1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Putin: Obama duhet të pengojë gjakderdhjen në Ukrainë

Presidentët e Rusisë dhe SHBA-së, me iniciativën ruse, kanë telefonuar përsëri për shkak të krizës në Ukrainë. Presidenti Putin i bëri thirrje presidentit Obama të shfrytëzojë ndikimin e tij për çtensionimin e situatës.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka kundërshtuar edhe një herë fuqishëm akuzën e Perëndimit se qëndron pas trazirave separatiste në juglindje të Ukrainës. Këto janë "spekullime", të bazuara në informacione të pasakta, bëri ai të qartë në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Barack Obama.

Shkaku i protestave në Donjeck, Luhansk, Karkiv, Slovjansk dhe qytete të tjera është më shumë "mungesa e vullnetit dhe paaftësia" e autoriteteve në Kiev për të marrë parasysh interesat e popullsisë ruse dhe rusishtfolëse, përsëriti për të disatën herë Putin. Autoritetet ukrainase duhet së pari të mendojnë, se si të gjitha forcat politike dhe rajonet të përfshihen në mënyrë transparente në zhvillimin e një kushtetute të re.

Shqetësim për gjendjen në Ukrainë

Obama i bëri thirrje Putinit, që të kujdeset që protestuesit prorusë në disa qytete të Ukrainës lindore të heqin dorë nga pushtimi i ndërtesave të administratës, njofton zyra e presidentit të SHBA-së. Obama kishte shprehur gjithashtu shqetësimin e tij të thellë për mbështetjen e separatistëve nga Rusia. SHBA dhe vende të tjera perëndimore dyshojnë se Moska ashtu si në gadishullin e Krimesë në Detin e Zi ndërhyn në lindje të Ukrainës me njësi speciale për të përgatitur shkëputjen e rajonit. Ka "dëshmi të shumta" se Rusia mbështet përpjekjet separatiste, kishte deklaruar më parë zëdhënësi i qeverisë amerikane Jay Carney. Kështu ka dëshmi, se protestuesit, të cilët në disa qytete të vendit kanë zënë ndërtesat publike, janë të paguar.

Demonstratë proruse në Donjeck

Demonstratë proruse në Donjeck

Obama duhet të shfrytëzojë ndikimin e tij

Putin i ka bërë thirrje kolegut të tij amerikan, kështu u tha në Moskë, që të përdorë ndikimin e tij në Ukrainë për të penguar gjakderdhjen dhe ushtrimin e dhunës. Të dy presidentët ranë dakord të kërkojnë bashkëpunim diplomatik në lidhje me konfliktin, kjo edhe në prag të bisedimeve mes Rusisë, SHBA, Ukrainës dhe BE të planifikuara për të enjten në Gjenevë. Në këtë takim duhet të shqyrtohen mundësitë për një zgjidhje paqësore të krizës.

Sipas të dhënave nga Uashingtoni telefonata është zhvilluar me iniciativën ruse. U tha se ajo ka qenë "e hapur dhe direkte", një eufemizëm diplomatik për "e tensionuar dhe të kontroverse". Para intervistës me Putinin Obama kishte telefonuar edhe me presidentin e Francës, François Hollande, për të diskutuar për "përkeqësimin e situatës" në lindje të ish-republikës sovjetike, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Hollande dhe Obama theksuan se Rusinë e presin "shpenzime të tjera të larta", nëse ajo nuk ndryshon qëndrim.