti politike, nostalgjikë apo të frustruar. "Unë nuk shoh ndonjë gjë aq të madhe që mund t'u ofrojë Rusia këtyre vendeve. Sigurisht mund të bëhen përpjekje për të tërhequr pjesë të elitës politike, apo të vendosur lidhjet e lashta të ortodokssisë, si në Moldavi, Bullgari, Serbi apo Greqi. Por Moska nuk është në gjendje ta "shpëtojë" Greqinë nga falimentimi kombëtar dhe ta tërheqë përherë në orbitën e saj.

Fituese është - Kina!

Ka përpjekje mjaft intensive për të krijuar një rrjet të majtistëve të vjetër dhe grupeve të të djathtëve të rinj, platforma, media, etj, dhe një projekt fantazmë si "Eurasia", si një alternativë për lidhjet transatlantike në Evropë. Por si politikë kjo është e gjitha në një masë të madhe shkatërruese dhe më shumë në ajër dhe pa bazë. Madje që sot mund të thuhet se në aspektin e orientimeve euroaziatike të Rusisë dhe përfshirjen e saj në luftën e Ukrainës, fituese është Kina, mendon Gerd Koenen.