1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini- Njeriu i vitit

Shtefan Lak 21 Dhjetor 2007

Redaktorët e revistës TIME e vlerësojnë Vladimir Putinin si njeriun që pati ndikimin më të madh në ngjarjet e vitit që po përfundon, pavarësisht nëse ky ndikim ishte për mirë apo për keq.

https://p.dw.com/p/Cehi
Time Magazine 19 dhjetor 2007
Time Magazine 19 dhjetor 2007

Dhe prandaj ata e kurorëzuan presidentin e Rusisë si "Njeriun e vitit 2007". Kjo zgjedhje duhet ta kishte zbutur presidentin rus. Por në vend të kësaj, ai e mori këtë si shkas për të artikuluar kritika ndaj qeverisë së SHBA-ve.

Në një intervistë me revistën amerikane Time-Magazine, e cila e kishte zgjedhur Putinin personin më të rëndësishëm të vitit që po përfundon, Vladimir Putini i akuzoi SHBA se kërkojnë thjesht vasalë dhe se nuk janë të interesuara për një partneritet të vërtetë.

Time magazine, 19 dhjetor 2007
Time magazine, 19 dhjetor 2007Fotografi: AP

Putini vërtet pranoi se ka një partner të besueshëm te presidenti amerikan, Xhorxh Bush. Por njëkohësisht ai u tregua i zhgënjyer që përpjekjet e 15 viteve të fundit të Rusisë për të ndërtuar një miqësi të barabartë me SHBA, nuk kanë gjetur terren të përshtatshëm. "Në 15 vitet e fundit neve na kanë thënë se jemi të mirëpritur në bashkësinë e civilizuar perëndimore. Por së pari, pse besoni se civilizimi juaj perëndimor është më i miri? Ka civilizime shumë më të vjetra se ai amerikan. Së dyti, neve na pëshpërisin në vesh: "ne jemi të gatshëm t'ju pranojmë në bashkësinë tonë, por mos harroni, se ne jemi një familje patriarkale dhe këtu jemi ne më të vjetrit - pra duhet të merrni një vend të nënshtruar."

Vladimir Putin, duke mbajtur fjalim në Moskë
Vladimir Putin, duke mbajtur fjalim në MoskëFotografi: AP

Së fundi, Moska u përball me kritika ndërkombëtare, sepse zgjedhjet parlamentare në fillim të muajit nuk u kryen në bazë të standarteve demokratike. Pati një sërë përpjekjesh për manipulim, barazia në zgjedhje e partive nuk qe e garantuar. Kremlini u tregua hatërmbetur përballë kritikës që erdhi nga perëndimi. Gati i nevrikosur iu përgjigj Putini pyetjes së Time-Magazine se cilin do të dëshironte ai si president të ardhshëm të SHBA: "E shoh, që nuk keni kuptuar asgjë. Parimi i punës sonë mbështetet në atë që ne e konsiderojmë të dëmshme përzierjen në punët e të tjerëve. Ne nuk lejojmë të përzihemi në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe kjo vlen edhe për shtete të tjera. Ju nuk keni kuptuar asgjë."

Zgjedhja e Putinit si njeriu i vitit gjeti megjithatë një jehohë pozitive në Kremlin. Zëdhënësi Dmitri Peskov shprehu shpresën se kjo mund të kontribuojë në një kuptim më të mirë të Rusisë moderne. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur vetëm se Putini është një personalitet magjepsës. Revista Time e vlerësoi Putinin që përfaqëson stabilitetin në Rusi dhe që e ktheu vendin sërish në tryezën e fuqive botërore, edhe nëse e bëri këtë në kurriz të parimeve të botës së lirë. Katër shefa të tjerë të Kremlinit janë zgjedhur më parë "njerëz të vitit": dy herë Jozef Stalin, pastaj Nikita Hrushovi, Juri Andropovi dhe Mihail Gorbacovi.