1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Putini në Beograd

Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin me bashëpunëtorë të tij vizitoi Beogradin ku u takua me presidentin e Serbisë Boris Tadiq dhe autoritete të tjera të Serbisë. Temat ishin bashkëpunimi ekonomik, Kosova dhe Libia.

default

Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin takohet me presidentin serb, Boris Tadiq

"Rusia mbështet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe shpreson që udhëheqja serbe ta përfundojë me sukses këtë proces," theksoi kryeministri rus Vlladimir Putin pas takimit në Beograd me presidentin serb Boris Tadiq dhe autoritetet e tjera serbe. Sipas tij, "është e drejtë sovrane e popullit serb që të drejtojë punët e veta brenda vendit të vet".

Dialogu Serbi- Kosovë

"Çdo dialog është më i mirë se konflikti. Rusia ka qenë dhe mbetet aleate e Serbisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së", theksoi Putin. Presidenti serb Boris Tadiq falënderoi në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Putin, Rusinë për siç tha ai "mbështetjen në përpjekjet e Beogradit për të ruajtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë".

Flash-Galerie Putin und Boris Tadic in Belgrad

Vladimir Putin dhe Boris Tadiq

Tadiq tha se Beogradi kërkon zbardhjen e plotë të akuzave të paraqitura në raportin e Dick Martyt, i cili fajëson disa prej krerëve të ish - Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me kryeministrin e tanishëm Hashim Thaçi, për përzierje në krime dhe shitjen e organeve njerëzore. "Trafiku me organe njerëzore është një çështje shumë e rëndësishme për Serbinë," theksoi Tadiq, duke shtuar se duhet të hetohen edhe krimet e tjera me qëllim që të krijohen kushtet për pajtim mes popujve në këtë rajon.

"Interesi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por Beogradi kurrë nuk do të harrojë raportet miqësore me Rusinë", theksoi Tadiq.

Serbia në BE

Kryeministri rus tha se Moska nuk është e brengosur për shkak të kërkesës së Serbisë që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Por ajo "me vëmendje do të përcjellë procesin e integrimit të Serbisë në BE, me qëllim që të mos dëmtohen raportet ruso-serbe". Putin dhe Tadiq konfirmuan se Serbia do të jetë pjesë e projektit rus "South Stream" për transferimin e gazit nga Rusia në vendet tjera të Evropës.

Tadiq dhe Putin kanë biseduar edhe për gjendjen në Libi, pas fillimit të bombardimeve kundër forcave të pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi. Ata kërkuan që të kihet kujdes që gjatë këtyre operacioneve të mos dëmtohet popullata civile, por theksuan se këto bombardime nuk mund të krahasohen me ato të vitit 1999 kundër Serbisë gjatë luftës së Kosovës. Rusia është e shqetësuar nga shpjetësia e marrjes së vendimeve për bombardime gjatë viteve të fundit, tha Putin. Ndërsa Tadiq u angazhua për vendosjen sa më të shpjetë të paqes në këtë rajon.

NO FLASH Putin und Boris Tadic in Belgrad

Vladimir Putin dhe Boris Tadiq

Bashkëpunimi ekonomik

Kryeministri rus është takuar në Beograd edhe me homologun e tij serb Mirko Cvetkoviq dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë dhe politikë. Së bashku me Putinin në Beograd kanë udhëtuar edhe ministri për Situata të Jashtëzakonshme Sergej Shojgu, ministri i Komunikacionit Igor Levitin dhe ai i Energjetikës Sergej Shmatko.

Palët kanë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim në sektorin e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit. Pala ruse ka kërkuar shpjegime edhe për projektet e pafilluara ende në infrastrukturë, për të cilat Rusia i ka dhënë Serbisë kredi në vlerë prej 800 milionë dollarësh. Por deri tani nuk përgjigja serbe nuk është bërë publike. Bisedimet politike të kryeministrit rus kanë përfunduar me një takim me përfaqësuesit e partive parlamentare, ndërsa vizita njëditore ka përfunduar me pas një ndeshje futbolli mes të rinjve të ekipeve Crvena Zvezda dhe Zenit. Ishte kjo vizita e parë e Putinit në Beograd prej marrjes së postit të kryeministrit. Më parë ai ka qenë në Beograd si president në vitin 2001.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 23.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10gMz
  • Data 23.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10gMz