1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pushtetmbajtës pa guxim dhe largpamësi - presidenti i Sirisë Al-Assad nuk bën asnjë lëshim

Në një fjalim të pritur me tension, presidenti sirian Bashar Al-Assad i cilësoi të mërkurën (30.3.) protestat kundër rregjimit të tij "një komplot". Ai nuk bëri asnjë lëshim politik.

default

Ky fjalim mund të kishte qenë shansi i tij i madh. Bashar Al-Assadi mund ta kishte shfrytëzuar atë, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për reforma demokratike pas protestave në vendin e tij. Kështu ai vetë mund të ishte pozicionuar si figurë udhëheqëse me largpamësi politike. Por ai as nuk e provoi një gjë të tillë.

Në vend të kësaj presidenti sirian përdor hile propagandistike: prapa protestave ai nuhat komplote me synim përçarjen e Sirisë. Ai fajëson mediet e huaja se në mënyrë të qëllimshme përhapin informacione të rreme. Ai mban një fjalim para një parlamenti që brohoret, kur të gjithë e dinë se ai nuk ka dalë nga zgjedhje të lira. Dhe me sa duket atij nuk i vjen aspak rëndë për himnet e lëvdadat, që thurin për të deputetët. Inskenime të tilla fantazmagorike njihen vetëm nga shtete si Koreja e Veriut.

Ndërkohë nevoja për reforma në Siri është thuajse dramatike: nuk ekziston liria e vërtetë e mendimit. Nuk ka shtyp të lirë. Nuk ka opozitë të ligjshme. Korrupsioni është i pranishëm kudo, shërbimet sekrete kontrollojnë popullin, kundërshtarët e rregjimit dënohen dhe burgosen, dhe gjithnjë e më shumë rrezikojnë edhe jetën. Të paktën 60 vetë vlerësohet se janë vrarë në protesta gjatë dy javëve të fundit. Numrin e saktë nuk e di askush.

Deutsche Welle Rainer Sollich

Rainer Sollich

Presidenti Al-Assad nuk pati madje as guximin, të konsideronte mundësinë e heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, të përmendur më parë tërthorazi. Ai mbajti një fjalim, i cili nuk dha asnjë perspektivë për të ardhmen e vendit të tij, një fjalim që nuk mund t'i japë askujt shpresë dhe që vetëm do t'i provokojë më shumë kundërshtarët e tij.

Edhe dorëheqja e gjithë kabinetit qeveritar, një ditë para fjalimit nuk ishte lëshim i vërtetë: kabineti thuajse nuk ka pushtet politik. Por mbështetja e këtij presidenti nga pjesë të popullsisë së tij nuk duhet nënvlerësuar. Bashar Al-Assad nuk është aspak aq jopopullor sa ish-pushtetmbajtësi egjiptian Hosni Mubarak. Ai gëzon shumë respekt jo së fundi për shkak të qëndrimit të tij pa kompromis ndaj SHBA-së dhe Izraelit. E megjithatë, thirrjet për liri dhe demokraci nuk do të mund të shtypen as në Siri. Se si do të reagojë regjimi ndaj tyre, është tashmë e ditur. Shkallëzimi i mëtejshëm i situatës për fat të keq nuk përjashtohet.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 31.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10kuY
  • Data 31.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10kuY