1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: mundim i kotë

Bernd Riegert18 Tetor 2014

Pozicionet në krizën e Ukrainës kanë ngecur. Negociatat këmbëngulëse nuk e impresionojnë Rusinë. Një rrugëdalje nga kriza duket e vështirë, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1DXCe
Merkel me Putin, Poroschenko dhe Holllande 17.10.2014
Fotografi: picture-alliance/RIA Novosti/Aleksey Nikolskyi

Ne të gjithë e dimë: të flasësh është gjithsesi më mirë se të luftosh. Prandaj është një vlerë më vete që dialogu me hope midis Ukrainës dhe Rusisë me pjesëmarrjen e evropianëve të paktën po vazhdon. Asnjë sukses, madje as një përparim të vërtetë nuk sollën bisedimet e ndryshme për krizën në kuadër të takimit të nivelit të lartë të ASEM-it. Të dyja palët i përmbahen me këmbëngulje interpretimit të tyre të konfliktit të Ukrainës. Ukraina dhe BE ndihen të kërcënuara nga Rusia agresive. Presidenti rus ndihet nën presion për shkak të sanksioneve të BE. Fajin e kanë gjithmonë të tjerët.

Linjat e kompromisit? Mungojnë

Vladimir Putini ndihet i fortë. Në Milano ai këtë e la të kuptohet qoftë edhe me sjelljen e tij. Ai erdhi shumë vonë, shkoi natën për të festuar me mikun e tij, Silvio Berluskoni dhe mbante para kamerave gjithmonë një pamje të painteresuar në fytyrë. Putini kërcënoi sërish me kufizimin e furnizimeve me gaz për Evropën. BE ia ktheu se ai gjoja nuk ka nevojë për gazin rus. Në një rast ekstrem, Putini mund ta çojë punën deri në konfrontim dramatik. Atëherë duhet të jenë evropianët ata, të cilëve do t'u duhet të vërtetojnë se mund t'i përballojnë çmimet e larta të gazit.

Ukraina dhe Rusia shprehën në Minsk sërish gatishmërinë e tyre për planin e paqes së Minskut, i cili parashikon një armëpushim të vazhdueshëm në Ukrainën Lindore. Këto fjalë tingëllojnë bosh para së gjithash nga goja e Putinit, sepse zotëria i Kremlinit nuk e ka me ngut vënien në jetë të marrëveshjes së Minskut. Edhe tërheqja e trupave të manovrës së Rusisë nga kufiri me Ukrainën deri tani mbetet një deklaratë. Një dobësim i sanksioneve evropiane kundër Rusisë nga ky shkak as që diskutohet.

Në pika të veçanta, në Milano pati përparime të caktuara, por ato nuk përfaqësojnë përmirësime të mëdha. Kështu Rusia të paktën duket e gatshme që të pranojë një mision të OSBE-së, i cili duhet të mbikqyrë me avionë pa pilot kufijtë e dy rajoneve të Ukrainës Lindore. Por detajet janë më se të paqarta.

Për fat të keq, situata duket e tillë, sikur Rusia dhe Ukraina po ecin drejt një "konflikti të ngrirë" të dytë. Gjendja e paqendrueshme në Ukrainën Lindore, e cila kontrollohet nga separatistët prorusë, mund të kthehet në një gjendje të përhershme. Pas kësaj fshihet një sistem: Rusia i ka mbuluar shtetet që ndodhen në atë që ajo e ndien si sferë të saj të ndikimit, e të cilat synojnë drejt Perëndimit ose drejt NATO-s, me konflikte "të pazgjidhshme". Transnistria në Moldavi, Osetia Jugore dhe Abkazia në Gjeorgji. Dhe tani Krimeja dhe pjesa lindore e vendit në Ukrainë. Kështu këto shtete as formalisht nuk e kanë të mundur të hyjnë në NATO, sepse anëtarëve të rinj nuk u lejohet të kenë konflikte territoriale me shtetet fqinje.

Një rrugëdalje nga kjo situatë nuk duket në horizont. Si mjet presioni BE ka vetëm sanksionet ekonomike, sepse nuk ka opsion ushtarak. Kurse Rusia ka në dorë rubinetin e gazit dhe fuçitë e naftës. Mund të vijnë vendime të dhimbshme për evropianët. Rezultat pozitiv i takimit të Milanos gjithsesi është që do të vazhdojë të flitet dhe negociatat do të vazhdojnë .