1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pushime në bregdet në vendin në krizë

Megjithë një paralajmërim të pjesshëm të Ministrisë së Jashtme gjermane për udhëtimet në Egjipt, sektori gjerman i turizmit nuk beson se bumit të turizmit në vendin e krizës i ka ardhur fundi. Përkundrazi!

Dëshira e gjermanëve për të udhëtuar nuk prishet aq lehtë - as nga kriza e euros dhe as nga trazirat politike e madje të dhunshme në disa destinacione turistike. Për kënaqësinë e operatorëve gjermanë të turizmit, të cilët presin të tejkalojnë rekordin e arritur vitin e kaluar. "Ne presim një rritje njëshifrore në përqindje tek klientët dhe xhiroja", thotë Torsten Schäfer nga Shoqata Gjermane e Turizmit.

Torsten Schäfer nga Shoqata Gjermane e Turizmit.

Torsten Schäfer nga Shoqata Gjermane e Turizmit.

Egjipti përfiton madje mbi mesataren nga dëshira e gjermanëve për të udhëtuar, megjithë protestat e vazhdueshme dhe dhunën vdekjeprurëse në rrugët e Kairos. "Dimrin e kaluar ne kishim një rritje dyshifrore në përqindje në rezervimet me destinacion Egjiptin dhe edhe këtë verë kemi sërish një rritje dyshifrore në përqindje në rezervime", thotë Christian Müller, zëdhënës i FTI, operatorit të katërt më të madh turistik gjerman.

Kjo është arsye e mjaftueshme për sipërmarrjen për të zgjeruar më tej angazhimin në vendin afrikanoverior, megjithë situatën e vazhdueshme të pasigurt politike. Edhe për këtë verë FTI ka zgjeruar ofertën e tij për udhëtimet në Egjipt. Në sezonin e ardhshëm të dimrit, mundësia e zgjedhjes për udhëtime dhe akomodim do të jetë edhe më e madhe. Një tendencë që vihet re edhe tek operatorë të tjerë turistikë gjermanë, thotë zëdhënësi i shoqatës Schäfer. "Egjipti bën pjesë në destinacionet më të preferuara turistike për gjermanët. Për këtë arsye operatorët turistikë gjermanë vitet e kaluara i kanë zgjeruar ofertat e tyre për udhëtime në Egjipt dhe vazhdojnë të investojnë në struktura të reja hotelerie apo në zgjerimin e ofertës."

Bregdeti i El Gouna në Egjipt: larg demonstrimeve dhe trazirave

Bregdeti i El Gouna në Egjipt: larg demonstrimeve dhe trazirave

Për të ardhmen e afërt operatorët presin rritje të fortë të numrit të pushuesve kryesisht në destinacionet turistike egjiptiane në Detin e Kuq. Edhe pse Ministria e Jashtme gjermane pas puçit ushtarak "këshillon me urgjencë shmangien" e udhëtimeve në Egjipt dhe për disa pjesë të vendit ka nxjerrë një paralajmërim për udhëtim, operatorët turistikë gjermanë mbeten optimistë. Ata presin edhe më tej që parashikimet për sezonin aktual të përmbushen dhe parashikojnë shifra të ngjashme si në vitin rekord 2010. Atëherë Egjipti regjistroi 1,4 milionë turistë gjermanë. "Pjesa më e madhe e operatorëve flasin për një zhvillim shumë, shumë pozitiv për Egjiptin këtë vit", thotë zëdhënësi i shoqatës Torsten Schäfer.

Përvoja nga Pranvera Arabe

Vërtet disa nga operatorët kanë pasur një ulje të lehtë në rezervimet e reja ditët e kaluara, pranon edhe Christian Müller nga FTI. Por kjo nuk i shqetëson. "Ne mbështetemi në përvojën nga Pranvera Arabe. Atëherë situata ishte e ngjashme dhe nuk pati fare probleme për turistët në destinacionet turistike bregdetare të vendit", thotë Müller. "Turistët janë mjaftë të kthjellët dhe dinë të dallojnë mes ngjarjeve dhe demonstrimeve në Kairo dhe situatës në destinacionet bregdetare, një pjesë e të cilave janë deri 600 kilometra larg Kairos", thotë Müller në intervistë me DW.

Piramidat e Gizeh-ut në Egjipt - shumë nxehtë në muajt e verës

Piramidat e Gizeh-ut në Egjipt - shumë nxehtë në muajt e verës

"Në centralet e telefonit dhe agjensitë e udhëtimit është konstatuar vetëm rritje e nevojës për informacion", plotëson Anja Braun, zëdhënëse për shtyp e TUI Gjermani. Ajo gjithashtu thekson se në Egjipt aktualisht nuk ka filluar sezoni kryesor. Udhëtimet në Kairo dhe në qendrat turistike në Nil, për të cilat Ministria e Jashtme gjermane këshillon të evitohen, në këtë periudhë të vitit thuajse nuk kërkohen fare. "Atje në këtë kohë është shumë nxehtë."

Turizmi faktor i rëndësishëm ekonomik

Sipas Shoqatës Gjermane të Turizmit, aktualisht në Egjipt ndodhen jo më shumë se 35.000 pushues gjermanë. Gjatë muajve të dimrit ky numër është tri herë më i madh. "Sezoni i rezervimeve" fillon pas pushimeve të verës, thotë zëdhënësi i shoqatës, Torsten Schäfer. Dhe deri atëherë situata në Nil mund të jetë qetësuar përsëri. Schäfer i referohet rëndësisë së turizmit si faktor ekonomik dhe qeverisë së re egjiptiane.

"Turizmi luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm ekonomik për Egjiptin. Nëse nuk ka turistë, kriza do të rëndohet më shumë", shpjegon Schäfer. Për këtë arye qeveria e re duhet të bëjë gjithçka për ta forcuar sektorin e turizmit. "Këtë e kemi parë edhe vitet e kaluara. Egjipti ka ndërmarrë gjithçka për të garantuar sigurinë në lokalitetet e pudhimeve në bregdet, destinacionet turistike dhe në aeroporte."

Schäfer nuk beson se vende të tjera pushimi përfitojnë në periudhë afatshkurtër nga kriza në Egjipt. "Muajt e rezervimit për pushimet e verës janë kryesisht janari, shkurti, marsi. Kjo do të thotë se kush bën pushime javët e ardhshme e ka bërë si rregull me kohë rezervimin. Për parashikime më afatgjata është ende shumë herët."