1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Putini i quan sanksionet "formë të maskuar" proteksionizmi

Në prag të takimit të G-20-ës, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka ritheksuar zemërimin e tij për sanksionet kundër Moskës. Në një një gazetë gjermane ai paralajmëroi që barrierat tregtare po kthehen në normale.

Në një artikull të botuar në numrin e së enjtes të gazetës gjermane të biznesit, Handelsblatt, Putini kritikoi sanksionet "me motive politike", duke i përshkruar ato si një formë të fshehtë të proteksionizmit tregtar.

Ai thotë se barrierat ekonomike po përhapen gjerësisht dhe po kthehen në një normë sjelljeje. "Sanksionet e vendosura në mënyrë të njëanshme dhe të motivuara politikisht për investimet, tregtinë dhe në veçanti, transferimi i teknologjisë janë kthyer në formën e fshehur të tyre."

Lideri rus thotë në artikullin e botuar si i ftuar i gazetës se sanksionet, jo vetëm që nuk do të çojnë askund, por ato janë "edhe në kontradiktë me parimet e G20-ës" për të punuar së bashku në interes të të gjitha vendeve.

"Unë jam i bindur se vetëm marrëdhëniet e hapura të tregtisë së lirë, të bazuara në norma dhe standarde të njësuara mund të nxisin rritjen e ekonomisë botërore dhe të mbështesin përmirësimin e marrëdhënieve midis shteteve", shtoi Putini.

Është planifikuar edhe që në kuadër të takimit të G20-ës, Putini të takohet me Presidentin e SHBA, Donald Trump. BE dhe SHBA kanë vendosur një sërë sanksionesh kundër Rusisë pas aneksimit prej saj të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetjes së Rusisë për separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore. Moska është përgjigjur me masa të saj, duke përfshirë ndalimin e importimit të ushqimeve perëndimore.

Muajin e kaluar, Uashingtoni shtoi 38 individë dhe sipërmarrje në listën e tij të sanksioneve, duke bërë që Rusia të anulonte një takim me diplomatë amerikanë të nivelit të lartë. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov paralajmëroi se masat e reja "kërcënojnë seriozisht të gjithë marrëdhënien" midis Moskës dhe Uashingtonit.

Gjermania së fundi e kritikoi ashpërsimin e sanksioneve kundër Rusisë. Kancelarja Angela Merkel e karakterizoi të çuditshëm raundin e fundit të masave kufizuese amerikane. Më parë, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i pati kritikuar si "egoiste" sanksionet e reja amerikane. Ai kritikoi faktin se ato u vendosën pa konsultime paraprake me partnerët evropianë. Prej sanksioneve të reja mund të preken edhe firma evropiane, të cilat bashkëpunojnë me ato ruse.