1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pussy Riot: Çmimi që paguajnë aktivistet

Nadezhda Tolokonnikova, një nga anëtaret e grupit Pussy Riot, filloi javën e kaluar një grevë urie në shenjë proteste kundër kushteve brutale të një kampi pune. Bashkëshorti i saj tregon për DW gjendjen e saj.

Pussy Riot Nadezhda Tolokonnikova

Pussy Riot Nadezhda Tolokonnikova

Një nga anëtaret e grupit rus të rokut Pussy Riot, që po kryen një dënim dy vjeçar me heqje lirie për një koncert proteste në një kishë ortodokse, në të cilin kritikohej presidenti Vladimir Putin, u shtrua në spital të premten (27.09.2013), pasi ishte mbajtur në izolim. Ajo pati filluar një grevë urie të hënën e kaluar (16.09.).

23-vjeçarja Nadezhda Tolokonnikova shkroi një letër të hapur, në të cilën shpjegonte se arsyet e saj për të hyrë në grevë urie ishin kushtet shumë të ashpra të punës në koloninë e dënimit. Ajo kërkon që të drejtat e njeriut në burg të mbikqyren, pasi të burgosurit trajtohen si skllevër dhe asaj nuk i kishte mbetur alternativë tjetër.

Deutsche Welle foli me bashkëshortin dhe përfaqësuesin ligjor të Tolokonnikovas, Pyotr Verzilov, dhe e pyeti për gjendjen e saj dhe pasojat e burgosjes në familjen e tyre.

DW: A e mbështetët vendimin e gruas suaj për të hyrë në grevë urie?

Nadia është një njeri shumë i fortë në vendimmarrje dhe ajo më tregoi për këtë vendim si për diçka, për të cilën kishte menduar për kohë të gjatë. Diçka që e kishte vendosur me vullnet të plotë, pasi kishte parë të gjitha opsionet e tjera në përpjekjet për të ndryshuar situatën në burg. Ato kishin rezultuar të gjitha plotësisht pa efekt.

DW: Ajo e ka filluar të hënën grevën e urisë. Ç'mund të na thoni për gjendjen e saj aktuale?

Pjotr Versilov është bërë një zëdhënës jo zyrtar i Pussy Riot.

Pjotr Versilov është bërë një zëdhënës jo zyrtar i Pussy Riot.

Ajo ka qenë e vendosur në qeli izolimi, e cila ishte e ftohtë dhe ne kërkuam që temperatura të ngrihej në nivel të shëndetshëm. Është e qartë se kur je në grevë urie dhe nuk ha, temperatura është shumë e rëndësishme për t'u ndjerë mirë. Ata bënë disa ndryshime.

DW: Keni pasur mundësi të diskutoni me Nadian skenarë të mundshëm të së ardhmes, nëse kushtet e saj nuk plotësohen? Sa kohë është e përgatitur ajo të vazhdojë grevën e urisë?

Kur Nadia shpalli këtë grevë urie ajo deklaroi se do të jetë pa afat. Nuk i ka vënë vetes kufij kohorë. Asaj i ka humbur vërtet durimi me situatën në burgun e saj.

DW: Ju dhe Nadia keni një vajzë të vogël. Si ia keni shpjeguar asaj mungesën e Nadias dhe grevën e urisë?

Vajza jonë, Gera, është pesë vjeç dhe e ka kuptuar se Nadia është në burg. Situata ligjore dhe politike në Rusi i ngjan shumë një historie me kartona. Nga njëra anë autoritetet, personazhet e këqija dhe nga ana tjetër aktivistët e mirë dhe figurat politike, që përpiqen t'i kundërvihen sistemit në Rusi. Ajo e kupton situatën në sensin e një filmi me kartona. Unë i thashë se Nadia nuk pranon të hajë me njerëz, që e trajtojnë keq. Gera e kupton këtë dhe ndoshta kjo është një mënyrë fëminore proteste, pasi shpesh kur fëmijët duan t'i bëjnë prindërit të ndihen keq, nuk pranojnë të hanë. Mendoj se Gera e kupton situatën në mënyrë të ngjashme.

DW: Çfarë i keni thënë vajzës për lirimin e Nadias? Lirimi planifikohet në mars, por për shkak të grevës së urisë ka rrezik që dënimi të zgjatet.

Bashkëshorti i Tolokonnikovës është i sigurtë se dënimi nuk do të zgjatet.

Bashkëshorti i Tolokonnikovës është i sigurtë se dënimi nuk do të zgjatet.

Natyrisht ne jemi 100 për qind të sigurt se Nadia do të dalë nga burgu në mars 2014 për shkak të vëmendjes së madhe publike ndaj çështjes. Vendimet për të gjitha pikat kyçe, dhe zgjatja e dënimit të Nadias është një çështje kyçe, merren personalisht nga Presidenti Putin. Për Putinin do të ishte një vetëvrasje politike të merrte një vendim të tillë dy javë pas Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi. Ne jemi të sigurt se Presidenti Putin nuk do të autorizojë fillimin e këtyre proceseve ligjore dhe Nadia do të lirohet sipas planit.

DW: Ju të dy, Nadia dhe Ju, jepni përshtypjen e njerëzve shumë të fortë. Nadia nuk është thyer nën trysni. Por nëse shihni prapa dhe mendoni për atë çka ndodhur që prej koncertit të Pussy Riot në katedrale, mendoni se keni kapërcyer cakun?

Kjo është një pyetje për Nadian pasi ajo është personi, që po i përjeton gjithë këto tmerre. Por ajo mendon se ndoshta ia ka vlejtur meqenëse vëmendja ndërkombëtare për atë, çka ndodh në Rusi, ka qenë aq e madhe dhe në nivele të paimagjinueshme. Në fund të fundit pjesa kryesore e historisë ishte reagimi brutal i qeverisë ruse. Nëse ky është çmimi, që Presidenti Putin personalisht dhe qeveria ruse kërkojnë për lirinë, atëherë ky është edhe çmimi, që duhet të paguajnë aktivistët politikë dhe politikanët.