1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Putin: Jo një Bashkim Sovjetik të ri, por një "Bashkim Euroaziatik"

20 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kryeministri rus Vladimir Putin propozoi krijimin e një "Bashkimi Euroaziatik". Ky do të ishte vazhdimi logjik i një politike që ai ka ndjekur për vite me radhë.

Kryeministri rus, Vladimir Putin

Kryeministri rus, Vladimir Putin

Jo, ai nuk do të krijojë një Bashkimin Sovjetik të ri, shkruan Vladimir Putin në një koment për të përditshmen "Izvestia". Dhe ai shton: Është naive të besohet që e kaluara mund të përsëritet. Kjo do të thotë se nëse ai ka mundësi, ai do ta bëjë këtë? Kështu së paku u duket shumë vëzhguesve politikë në ish-republikat sovjetike: Bjellorusi, Ukrainë, Azi Qendrore - dhe edhe më shumë në Gjeorgji, ku kthimi i Putinit në postin e presidentit shihet me dyshim dhe shqetësim.

Putini thekson vërtet natyrën vullnetare të integrimit në një Bashkim të Euroazisë, por shumica e fqinjëve e njohin presionin që mund të ushtrojë Rusia me ndihmën e kredive ose çmimin e gazit dhe të naftës. Koncerni rus i gazit Gazprom është një nga instrumentet më efektive të politikës së jashtme ruse, i tha eksperti politik ukrainas Sergei Taran Deutsche Welles.

Shkrirje e Bjellorusisë me Rusinë?

Në Bjellorusi ka kohë që është e sigurt që Kremlini do ta përdorë gjendjen dramatike ekonomike për të zgjeruar ndikimin e tij. Putin u shpreh në mënyrë tejet befasuese në muajt e verës hapur për një bashkim të të dy vendeve. Bjellorusia është në prag të falimentimit shtetëror - dhe për shkak të sanksioneve ndërkombëtare është më e fortë se kurrë e varur nga kreditë ruse.

Vladimir Putin proklamon idenë rusomadhe

Vladimir Putin proklamon idenë rusomadhe

Si bazë për bashkimin e ri duhet të shërbejë bashkimi doganor ekzistues në mes të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Ky duhet të shndërrohet që në muajin janar në një hapësire të vetme ekonomike. Një - si thotë Putini - "treg kolosal" me më shumë se 165 milionë konsumatorë, në të cilin mund të lëvizin lirisht kapitali, fuqia e punës dhe shërbimet. Më pas do të pasojë një zonë e monedhës së përbashkët.

Taxhikistani dhe Kirgistani kanë treguar tashmë interes të marrin pjesë në të, shkruan Putini. Për Ukrainën ka ende shpresa. Për ta bërë vendin fqinjë që të heqë dorë nga Marrëveshja e Asociimit me Bashkimin Evropian dhe të preferojë zonën e tregtisë së lirë, Rusia ofron një kontratë të re për gazin - dhe çmime më të ulta që janë të shumëpritura.

Marrëveshja e gazit South Stream - një karrem i ri?

Marrëveshja e gazit South Stream - një karrem i ri?

Mos lypni në BE, po ejani tek ne!

Putin synon një bashkim të fortë mbikombëtar, i cili do të ishte i aftë për formimin e një prej dy poleve të botës së sotme. Një "Bashkim Euroaziatik" mund të shërbejë si një gjymtyrë lidhje efektive në mes Evropës dhe rajonit të Azisë dhe të Paqësorit - dhe të negociojë me Bashkimin Evropian për një hapësirë të përbashkët ekonomike, tha Putin. Anëtarëve të mundshëm, ai u premton një pozitë më të fortë. Mesazhi është: "Mos lypni më në Bruksel për anëtarësim në BE - por ejani tek ne, ne ju bëjmë të fortë!"

Megjithatë shumica e fqinjëve i shikojnë ofrertat për riintegrimin me skepticizëm. Ata kanë frikë për sovranitetin e tyre, sepse jo të gjithë janë të një mendimi me Putinin se rënia e Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX.

Autor: Christina Nagel/Pandeli Pani

Redaktoi: Lindita Arapi

 

  • Data 05.10.2011
  • Autor Pandeli Pani
  • Fjalët kyç UdSSR
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12lgP
  • Data 05.10.2011
  • Autor Pandeli Pani
  • Fjalët kyç UdSSR
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12lgP