1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pushtetarët e Sirisë tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë - Regjimi vepron me tanke kundër demonstruesve

Gjendja në Siri po shkallëzohet në mënyrë dramatike: pasi sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut ditët e shkuara ka pasur shumë viktima në protesta, që prej së hënës regjimi po vepron me tanke kundër demonstruesve.

Kommentar englisch Opinion

Në luftë për mbijetesën e tij politike, regjimi sirian po lë qëllimisht një gjurmë gjaku pas në vend: ushtarët veprojnë me tanke kundër popullatës së revoltuar, demonstruesit vriten në mënyrë brutale. Reforma të pranuara vetëm pak kohë më parë siç është heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, dalin në pah thjesht si hapa kozmetikë. Kur ndodhet në hall të madh, regjimi po shpalos fytyrën e tij të vërtetë duke sinjalizuar pa lënë mundësi keqkuptimi: për të ruajtur pushtetin, ai ecën edhe mbi kufoma.

Ku çon lufta siriane për pushtet?

Një shkallëzim i mëtejshëm duket i pashmangshëm. Po krejtësisht e paqartë është megjithatë se në ç'drejtim do të ecë rruga siriane për pushtet. Askush nuk e di me saktësi se çfarë luhet pas perdeve. A e ka presidenti Bashar al Assad të gjithë pushtetin në duart e tij? Apo ka kohë që ato që vendosin janë forca të tjera të shërbimeve të fshehta, ushtrisë, partisë shtet ose klanit të familjes së tij? E sigurtë është vetëm: të gjithë këta do të humbisnin shumë në rast të ndërrimit të pushtetit. Prandaj ato ndjekin taktikën e frikësimit dhe nuk sprapsen as nga një tabllo e inskenuar. Ata vënë snajperët të shtinë kundër qytetarëve dhe pohojnë se dorasit janë islamistë ose agjentë të paguar nga bota e jashtme. Ata nuk lejojnë që mediat e pavarur të kenë qasje në vend. Në mediet shtetërore e tyre shtetërore ata nxisin në mënyrë tinzare frikë për një luftë midis feve.

Dhe tani kërcënojnë masakra të tjera. Ngjashëm si në vitin 1982, kur regjimi shtypi me dhunë një kryengritje masive të Vëllazërisë Myslimane, duket se regjimi është i gatshëm që të mos sprapset as nga krimet më masive të dhunës kundë r popullit të vet. Mënyra gjithmonë e më brutale e veprimit të forcave të sigurisë u bën të qartë ndërkohë edhe mbështesve të presidentit, se regjimi i tyre ka humbur çdo legjitimitet. Po duken lëvizjet e para të shkëputjes nga regjimi. Ato tregojnë: thirrja për liri dhe demokraci nuk do të shtypet me dhunë as në Siri.

Rainer Sollich DW Zentralredaktion Bonn

Rainer Sollich

Mjetet ndërkombëtare janë të kufizuara

Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë dhe të shikojë duarlidhur përballë kësaj që ndodh. Por faktikisht, mjetet e saj janë të kufizuara. Përballë operacionit deri tani të pasuksesshëm ushtarak në Libi, pushtetmbajtësit sirianë me siguri që nuk duhet të tremben shpejt nga ndonjë ndërhyrje ndërkombëtare. Dhe sanksionet këtij regjimi edhe në të shkuarën i bënë pak dëm.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Angjelina Verbica