1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin kërkon konsorcium për zgjidhjen e problemit të gazit

Anila Shuka16 Janar 2009

Mbas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel të premten në Berlin, kryeministri rus, Vladimir Putin, theksoi se nuk e ka fajin Rusia, që Ukraina nuk dërgon më gaz në Evropën Perëndimore.

https://p.dw.com/p/Ga9n
Kryeministri rus Putin takon kancelaren gjermane Merkel në BerlinFotografi: AP

Atmosfera mes Merkelit dhe Putinit në konferencën e përbashkët mbas takimit në Berlin nuk ishte kaq gazmore, sa në kryeqytetin e Saksonisë, megjithëse Putini u përpoq në fillim ta çlironte atë, duke folur disa fjalë gjermanisht. Por ai e ndryshoi gjuhën kur do të fliste për temën kryesore, gazin rus që nuk po arrin deri në Evropë. Putini i siguroi kancelares gjermane se Rusia do të bëjë ç'është e mundur për të rifilluar furnizimin e Evropës Perëndimore.

“Ne kemi biseduar edhe me partnerët tanë evropianë, E.on, Gas de France dhe Eni-n e Italisë, për shanset e krjimit të një konsorciumi evropian, që do të ndante përgjegjësitë dhe burimet për furnizimin me gazin teknik, që është i nevojshëm për të ruajtur presionin e gazsjellësit,” tha ai. Putini bëri të ditur se ky konsorcium do të fillojë nga puna, sapo të jenë sqaruar dhe disa detaje.

Kryeministri rus dhe kancelarja Angela Merkel bënë të njohur gjithashtu se do të forcohet ekipi monitorues shumëpalësh përgjatë gazsjellësit. Angela Merkel bëri të ditur se megjithë krizën ekonomike, gazsjellësi i Detit Baltik, që lidh Rusinë direkt me Gjermaninë, do të vazhdojë të ndërtohet. “Qeveria e mbështet projektin e Gazsjellësit të Veriut. Por ne nuk mund të presim derisa ky të fillojë nga puna. Neve na nevojitet gazi rus menjëherë dhe pa vonesa”, theksoi kancelarja.

Merkeli gjithashtu tha se nuk është koha tani që të përcaktojmë fajtorët, duke shtuar se Ukraina dhe Rusia e dinë vetë se ku kanë gabuar dhe se si erdhi deri tek kriza.

Vladimir Putini shfrytëzoi rastin për t'ia lënë tërë fajin Ukrainës: "Bashkimi Evropian e ka gabim kur e fut Rusinë dhe Ukrainën në një thes e duke mbështetur moralisht Ukrainën, e cila e ka injoruar tërësisht përgjegjësinë e saj si vend tranzit për gazin tonë”, tha ai. “Sjellja e Ukrainës gjatë viteve të kaluara nuk është gjë tjetër veçse kërcënim i kombinuar me dëshirën për ta marrë gazin tonë me çmim të ulët. Kievi ka kujtuar se presioni i Bashkimit Evropian do të ishte aq i madh saqë do të na bënte ne të dorëzoheshim. Mënyra se si Ukraina po e trajton çështjen ka të bëjë me korrupsionin e gjerë në vend dhe strukturat e paqarta politike në përgjithësi."


Kremlini duket se tani i ka varur shpresat tek samiti që do të zhvillohet të shtunën në Moskë, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Ukraina, Rusia dhe Bashkimi Evropian. Gjithsesi Gjermania nuk është tërësisht e varur nga gazi rus, ashtu siç janë disa vende të Evropës Lindore, Serbia dhe Sllovakia. Megjithatë grindja mes Rusisë dhe Ukrainës nuk shikohet pa shqetësim në këto ditë të ftohta dimri, sidomos pas një lajmi që doli të premten, ku bëhej e ditur se gazmbajtësit gjermanë janë gati të përgjysmuar.