1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Putini i kthen kurrizin Perëndimit

Me 1 Qershor Vladimir Putini viziton Gjermaninë. Por që tani duket se Europa e SHBA po e humbasin rëndësinë e tyre për presidentin rus. Ai synon t'i kushtojë më shumë vemendje rajoneve të tjera.

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Fakti, që presidenti rus Vladimir Putini viziton kancelaren gjermane Angela Merkel në 1 Qershor në Berlin, thekson rolin e rëndësishëm të Gjermanisë për politikën e jashtme ruse. Por qeveria gjermane nuk duhet të mendojë se politika e jashtme e Putinit do të vazhdojë thjesht politikën e Medvedevit apo atë të tij në vitin 2008. Për kreun e ri të Kremlinit rëndësia e Perëndimit dhe Evropës do të bjerë në vitet e ardhshme.

Europa më e rëndësishme se SHBA

Evropa dhe sidomos Gjermania janë ende pika kryesore referimi për ekonominë ruse. Së fundi nga perspektiva ruse, BE është partneri më i rëndësishëm tregtar. Prandaj Putini viziton më 1 Qershor jo vetëm kancelaren në Berlin, por edhe presidentin e ri francez Hollande në Paris. Dhe dy ditë më vonë, më 3 dhe 4 qershor Putin pret në vendlindjen e tij, Shën Petersburg, krerët e Këshillit të BE-së, presidentin e Këshillit Herman Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, në samitin e 29-të BE-Rusi.

Këto takime sigurisht që flasin akoma për rëndësinë që Evropa ka për Putinin. Ndryshe nga SHBA, të cilat Putini nuk i vlerëson më. Sepse mundësinë për një takim me presidentin e SHBA-së Barack Obama në samitin e G8-s në Camp David Putin nuk e shfrytëzoi. Presidenti rus e refuzoi pjesëmarrjen e tij në mënyrë pak të vrazhdtë dhe të shpejtë. Më qartë ai nuk mund ta tregojë pakënaqësinë e tij. Pas kësaj fshihet në radhë të parë zhgënjimi, që SHBA edhe nën presidentin Obama po punojnë për mburojën raketore të NATO-s në Evropë, aq të padëshiruar nga rusët. Dhe në të njëjtën kohë Putini e di që Obama është në mes të fushatës dhe koha nuk është e favorshme për kompromiset e nevojshme. Deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA do të ketë gjithsesi një pushim në marrëdhëniet ruso-amerikane. Por kjo nuk duhet parë vetëm si taktikë.

Putini do ta rrisë distancën me perëndimin. Jo vetëm sepse SHBA dhe Evropa me kritikat e tyre të vazhdueshme për modelin autoritar të qeverisjes së Putinit dhe deficitet demokratike të Rusi krijojnë pakënaqësi te Putini dhe udhëheqja e tij. Përpjekjet për integrimin e zonës postsovjetike dhe Kina po vihen gjithnjë e më shumë në qendër të politikës së jashtme ruse.

Ideja e unionit Euroaziatik

Ka disa muaj që Putini propagandon konceptin e një Unioni Euroaziatik në zonën postsovjetike. Deri tani krahas Rusisë vetëm Bjellorusia dhe Kazakistani janë anëtarë të këtij Unioni. Por që këto marrëdhënie janë përsëri prioritetet më të larta të politikës së jashtme ruse, u bë e dukshme menjëherë pas marrjes së detyrës nga Putini. Ndërsa ai ishte i zënë në Moskë me krijimin e qeverisë dhe prandaj anulloi zyrtarisht pjesëmarrjen në samitin e G8 në SHBA, ai gjeti kohë për t'u takuar në Moskë në një takim joformal me presidentët e Kirgizistanit, Uzbekistanit, Taxhikistanit, Kazakistanit, Bjellorusisë dhe Ukrainës.

Putini kërkon t'i lidhë shtetet ish-sovjetike politikisht dhe ekonomikisht përsëri më shumë me Moskën. Dobësimi i SHBA-së dhe BE nga kriza ekonomike dhe financiare i vjen atij shumë përshtat. Meqenëse amerikanët janë të lodhur nga lufta globale anti terror dhe ideja evropiane ka humbur atraktivitetin përmes krizës së euros, për Moskën është e përshtatshme koha për forcimin e integrimit.

Ingo Mannteufel komenton

Ingo Mannteufel komenton

Faktori Kinë

Për këto arsye do të rritet edhe roli i Kinës në politikën e jashtme ruse. Në njërën anë në Rusi shohin akoma potencial për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ruso-kineze. Nga ana tjetër Kina në shumë mënyra e pikëpamje luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm politik për Moskën: Kjo vlen si për marrëveshjet diplomatike në nivel botëror, ashtu edhe në rastin e Sirisë, dhe për projektin e integrimit më të ngushtë në hapësirën postsovjetike në kuadër të Bashkimit Euroaziatik. Sepse Kina në vitet e fundit ka ndjekur me intensitet të madh interesat e saj në Azinë Qendrore sidomos ato ekonomike dhe është e lidhur me Rusinë dhe ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore edhe nëpolitikën e sigurisë përmes Shanghai Cooperation Organisation (SCO).

Prandaj nuk është rastësi, që Putini pas takimeve të tij "evropiane" udhëton menjëherë në Uzbekistan dhe pastaj në Kinë, për t'u takuar me 5 dhe 6 Qershor me presidentin kinez Hu Jintao, gjatë një samiti të SCO. Putin pastaj do të kthehet në Moskë duke bërë një ndalesë për një vizitë shtetërore në Kazakistan.

Kalendari i i udhëtimeve politike të Putinit i korrespondon çuditërisht me deklaratat e tij programatike për politikën e jashtme gjatë muajve të fundit. Edhe pse me siguri është akoma shumë herët për të gjykuar, duket se Putini nuk pret shumë më nga Perëndimi. Më këtë do të kishte dështuar politika evropiane ndaj Rusisë për "ndryshim përmes afrimit".

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: Angjelina Verbica