1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pushteti popullit - Edhe në botën arabe është i mundur ndryshimi demokratik

Në Tunizi lëvizja protestuese rrëzoi regjimin e Ben Alisë, në Egjipt Mubaraku druhet se po i rrëshqet nga duart pushteti. Si do të rrjedhin ngjarjet: në botën arabe ka nisur një epokë e re.

default

A do të kapërcejë shkëndija në vende të tjera? Dje Tunizia, sot Kajro, nesër Sanaa apo Damasku? A do të përfshihet i gjithë rajoni arab nga një kryengritje e përgjithshme popullore, në fund të së cilës është çlirimi nga despoti në krye të shtetit? Sot regjime autoritare - nesër demokraci? Jo, kaq e thjeshtë nuk do të jetë.

Që rebelimi politik tani po përshin njërin vend pas tjetrit ka të bëjë edhe me faktin që shkaqet e protestave janë të krahasueshme, ashtu si dhe objektivat. Protesta drejtohet kundër pushtetarëve dhe elitave, të cilat kanë vënë në shërbimin e tyre personal ekonominë dhe politikën. Këta zotërinj për dekada me radhë kanë jetuar në mirëqënie në rrethin e tyre familjar, në kolltukët e rehatshëm të pushtetit, dhe pallatet u pengonin të shihnin popullin. Ata kishin harruar plotësisht se mbajnë përgjegjësi politike, që zhvillim nuk do të thotë zhvillim vetëm për një grusht njerëzish, por për shumicën. Oligarkët në pallatet qeveritare të botës arabe prej kohësh e kanë humbur sensin e realitetit, nuk i njohin hallet e popujve të tyre. Dhe ato janë të thjeshta: A mund të paguaj bukën e gojës? A mund të gjej punë? Çfarë perspektive jete kam?

Por Tunizi nuk ka gjasa të bëhet Gdansku i botës arabe, vendi ku filloi kryengritja e punëtorëve polakë të portit në vitin 1980. Në Tuniz nuk do të nisë një revolucion demokratik si në Gdansk, i cili të ketë pastaj ndikim në gjithë rajonin. Pasi në ndryshim nga Bashkimi Sovjetik i dirigjuar nga Moska, qendrat politike në botën arabe nuk kanë një udhëheqje të përbashkët, por janë shumë heterogjene.

Megjithatë ekzistojnë edhe forca, të cilat gjenerojnë një ndjenjë bashkësie në shoqëritë arabe, forca, në sajë të të cilave tani ndahen përvojat e protestave dhe zemërimi popullor. Para së gjithash këtë rol e luajnë mediet panarabe: Al Xhazira dhe Al Arabija janë ndoshta motorët më të rëndësishëm për lëvizjet, pasi ato përcjellin pamje dhe informacione nga njëri vend në tjetrin.

Izolimi nga informacioni mund të funksionojë ndoshta në shtetet e varfra dhe të drejtuara nga despotë në Afrikë, por kjo nuk funksionon më në botën arabe. Shoqëritë civile në botën arabe në vendet e tyre dhe sipas këndvështrimit të aparateve politike, ndoshta nuk kanë të drejtë fjale, por në internet, në bloge dhe forume, ato janë një zë me peshë. Egjipti ende përpiqet me televizionin e tij shtetëror të përballojë konkurencë të fortë nga mediet arabe, por sa i takon besueshmërisë, makina shtetërore e propagandës ka kohë që ka humbur. Dhe në shumë vende të rajonit, blogerat dhe gazetarët janë nën trysni, pasi regjimet e dinë se zërat e lirë mund të bëhen të rrezikshëm për ta.

Arsyet sociale të protestave mund të ndreqen pjesërisht. Por mbetet të shihet nëse guximi dhe vullneti i njerëzve për ndryshime do të kënaqet me aq. Pasi lëvizja është më e madhe se kurrë: nuk janë vetëm studentë, jo vetëm intelektualë, dhe nuk janë as islamistët, që mbajnë të vetëm barrën e protestave. Është mësuesi i thjeshtë, avokati, punonjësi i bankës, të cilët mbrohen. Tani madje ngre zërin, ashtu si në Tunizi, edhe popullsia rurale, e cila për vite me radhë është lënë jashtë jetës politike.

Pra punët nuk duken mirë për zgjedhjet jodemokratike të planifikuara për këtë vit: në Jemen presidenti Salih, prej tre dekadash në pushtet, kërkon të marrë një mandat të pakufizuar. Po aq gjatë është në postin e presidentit edhe Hosni Mubarak në Egjipt. Ai manipuloi zgjedhjet e fundit presidenciale dhe kërkon të kandidojë sërish për postin e presidentit. Çështjen e pasuesit të tij, politikani i trajtuar nga Perëndimi si partner, e zgjidh brenda familjes: ashtu si në familjen Asad në Siri, po pregatitet për postin e kryetarit të shtetit, djali i Mubarakut.

Çfarë do të ndodhë në fund të protestave? Mediet evropiane shpesh parashikojnë se në rajon do të marrin frenat në duar islamistët. Por kundër kësaj teze flet madhësia e lëvizjes së protestave. Fitimtare do të jetë shoqëria civile, e cila tani tregon kaq shumë guxim: aty këtu do të ketë ndryshim regjimi, zgjedhjet do të jenë më të pastra, parlamentet ndoshta do të luajnë një rol më të fuqishëm, spektri i partive do të bëhet më i gjerë, të gjithë këta hapa të rëndësishëm për më shumë demokraci. Dhe mësimi ndoshta më i rëndësishëm për të gjithë despotët është se në një botë të globalizuar shoqëritë nuk mund të izolohen më, nuk mund të ndalet apo filtrohet sipas dëshirës informacioni. Sa më shumë bota rritet së bashku, aq më e madhe bëhet trysnia ndaj regjimeve për të dhënë llogari dhe për të lejuar ndryshimin.

Autor: Ute Schäffer

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 27.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105rK
  • Data 27.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105rK