1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Putin - Presidenti i vjetër dhe i ri i Rusisë

Gjatë mandatit të tretë si president Putin do të angazhohet për forcimin e ekonomisë së Rusisë. Reformat politike nuk janë prioritet për të. Në radhë të parë për Putinin qëndron zhvillimi demografik i Rusisë.

Vladimir Putin betohet si president

Vladimir Putini betohet si president

Gerhard Schröder, Silvio Berlusconi, Alexander Lukaschenko, Nursultan Nasarbajev, Viktor Janukoviç. Lista e miqve të nivelit të lartë nga bota e jashtme, që ka ftuar presidenti rus Vladimir Putin për të hënën (07.05.2012) në ceremoninë e marrjes së postit, ka theks simbolik. Janë të ftuar pikërish ata, të cilët me sa duket i qëndrojnë shumë pranë kreut të ri në Kremlin: ish-kryeministrat e Gjermanisë dhe Italisë, të cilët në vendet e tyre janë mëse të diskutueshëm, si dhe tre presidentë autoritarë nga ish-republikat sovjetike: Bjellorusia, Kazakistani dhe Ukraina.

Edhe Putin ndonëse edhe sot vazhdon të prezantohet si "një baba i kombit" është figurë e diskutueshme. Edhe pse zgjedhjet presidenciale më 4 mars 2012 ai i fitoi me rreth 64% të votave, fitorja e tij u parapri nga protesta masive, që Rusia nuk i kishte përjetuar qysh prej rreth 20 vjetësh. Dhjetra mijëra protestuan vetëm nëpër rrugët e Moskës kundër manipulimeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Më vonë protesta u drejtua kundër Putinit personalisht.

Protesta në Moskë më 31 mars 2012

Protesta në Moskë më 31 mars 2012

Shtresa e mesme kërkon liri politike

Shumica e pjesëmarrësve të lëvizjes së protestës nga shoqëria civile në Shën Peterburg "Për zgjedhje të lira" janë përfaqësues të shtresës së mesme të shoqërisë. Kjo shtresë është krijuar gjatë periudhës që Putini drejtonte qeverinë, thotë Hanns-Henning Schröder nga fondacioni i Berlinit Shkenca dhe Politika. Ndërsa tani një pjesë nga kjo shtresë po distancohet prej Putinit. "Problemi është, se një president i vjetër, i cili ka qenë tetë vjet në këtë detyrë, has tani në një shoqëri të re", thotë Schröder.

Pikërisht përpara dymbëdhjetë vjetësh Vladimir Putin eci për herë të parë mbi tapetin e kuq të shtruar në pallatin madhështor nga koha e carëve. Ai ka qenë dy herë president dhe në 2008 iu desh të largohet, sepse kushtetuta ruse parashikon vetëm dy mandate presidenciale. Pas katër vjetësh kryeministër Putin, kthehet në Kremlin duke këmbyer postin me pasardhësin e tij, Dmitri Medvedjev. Teksa vjeshtën e vitit 2011 u bë i njohur ky pazar, dueti Putin-Medvedjev, donte të tregonte se në politikën ruse mbizotëron kontinuiteti. Por shumë rusë u ndienë të provokuar. "Kohët kanë ndryshuar", thotë për DW kryetarja e grupit të Helsinkit në Moskë, Ljudmila Alexejeva. Shumë janë të indinjuar, që Putin dhe Medvedjev merren vesh midis tyre, se kush duhet ta qeverisë vendin.

Ekspertët perëndimorë si biografi i Putinit berlinezi Alexander Rahr, i cili drejton Qendrën Berthold-Beitz pranë shoqatës gjermane për politikën e jashtme(DGAP), e këshillojnë Putinin që ta integrojë më shumë në politikë shoqërinë civile. "Shtresa e mesme është kthyer në një potencial politik, që nuk mund të mjaftohet thjeshtë me premtime sociale si në rastin e shtresës së punëtorëve", thotë Rahr. Protestuesit nuk do të tolerojnë për aq kohë "sa në Rusi të rivendosen liritë liberale politike".

Vladimir Putin drejt ceremonisë së betimit

Vladimir Putin drejt ceremonisë së betimit

Putin i var shpresat tek politika sociale dhe integrimi

Presidenti Medvedjev në dimër shpalli reforma liberale. Dis aprej tyre parlamenti i ka vënë në jetë. P.sh. tani është thjeshtuar themelimi i partive politike. Veç kësaj është rivendosur zgjedhja direkte e guvernatorëve, që Putini i pati shfuqizuar dikur. "KY nuk është fillimi i një epoke të re, por vetëm një hap i vogël në drejtimin e duhur", thotë eksperti për Rusinë Schröder për reformat politike. Ai megjithatë është i mendimit, se këto reforma do të zbatohen në mënyrë të tillë, që pushteti i Putinit të mbetet i pacënuar prej tyre.

Rreth një muaj para marrjes së postit Putini i prezantoi parlamentit politikën e aardhshme të tij si president. Ai përmendi pesë sfida, që do t'i trajtojë me prioritet. Në radhë të parë për Putinin qëndron zhvillimi demografik i Rusisë. Popullsia e vendit me sipërfaqen më të madhe të globit prej vitesh është në tkurrje. Kreu i ri i shtetit do ta frenojë këtë proces. Të tjera çështje, për të cilat do të kujdeset Putin janë siguria, hapja e vendeve të punës, dhe ekonomia e aftë për konkurrencë si dhe themelimi i një Unioni Euroaziatik me ish-republikat sovjetike.

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Shpresë për më shumë demokraci

Fakti, që reformat liberale nuk janë pjesë e axhendës së prioriteteve të Putinit, ka një arësye të thjeshtë. "Një president i mirë është ai, që bën atë çfarë pret populli prej tij", kështu u shpreh Putin përpara rizgjedhjes në një intervistë për televizionin gjerman ARD. Për të kuptuar politikën e Putinit mjafton një vështrim në sondazhe. Dy të tretat e rusëve (66%) presin, që kreu i ri në Kremlin të vazhdojë politikën e deritanishme. Si detyra të rëndësishme të presidentit të ri të pyeturit përmendin hopin ekonomik, luftimin e korrupsionit dhe të varfërisë. Kësisoj kërkesa për më shumë demokraci mbetet si objeksion i një pakive të arsimuar. Mbetet e hapur, se edhe për sa kohë Putin do të mund ta qeverisë Rusinë kundër kësaj pakice gjithnjë në rritje.

Së paku në Perëndim shpresohet për një demokratizim të Rusisë gjatë mandatit të tretë të Putinit. "Unë shpresoj, që pas kaq shumë vitesh në post ai ka përvojën dhe mençurinë, në këtë etapë të zhvillimit ta drejtojë vendin më me forcë drejt një demokracie të vërtetë", thotë kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok. "Por nëse ai bën gjthçka për të çmentuar postin e tij, atëherë do të vijë një ditë që ai nuk do të mbështetet më nga populli rus", thotë Brok.

Putin, i cili sivjet mbush 60 vjeç, duket se mendon edhe për kohën që i ka mbetur atij. "Në jetën e çdo njeriu vjen një moment, kur nuk ke më nevojë të kapesh pas gjërave të caktuara. Ai mundet dhe duhet të mendojë për fatin e vendit të tij", është shprehur Putin përpara fillimit të presidencës s ëtretë të tij. Në jetën e tij ky moment ka ardhur.

Autor: Roman Goncharenko / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama