1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Putin nxjerr bilanc pozitiv të presidencës së tij

Presidenti rus që po e lë postin, Vladimir Putin bëri të enjten një bilanc pozitiv të punës së tij. Ai i ka arritur të gjitha synimet e rëndësishme, tha Putini.

default

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, nga konferenca e shtypit në Moskë 14 shkurt 2008


Një fitimtar largohet me një pamje madhështore nga skena- dhe kthehet sërish në të, me kostum të ri: për pak muaj, Vladimir Putini nuk do të jetë më president i Rusisë, por kryeministër i Rusisë. Tekstin e tij ai e ka mësuar mirë, publikut ai i përcjell se nuk është i fiksuar pas karriges së pushtetit. Njëkohësisht, ai nuk lë asnjë dyshim, se do të luajë edhe më tej një rol kryesor në politikën ruse. Bashkëaktor atëherë besohet se do të jetë Dmitri Medvedjev, i cili, sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet më 2 mars president i ri i Rusisë. Aktori kryesor Putin mori në këtë manovër edhe regjinë. Ai nuk i la asgjë rastësisë.
Dhe e shfrytëzoi konferencën e shtypit para 1.300 gazetarëve edhe njëherë me aftësi, për të lëvduar vetveten dhe për të kujtuar sukseset e tij. Ai nuk sheh dështime. Të gjitha synimet ai i ka arritur. Bukur, kur mund ta pohosh këtë për vete- pas tetë vjetëve presidencë. Ato kanë qenë vërtet të mbizotëruara nga rritja ekonomike dhe arkat e mbushura plot të sipërmarrjeve shtetërore të energjisë, e të shoqëruara me disa përmirësime sociale. Por në to ka pasur edhe zhvillime negative, probleme të pazgjidhura dhe hipoteka politike, të cilat rëndojnë tani mbi Rusinë.
Tetë vjetët në post të Putinit kanë sjellë për shumë njerëz përmirësimin e kushteve të jetesës. Por në politikën e brendshme ato janë të barabarta me një keqësim të vazhdueshëm- me minimin e lirisë së shtypit, me mosrespektimin dhe margjinalizimin e opozitës, me rolin e fortë të shërbimeve të fshehta, centralizimin e kompetencave në Kremlin. Demokraci e drejtuar dhe pushtet vertikal, këto janë dy nga konceptet që lidhen gjithmonë me personin dhe politikën e Putinit. Përçmimi i ndjerë shumë herë për vlerat demokratike, bindja agresive në vetvete e elitave drejtuese dhe përkeqësimi i raporteve me Perëndimin- për të gjitha këto presidenti mban përgjegjësinë e tij.
Përsa i përket politikës së jashtme, u dëgjuan tone kryesisht të qeta. Rusia nuk synon një konfrontim të ri midis Lindjes dhe Perëndimit, tha Putini dhe bëri të ditur se nuk do të ndërpritet dialogu konstruktiv me SHBA. Deklarata të tilla kombinohen në mënyrë kaotike - këtë e ka treguar herë pas here e kaluara- me kërcënime të forta. Kurdoherë që Rusia mendon se i është shkelur besimi i rizbuluar në vetvete, ajo i rikthehet një retorike thuajse agresive.
Politika e jashtme e presidentit është kontradiktore. Para pak ditësh Putini pati deklaruar se ai do ta bënte Ukrainën objekt të raketave, nëse atje stacionohet një pjesë e mbrojtjes së planifikuar raketore të SHBA. Tani ai deklaroi se Rusia nuk do të drejtojë raketa ndaj vendeve të tjera. Edhe njëherë tjetër Putini kritikoi mbështetjen perëndimore për përpjekjet për pavarësi të Kosovës- por e parë me vëmendje në këtë çështje ai nuk ka ç'të bëjë më shumë. Potenciali i kërcënimit dhe hapësira e veprimit të Moskës nuk janë shumë të mëdha.
Që të flasësh për ndryshim pushteti do të thotë që t'i zbukurosh gjërat. Nuk ka fushatë elektorale në Rusinë e Madhe. Ai që do të përcaktojë drejtimin do të jetë me sa duket në të ardhmen ish-presidenti. Presidenti i ri, një krijesë e mëshirës së Putinit, do t'i bindet. Sa do të zgjasë derisa ai të zhvillojë ambicie personale? Si do të pozicionohen klanet dhe shërbimet e fshehta të Kremlinit?
  • Data 15.02.2008
  • Autor Rabitz, Cornelia (DW Russisch)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D7xp
  • Data 15.02.2008
  • Autor Rabitz, Cornelia (DW Russisch)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D7xp